Martohet në 27 gusht, lirohet i arrestuari për 1.3 ton drogë në Kavajë

Martohet në 27 gusht, lirohet i arrestuari për 1.3 ton drogë në Kavajë
Prokuroria tërhiqet nga hetimi nën arrest për Arvis Muçaj, personin e  arrestuar për 1.3 ton drogë të sekuestruar në Kavajë.

Organi i akuzës këmbëngul se ka prova që e implikojnë Muçajn në këtë çështje, por ai do të hetohet në liri, pasi do të martohet më 27 gusht.

Në dosjen e Prokurorisë për operacionin “Piloti” thuhet se pas arrestimit të tre personave që u kapën në 2 mjete me 1 ton e 350 kg kanabis, Prokuroria për Krime të Rënda urdhëroi ndalimin e shtetasve: Aristotel Kasaj dhe Arvis Muçaj, pasi rezultuan të kishin lidhje me pronësinë e mjetit tip fuoristradë, në të cilën u gjend rreth 350 kg lëndë narkotike.

Të pandehurit mohuan përfshirjen në veprimtarinë e trafikimit të lëndës narkotike. Ata dhanë edhe dëshmi mbi tjetërsimin e pronësisë së mjetit, të cilat po verifikohen.

Në bazë të këtyre elementëve, por edhe të tjera të dhëna të cilat përbëjnë sekret hetimor, Prokuroria për Krime të Rënda dyshon se këta persona, në bashkëpunim me të tjerë, janë përfshirë në veprimtarinë kriminale të “Trafikut të lëndëve narkotike”.

Prokuroria për Krime të Rënda, në bazë të hetimeve paraprake, ka siguruar të dhëna, për përfshirjen e 5 personave të ndaluar me urdhër të prokurorit, pas zbulimit nga ana e Policisë së Kavajës të mbi 1.3 ton kanabis sativa.

Policia e Kavajës zbuloi në dy mjete, një furgon dhe një fuoristradë Land Rover, një sasi prej 1350 kg lëndë narkotikë (konkretisht, 1 ton u gjet në furgon dhe 350 kg në mjetin fuoristratë “Land Rover”). Personat që gjendeshin në këto dy mjete janë larguar me shpejtësi. Në vijim të veprimeve policore, u shoqëruan në Komisariat 3 shtetas, të cilët gjendeshin në një veturë tip SAAB, pranë vendin ku u gjet lënda narkotike. Këta shtetas u identifikuan: Kejvi Hajdari, Roland Hysenbelliu dhe Joni Sadikaj.

Më tej, veprimet hetimore u drejtuan nga Prokuroria e Kavajës, e njoftuar për ngjarjen nga ana e Policisë lokale. Gjatë veprimeve vijuese, grupi hetimor sekuestroi edhe dy automjete të tjera, njëra veturë Toyota dhe tjetra kamionçinë, si edhe shumë pranë bregut të detit, një skaf me dy motorë, i lidhur me një zetor që shërbente për tërheqjen e tij. Pra, në total, deri në këtë fazë hetimore, janë sekuestruar 7 mjete lëvizëse, nga të cilat dy vetura, një fuoristradë, një furgo, një kamionçinë, një zetor dhe një skaf.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: