Pas muajsh në koma ndërron jetë Kryeministri i parë i Kosovës

Pas muajsh në koma ndërron jetë Kryeministri i parë i Kosovës
Ish-kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi, ka ndërruar jetë gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm në moshën 63 vjeçare.

Media kosovare bëjnë me dije se Rexhepi ndodhej prej muajsh në gjendje kome në një spital në Turqi.

Ai fillimisht ishte shtruar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ku edhe i është nënshtruar operacionit mirëpo për shkak të gjendjes së rëndë ishte transferuar në Turqi.

Bajram Rexhepi, me profesion kirurg lindi  më 3 qershor 1954, në Mitrovicë.

I diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës në vitin 1979, studimet pas-universitare i përfundoi në Zagreb,Kroaci në vitin 1985.

Filloi karrierën profesionale si kirurg i përgjithshëm dhe specialist endoskopie në spitalin rajonal të Mitrovicës deri në vitin 1990.

Më pas, ai u bë udhëheqës i qeverisë hije në qytet dhe u zgjodh i dërguar i Mitrovicës në Kuvendin e Kosovës.

Gjatë luftës më 1999 me Serbinë, Rexhepi iu bashkua UÇK-së duke shërbyer si mjek.

Pas luftës, Rexhepi u bë kryetar i këshillit bashkiak të Mitrovicës dhe Kryetar i pjesës së jugut të qytetit të ndarë, si dhe kreu i degës së organizatës PDK në qytet e cila në zgjedhjet e përgjithshme më 17 nëntor të vitit 2001, fitoi 25.7 % të votave, duke u radhitur e dyta pas Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Më 4 mars të vitit 2002, Bajram Rexhepin u zgjodh nga Kuvendi i Kosovës si Kryeministri i parë i vendit dhe Ibrahim Rugova si president.

/f.ç/

Foto: Google

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: