Pas zgjedhjeve, vërshim udhëtimesh

Pas zgjedhjeve, vërshim udhëtimesh
Përmbyllja e procesit zgjedhor të 25 qershorit 2017, duket se ka përkuar me një “boom” të lëvizjeve si drejt Shqipërisë nga vizitorët e huaj, por edhe nga shqiptarët drejt vendeve të tjera; sidomos duke zgjedhur ajrin si mjet të transportit të tyre

Ata duket se kanë pritur që Shqipëria të përmbyllë procesin e zgjedhjeve të përgjithshme, pse jo bashkë me të, edhe krizën e tejzgjatur politike, për t’u nisur drejt saj, por nga ana tjetër edhe për t’u larguar. Fjala është për udhëtarët, qofshin këta vizitorë të huaj, të cilët rezultojnë se kanë vërshuar në masë drejt vendit tonë pikërisht gjatë muajit korrik të këtij viti, i cili përkon edhe me mbylljen e zgjedhjeve të 25 qershorit 2017, por në të njëjtën kohë edhe për shqiptarët që kanë zgjedhur të udhëtojnë jashtë vendit të tyre gjatë sezonit turistik. Madje mund të thuhet se vetëm ata që kanë zgjedhur të udhëtojnë me rrugë ajrore, kanë qenë rreth 30% më shumë se në të njëjtin muaj të një viti më parë. Një tregues edhe më tepër ky i trendit të vizitorëve gjithmonë e më të shumtë që po e zgjedhin Shqipërinë si një destinacion pushimesh dhe jo vetëm. Në shifra konkrete, bëhet fjalë për plot 293.064 pasagjerë që kanë kaluar përmes aeroportit të Rinasit në muajin e paszgjedhjeve, korrik 2017. Teksa në këtë të fundit, kjo shifër ka qenë më e ulët, deri në nivelin prej 229.584 personash, duke folur gjithsesi për një nivel të konsiderueshëm të lëvizjeve me avionë të pasagjerëve që tashmë bëhen në hapësirën ajrore shqiptare. “Numri i fluturimeve të kryera në muajin korrik 2017, është 2.496, duke shënuar një rritje me nivelin prej 19%, ndaj muajit korrik 2016”, citojnë ekspertët e statistikave, lidhur me një dukuri të tillë. Duke shtuar më tej se gjatë shtatë muajve të këtij viti janë kryer në total plot 13.236 fluturime, duke u rritur me nivelin prej 10.8%, krahasuar me njëjtën periudhë të një viti më parë. “Numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar me linja ajrore, në 7-mujorin 2017 është 1.413.390, duke u rritur me nivelin prej 24.1%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë”, pohojnë më tej ata. Ndërsa për 6-mujorin 2017 kanë raportuar se janë kryer në total 10.742 fluturime, duke u rritur me nivelin prej 9%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Edhe këto shifra mjaft të larta fluturimesh që flasin për zgjedhjen gjithmonë e më shumë që shqiptarët dhe të huajt po i bëjnë “avionit” teksa zgjedhin të vijnë në Shqipëri, apo të ikin prej saj. Dukuri kjo e konfirmuar në fakt edhe prej agjencive turistike në vend, sipas të cilave, paketat të cilat kanë për bazë pikërisht fluturimet si formë transporti drejt Shqipërisë, apo drejt vendeve të tjera duke u nisur prej saj, po bëhen më të preferuara me kalimin e viteve.

Qytetarët s’u shmangen trageteve, ende i preferojnë udhëtimet me det

Udhëtimet me traget, edhe pse më të gjatë në kohë për  qytetarët që lëvizin jashtë Shqipërisë, por edhe për ata që mbërrijnë drejt saj, sërish mbeten të preferuar për një pjesë të konsiderueshme prej tyre. Këtë e faktojnë shifrat në rënie të këtyre udhëtimeve gjatë sezonit të sivjetshëm turistik, krahasuar me ato të një viti më parë. Konkretisht, sipas Institutit të Statistikave rezulton se në total, numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar me linjë detare në muajin korrik të këtij viti ka qenë 232.530 të tillë dhe krahasuar me muajin korrik të vitit të 2016, ky tregues është rritur në nivelin prej 23.1%. Sikundër, shtohen shifrat e tjera se në 7-mujorin e këtij viti, kanë udhëtuar me linjë detare plot 699.064 pasagjerë, duke u rritur me nivelin prej 19.8%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Hekurudhat, “lavdia” e munguar e udhëtimeve

Fare mirë ato mund të quhen “lavdia” e munguar e udhëtimeve të Shqipërisë. Hekurudhat, gjithmonë e më shumë po tregojnë se janë më pak të frekuentuara prej qytetarëve të këtij vendi, por edhe prej atyre që vijnë dhe e vizitojnë atë. Dukuri kjo që tregohet nga vetë shifrat e ofruara prej institucioneve zyrtare, sipas të cilave, këto mjete tradicionale udhëtimi, që në shumë vende të botës janë ende të preferuara, tek ne po e humbasin këtë funksion me kalimin e kohës. Konkretisht, siç pohon Instituti i Statistikave, nëse një vit më parë, gjatë muajve janar-korrik, në total rezultojnë se janë kryer 66.720 udhëtime me hekurudhë, për të njëjtën periudhë të këtyre muajve gjatë këtij viti, kjo shifër ka rënë deri në 40 mijë udhëtime. Çka flet qartë për një pakësim të tyre, rreth të cilit, INSTAT jep edhe shifrën konkrete prej një rënieje të vazhdueshme (progresive) në nivelin prej -40%. Por nga ana tjetër, institucioni në fjalë, kur bie fjala për hekurudhat, konfirmon se ato kanë shënuar një rënie të dukshme edhe sa u përket transporteve të mallrave që kryhen pikërisht përmes tyre. “Mallrat e importuara me hekurudhë, në muajin korrik të këtij viti janë ulur me nivelin prej -15.5%”, konfirmojnë ata, lidhur me një dukuri të tillë.

TREGTIA

Deti dhe rruga si të tilla, mbeten dy alternativat kryesore të transportit që Shqipëria ndjek për të eksportuar mallrat e saj jashtë territorit të saj, por në të njëjtën kohë edhe për të importuar brenda saj. Këtë e faktojnë të dhënat e fundit statistikore, sipas të cilave, rezulton se vetëm një përqindje e pallogaritshme zë transporti ajror i eksporteve, konkretisht ai i grupit të “makineri dhe pajisje”. Kurse kur flasim për importe, ato që vijnë drejt vendit tonë nga jashtë, pikërisht përmes transportit ajror, përveç tyre, janë edhe ato që përfshihen në grupin “kimikate, produkte kimike, fibra, produkte gome dhe plastike”.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: