MINISTRAT E EDI RAMËS NË SKANER- OPINION NGA ROLAND QAFOKU

MINISTRAT E EDI RAMËS NË SKANER- OPINION NGA ROLAND QAFOKU

Nga ROLAND QAFOKU

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Vera e re në fuçinë e vjetër

Cilët janë 13 ministrat dhe zv./kryeministrja Senida Mesi. Aftësitë dhe defektet. Akuzat ndaj tyre dhe pikat e dobëta. Cilësitë për të cilat kryeministri Rama i emëroi për të drejtuar dikasteret dhe çfarë pritet prej tyre. Portretet e secilit anëtar të kabinetit më të vogël në numër, që pas rrëzimit të komunizmit

Përzgjedhja e emrave që kryeministri Edi Rama, ka bërë për kabinetin qeveritar, i shkon për shtat rregulli i përcaktuar nga filozofi gjerman, Friedrich Nietzcshe, sipas të cilit, çdokush në këtë botë është mesatarja e pesë njerëzve që e rrethojnë. Edi Ramën tani, në fakt, e rrethojnë 13 ministra dhe një zv./kryeministre. Kjo mesatare bëhet edhe më e fortë, po të mendojmë se ata janë afro trefish më shumë nga ky rregull. Për më tepër që, në 4 vitet e ardhshme, timonin dhe tepsinë do ta ketë vetë. Nëpër këmbë nuk do ketë as "ferrën" LSI, as "gramin" PDIU dhe as vegimin e përhershëm se "fajin e ka Saliu që na e la tokën të djegur". Problem edhe më i rëndësishëm është që, në këto 4 vjet, falë asaj që pritet të bëjnë, këta ministra duhet të punojnë të mbajnë kokën dhe jo hundën lart. Edi Rama i cili vazhdon të mbajë numrin 33 të renditjes si kryeministër, - nga Ismail Qemali - ka pushtet si askush në një sistem demokratik. 11 ministri, 13 ministra dhe një zv./kryeministre, shpallur dje, - pas një fjalimi 1 orë e 45 minuta, - janë qeveria më e vogël në numër që ka parë Shqipëria, qysh pas rrëzimit të komunizmit. Ajo që bie në sy si fillim, është fakti se krahas 6 ministreve gra, kundrejt 7 ministrave burra, do të jetë edhe një grua zv./kryeministre. Kjo shifër e “çimenton” Edi Ramën si kryeministrin që ka punuar me më shumë gra gjatë ushtrimit të kësaj detyre.

Por cilët janë, realisht, këta ministra? Çfarë përfaqësojnë ata? Më e rëndësishme se kaq, çfarë pritet prej punës së tyre në 4 vitet e ardhshme, për të cilët Rama tha se i është dhënë nga populli një mandat “si shpatë ndaj prapambetjes e drejtësisë dhe jo si lugë në brez”?

 

SENIDA MESI, zëvendëskryeministre

E treta deputete në listë në qarkun e Shkodrës, për zgjedhjet e 25 qershorit, Senida Mesin vazhdojnë ta ndjekin surprizat për mirë. 40-vjeçarja, nënë e tre fëmijëve, do të jetë zëvendësja e kryeministrit Rama, duke shënuar emrin si zëvendëskryeministrja e katërt femër në historinë e shtetit shqiptar, pas Makbule Çeços, Valentina Leskajt dhe Ledina Mandias që ishte edhe paraardhësja e saj. E njohur si financiere dhe eksperte bankare, me diplomë master në Gjermani, pasi u diplomua në Universitetin e Tiranës, Mesi është risia e qeverisë Rama. I vetmi problem i numrit dy të qeverisë, është nëse do të jetë vërtet numri dy apo një sekretare e punëve që nuk preferon t’i kryejë kryeministri. Duke mos patur një dikaster që do ta drejtojë, rrezikon shumë të jetë kështu. Megjithatë, të presim nëse vërtet ajo do të shkëlqejë, - siç pret Edi Rama, - apo të bëjë punë të mira për vendin, siç presim ne.

 

PANDELI MAJKO, ministër Shteti për Diasporën

Pas 12 vjetësh, Pandeli Majko kthehet sërish në qeveri. Dy herë kryeministër, po aq herë ministër i Mbrojtjes dhe politikani që ka bërë betejën më të fortë politike brenda PS-së, për të qenë kryetar, ai merr një post ministror me jo shumë peshë. U dallua kjo te sytë e Majkos, kur Rama i përmendi emrin dhe ato shprehnin më tepër habi, se sa kënaqësi. Dukej sikur kishte një dilemë mes rëndësisë për të qenë ministër dhe parëndësisë së një ministri pa ministri. Dhe në fakt, kthimi i Majkos në qeveri duket më tepër si mbajtje e premtimit të kryeministrit për një post që nuk ia ka dhënë, se sa nevojë e madhe e tij për ta patur në qeveri. Nëse vërtet Rama do të donte ta ishte Majkon në kabinet, mund t’i besonte një dikaster të rëndësishëm si mbrojtja, diplomacia apo ndonjë tjetër. Por, si ministër i Diasporës, Pandeli Majko do të jetë më shumë në avion, se sa nëpër këmbët e kryeministrit. Në realitet, me këtë detyrë, Majkos i është ulur profili dhe zor të mendosh se ai po e merr këtë post me shumë dëshirë.

 

SONILA QATO, ministre e Shtetit për Koordinimin e Marrëdhënieve me Sipërmarrësit

Drejtoresha e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ishte nga ato gra që e nderuan Edi Ramën në detyrën që iu dha, ndryshe nga disa të tjera. Kjo ka qenë arsyeja që këtë vlerësim, ai e përçoi më tej teksa e emëroi Sonila Qaton si ministre e Shtetit për Koordinimin dhe Marrëdhëniet me Sipërmarrësit. Siç e tha edhe në fjalën e vet, problemi numër një i qeverisë së shkuar, ishte kur një ministër nuk i hapte telefonin një sipërmarrësi. Dhe duket se jo vetëm posti i ri si ministre shteti, por edhe emri i Sonila Qatos, kanë qenë bashkë në këtë koordinim. Qato, juriste me përvojë tashmë, tregoi se modestia është cilësia më e fortë e cila e karakterizoi në krye të institucionit që drejtoi. Nënë e dy djemve, 16 dhe 11 vjeç, ajo është nga ata shqiptarë që beson se ky vend mund të ndryshojë. E nisi si drejtoreshë për kthimin e pronave, tani pritet që sfida e saj e madhe të jetë raporti me biznesin. Por, kujdes! Rama në fund të fjalës, tha: Nëse ministri nuk i hap telefonin sipërmarrësit, ministri ikën! Shpresojmë të mos ndodhë me Sonila Qaton, kjo gjë!

 

FATMIR XHAFAJ

Me emërimin për herë të dytë si Ministër i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, tregoi se një xhaketë e vjetër mund të vlejë, nëse e bën punën mirë. Edi Rama nuk pati fare drojë dhe dilemë kur përmendi emrin e tij si Ministër i Brendshëm, për herë të dytë, një rast që vetëm në rastin e Bujar Nishanit kishte ndodhur më parë. Por vlerësimi ndaj punës së Fatmir Xhafës, herën e parë, lidhet vetëm me luftën që ai i bëri kultivimit dhe trafikimit të kanabisit. Ai ishte i pari që deklaroi dhe konfirmoi se lumenjtë e drogës kanë rrjedhur; i pari që e goditi në themel, duke larguar të gjithë drejtuesit kryesorë në drejtoritë dhe komisariatet e policisë, në të gjithë vendin. Madje, ai ishte i pari që përfshiu direkt policinë, duke thënë se është e pamundur që, atje ku mbillet kanabis, të mos e shohë polici i zonës, polici i pyjores apo dhe kryeplaku me banorët. Me këtë riemërim, Fatmir Xhafaj është përballë një sfide vërtetë të rëndësishme, - të luftës përfundimtare ndaj drogës, - për ta hequr këtë fjalë nga fjalori, të paktën sipas premtimit të Ramës. Ndërsa mblodhi Këshillin e Sigurisë Kombëtare, në nëntor 2016, presidenti Bujar Nishani dha alarmin, teksa tha se sipas agjencive inteligjente vendase dhe të huaja, nga shkurt-marsi, deri në fund të vitit 2016, paraja e qarkulluar nga trafikimi i drogës ishte më i madh se buxheti i shtetit. Manualet e luftës ndaj kriminalitetit tregojnë se, nëse në një vend ndodh kjo, shteti ka falimentuar. Kësisoj, Fatmir Xhafës i duhet të përmbysë këtë shifër. Ai duhet të përmbysë edhe atë që tha shefi i Antimafias Italiane, Franko Roberti: Është trefishuar sasia e drogës së trafikuar nga Shqipëria drejt Italisë. Paratë nga ky trafik, po përdoren për terrorizmin”.

I vetmi problem i Fatmir Xhafës, mbetet e kaluara e tij në rini. Fotoja në krah të Enver Hoxhës, që në atë kohë të gjithë moshatarët e tij ëndërronin ta kishin, është bërë akuza më e rëndë në adresë të tij. Por kjo opozitë, që premtoi se nuk do ta lejonte të futej në Kuvend ditën e votimit si ministër, është e njëjta që nuk bëri asnjë veprim. Kështu që, më shumë se të gjitha akuzat për të shkuarën ndaj Xhafës, shqiptarëve u vlejnë punët e mira të tij. Zoti ministër, ju lutemi, çrrënjoseni drogën nga mendja e shqiptarëve dhe ne do të themi: Faleminderit!

 

DITMIR BUSHATI, ministër i Jashtëm

Kur shumë menduan se Ditmir Bushatit i kishte dhënë duart prej stafit të vet, Edi Rama e rikonfirmoi sërish si ministër të Jashtëm edhe për 4 vitet e ardhshme. Pak ditë më parë, u duk sikur më shumë ishte shuplakë për Bushatin, ajo që Rama iu drejtua diplomatëve të huaj si “delenxhinj dhe të leshtë”, për mënyrën se si ata bënin diplomaci. Por rikonfirmimi i tij në krye të ministrisë së Jashtme, nuk e konfirmoi këtë. Bushati tashmë, ka përvojën e madhe në krye të këtij dikasteri dhe ato që Rama i tha, në fakt, ishte shuplakë jo vetëm për të, por edhe për veten e gjithë klasën politike, - e cila në diplomaci kërkon të fusin fëmijët, dhëndurët e nuset, mbesa e nipër dhe, pasi i duan për të ndenjur rehat, në fund, bëjnë pyetjen: Përse e kemi në këtë nivel diplomacinë?

 

OLTA XHAÇKA, ministre e Mbrojtjes

Olta Xhaçka është nga ato që politika në Shqipëri, i ka marrë vetëm me të mirë. Nga aktiviste e MJAFT-it në tre herë deputete e PS-së, ajo gjithçka e ka marrë qetë dhe po qetë ka ngjitur shkallët e karrierës. Nuk është pak të zëvendësojë në këtë detyrë Mimi Kodhelin që, si e para femër ministre e Mbrojtjes së Shqipërisë, shkëlqeu në të gjitha aktivitetet ku përfaqësohej vendi ynë si anëtar i NATO-s. Megjithatë, përveç mbështetjes nga kryeministri Edi Rama, Olta Xhaçka do të ketë krahët të mbrojtur mirë. Nga njëra anë, edhe pse nuk është më deputet, bashkëshorti i saj, Artan Gaçi, do të jetë ndihmë e madhe. Nga ana tjetër, edhe nga kushëriri i saj, Arben Pëllumbi, djali i Servet Pëllumbit, i cili është zgjedhur deputet i PS-së në Tiranë.

 

ETILDA GJONAJ, ministre e Drejtësisë

Nuk fitoi si komisionere për Mbrojtjen nga Diskriminimi, sepse nuk mori miratimin e opozitës, por Etilda Gjonaj spikati si zv./ministre e Drejtësisë. Edhe vetë kryeministri Rama, e veçoi këtë kur bëri prezantimin. Dikur edhe komisionere e Avokatit të Popullit, juristja e njohur kishte më parë si detyrë kryesore, nisjen e zbatimit të reformës në drejtësi dhe të institucioneve të dala nga kjo reformë. Një peshë tepër e madhe për juristen 36-vjeçare, duke ditur që nuk ka përvojë politike, pritet të jetë reforma më e madhe që ka kaluar ndonjëherë drejtësia. Marrëdhëniet e saj me gjykatat, prokurorinë dhe institucionet e reja, do të jenë sfida e sfidave. Drejtësia ka qenë nga ato sektorë që Ramës ia kanë patur fajin aleatët dhe kundërshtarët politikë. Me punën që pritet të bëjë, Gjonajt i duhet ta konfirmojë se gjithë fajin e kishin pikërisht ata.

 

MIRELA KUMBARO, ministre e Kulturës

Habia e të gjithëve në prezantim, ishte rikonfirmimi i ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro. E cilësuar si një nga ministret më të dobëta të kabinetit të parë, Rama duhet të ketë patur arsye mjaft të forta dhe që nuk lidhen me qenien e saj si ministre. Pa asnjë vizion, pa asnjë rezultat konkret, ku çdo punë për kulturën në Shqipëri ia kanë bërë të tjerët; megjithatë, Rama preferoi ta konfirmojë Kumbaron, për ta cilësuar ndoshta si simbol ku dështoi, po dështon dhe do të dështojë.

 

ARBEN AHMETAJ, ministër i Financave, Ekonomisë dhe Punës

Arben Ahmetaj është ministri më i çuditshëm i Financave të Shqipërisë, pas Kastriot Islamit. I diplomuar si mësues anglishteje, ai vazhdon të ketë në dorë çelësin e kasafortës së parave të shqiptarëve. Aksidenti ka qenë e vetmja pengesë në aktivitetin e tij politik. Me Ramën e ka “grurë”, duket që e përmend në çdo paragraf. Gjatë fjalës së tij në Asamble, veçohet një frazë që nuk i shkon shumë për shtat natyrës së tij, teksa mes të tjerave tha: "Në këndvështrimin tim modest", që në fakt nuk është modest... Foli për dhjetë minuta dhe vetëm dy vetë e duartrokitën, gjë që tregon shumë. Megjithatë, Rama vazhdon t’i besojë të njëjtin post ekstra, për të mos thënë se është më i rëndësishmi i të rëndësishmëve. Por edhe vetë kryeministri u duk i pasigurt kur përmendi emrin e tij dhe deklaroi: Nëse në katër vitet e ardhshme, rritja ekonomike do të jetë 5 për qind, realisht do të kemi problem". Rama dukej i dyzuar, po ne këtej qeverisë, a jemi të bindur nëse "presori" i anglishtes do ta realizojë këtë 5 përqindëshin? Nëse po, padyshim, ai do të hyjë në histori si shqiptari më i suksesshëm që pa qenë financier, u bë ministri më i suksesshëm në histori. Unë do të jem i pari që do t’i kërkoj falje.

 

LINDITA NIKOLLA, ministre e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve

Edi Rama duket të jetë kujdesur që, në këtë mandat, të ketë emra të cilët të mbajnë kokën dhe jo hundën lart. Unë nuk pajtohem me shumë punë të Lindita Nikollës, sidomos me atë që quhet reformë në arsim. Por ndryshe nga kolegë të tjerë të saj, anëtarë të kabinetit, Lindita Nikolla ka cilësinë e një njeriu që nuk është fodulle. Është po ajo grua e shtruar dhe po ajo zyshë që, me të mirat dhe defektet, i transmeton ende si më parë. Nuk kemi asnjë akuzë ndaj saj për korrupsion, allishverishe dhe abuzime, ndërsa mendoj se nuk është trimëri t’i hedhësh bojë në kokë një gruaje, kur ka plot burra zyrtarë të korruptuar dhe të zhytur në krime, që nuk u preket fija e flokut. Gabimet e saj të tipit kur tregon se "vajza ime studion në Francë", kur u bën thirrje të gjithë maturantëve të studiojnë në Shqipëri, se vendi ynë ka cilësi, janë bërë për të mos i përsëritur. Ia vlen t’i besosh Lindita Nikollës, të nusërojë për herë të dytë në ministrinë e Arsimit.

 

OGERTA MANASTIRLIU, ministre e Shëndetësisë dhe Kujdesit Social

Ishte një emër që pritej të konfirmohej. Jo vetëm pse nuk u provua shumë në atë detyrë, përpara ministrit teknik të PD-së, por edhe për faktin se vetë kryeministri Rama, ishte i kënaqur me bilancin e punës së saj si drejtore e Qendrës Spitalore Universitare, "Nënë Tereza". Por kimistja në krye të Shëndetësisë, zonja Manastirliu, ka një sfidë që ndoshta nuk e ka kush. Vetë Rama dhe e gjithë mazhoranca, vazhdon të kafshojë buzën sot kur, me lehtësinë dhe sigurinë e opozitarit, këtij populli iu premtuan shëndetësia falas. Dhe kjo do të vazhdojë të ndjekë këtë mazhorancë edhe nëse në pushtet do të qëndrojë jo më 8, por edhe 12 apo 16 vjet. Prandaj, Manastirliut i duhet shumë punë dhe ndershmëri, që ta ndryshojë konceptimin për shëndetësinë tonë. Një shëndetësi që ka qenë dhe vazhdon të jetë një nga pikat më të dobëta të shtetit shqiptar, që në gjenezë të tij.

 

DAMIAN GJIKNURI, ministër i Energjisë dhe Infrastrukturës

Djali i ish-deputetit të PS-së, Lekë Gjiknuri, dhe i zyshës së Astronomisë, Liri Gjiknuri, Damian Gjiknuri vazhdon të jetë “dardhë nën pemë”. Elozhe pa fund derdhi ndaj tij Edi Rama, duke e cilësuar si ndër menaxherët më të aftë të qeverisë që drejtonte deri më sot. Menaxhimi i sektorit të energjisë, për hir të vërtetës, ka qenë në nivele të kënaqshme. Duke i shtuar edhe sektorin e infrastrukturës, Gjiknuri ka problemin e madh se, në këto 4 vjet që shkuan, nuk u ndërtua asnjë kilometër rrugë. Nuk mund të vazhdojë më politika e baltosjes së kundërshtarëve, se nuk i kanë bërë rrugët e mira, kur ti ndërkohë nuk ke ndërtuar asnjë rrugë. Rama, që ka bërë një pretim madhor, sipas të cilit nuk ikën nga ajo zyrë pa ndërtuar rrugën e Arbrit, e di mirë se çfarë do të thotë kjo. Dhe Gjiknuri është njeriu që pritet të sfidojë pas energjisë edhe infrastrukturën.

 

NIKO PELESHI, ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

Nëse kërkon të bësh një punë, jepja një njeriu të ngarkuar. I përulur dhe i maturuar në çdo gjë që bën, Edi Rama i caktoi Niko Peleshit ministrinë e Bujqësisë. Edhe pse erdhi nga Korça, qyteti më lindor në vend, direkt në Tiranë, ai tregoi se ishte më perëndimori mes ministrave të kabinetit të parë. Niko Peleshin kudo që ta vësh, do të shkëlqejë. I vetmi problem mund të jetë ende, butësia e natyrës së tij, e cila rrezikon të merret si dobësi. Aq sa Berisha do ta kujtojë si të sigurt se Rama ushtroi dikur dhunë ndaj tij. Ndërsa vetë Peleshi e quajti të çmendur. Ndërkohë, se sa e duan Niko Peleshin, u duk gjatë fjalimit të tij në Asamble. Pas Edi Ramës, ai ishte personi që foli dhe u duartrokit më shumë. Gjatë 29 minutave në foltore, Peleshi tregoi jo vetëm që shefi i tij ruan besim, por edhe vetë ai pritet të ketë sukses.

 

BLENDI KLOSI, ministër i Mjedisit dhe Turizmit

Në të gjithë emrat e kabinetit, Blendi Klosi është nga të rrallët socialistë “bio” të mbetur në PS. Edhe vetë kryeministri e vlerësoi në fjalën e tij komunikimin, edukatën qytetare, por edhe politike, tepër të veçantë të Blendi Klosit. Përpos vlerave si drejtues institucioni, Blendi Klosi ka një veçori që nuk e ka ndryshuar kurrë, në gjithë karrierën e vet, - që ka qenë dhe është vetvetja dhe nuk ndryshon me ndryshimin e erërave politike, brenda dhe jashtë partisë ku aderon.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: