Merkato, katër të fundit pas shifrave të "çmendura”

Merkato, katër të fundit pas shifrave të "çmendura”
Pas largimit të Neymar te PSG, në dy javët e ardhshme pritet kalimi për shifra marramendëse edhe i Ousmane Dembele i Dortmund te Barcelona e Kylian Mbappe nga Monaco te PSG ose Real Madrid

Aranit Muraçi

Kanë mbetur edhe dy javë nga mbyllja e merkatos së verës, por ka kohë për disa goditje të mëdha. Siç edhe ka ndodhur, lëvizjet më befasuese ndodhin në ditën e fundit. Por cilët janë lojtarët që po mbajnë dritaren e merkatos hapur? Emri i talentit francez të Monaco, Kylian Mbappe, ka qenë i lakuar që në ditët e para, por ndoshta do të presë ditët e fundit për t‘u larguar nga klubi francez, ashtu sikurse priten lëvizje për shifra marramendëse për Dembele e Coutinho.

Philippe Coutinho, nga Liverpool te Barcelona

Barcelona është në treg, për të gjetur zëvendësuesin e Neymar pasi braziliani iku te PSG. Coutinho nuk është saktësisht lojtari i duhur për rolin e Neymar. Pronari i klubit të Liverpool tha një javë më parë, pas interesit të Barcelonës, se ai nuk është në shitje. E ndërsa lajmi nisi të qarkullonte me shpejtësi, mediat spanjolle raportuan se marrëveshje u arrit për 120 mln euro. Tashmë, nën presion nga një shumë e tillë, Coutinho me shumë gjasa do ta largohet në ditët e mbetura nga Liverpool për të veshur fanellën e gjigantit spanjoll.

Alexis Sanchez, nga Arsenal te Manch City/PSG

Ndërsa Coutinho është në qendër të medieve, transferimi i Sanchez ka rënën disi në hije gjatë javëve të fundit. Arsenal i ka afruar atij një kontratë me 330 mijë euro në javë për ta mbajtur në Londër, por Sanchez kërkon të largohet. Kushte më të mira mund t’i afrojë vetëm PSG. Sipas medieve britanike, Sanchez do të jetë pjesë e PSG nëse ekipi i ri i Neymar do të dështojë për të arritur marrëveshjen me Kylian Mbappe. Por nuk duhet nënvlerësuar interesi i Manchester City dhe i Pep Guardiola, që vazhdojnë të mbeten gjithnjë të interesuar pas lojtarit.

Ousmane Dembele, nga Dortmund te Barcelona

Vetëm 20-vjeç ai shihet si një ndër lojtarët më premtues të futbollit botëror, ashtu sikurse edhe patrioti i tij, Kylian Mbappe. Me tetë gola dhe 18 asiste në sezonin debutues te Borussia Dortmund, Dembele shihet si pasuesi më i mirë i Neymar te Barcelona. Nëse i bashkohet, Coutinho mund të mbajë rolin e “Iniesta”, pasi i përshtatet më tepër. Barcelona me largimin e Neymar, për 220 mln euro, e ka të lehtë të veprojë në ditët e mbetura të merkatos. Në “Nou Camp” kërkohet një talent si Dembele, pavarësisht çmimit që kërkon Dortmund.

Kylian Mbappe, nga Monaco te PSG/Real Madrid

Historia e merkatos nisi me ofertën e Arsenal për 100 mln euro dhe po përfundon me garën mes Real Madridit e PSG, që mund të sigurojnë shërbimet e tij për 200 mln euro. Kjo pasi oferta e Real Madrid për 180 mln euro u bllokua nga PSG në çastin e fundit. Besohet se ndërhyri PSG me një ofertë tjetër. Mbappe u la në stol nga Monaco në ndeshjen e parë të këtij sezoni në kampionatin francez ndaj Dijon, ndërsa trajneri Leonardo Jardim pranoi se ishte vendimi i klubit. Mbappe ende pa mbushur 20 vjeç pritet të jetë një ndër blerjet më të bujshme në historinë e merkatos.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: