PËR VITIN MBARËKOMBËTAR TË SKËNDERBEUT- OPINION NGA ALFRED PEZA

PËR VITIN MBARËKOMBËTAR TË SKËNDERBEUT- OPINION NGA ALFRED PEZA
Nga Alfred Peza

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Shpallja nga ana e qeverisë së re e 2018-tës, si Vitin Mbarëkombëtar të Skënderbeut, ndoshta është nga të paktat tema që nuk ka krijuar reaksionin e përhershëm, me të cilin është bërë e modës të përcillet gjithçka thotë, bën dhe vendos qeveria apo mazhoranca. Ky pritet të jetë edhe vendimi i parë i kabinetit "Rama 2", - pasi të jetë zyrtarizuar, - i cili do të shoqërohet edhe me ngritjen e një Komisioni të Posaçëm në 550-vjetorin e vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, për organizimin e aktiviteteve dhe promovimin e këtij viti. Një vendim që i jep trajtë filozofisë së fushatës elektorale të PS-së për zgjedhjet e 25 qershorit. Një fushatë ku, për herë të parë, një parti politike shqiptare tejkalon flamurin e vet partiak, për ta zhvilluar atë nën dominimin e flamurit tonë kombëtar kuqezi.

Mund të ketë disa arsye, se pse ky vendim nuk ka ngjallur debat.

E para, besoj se lidhet me faktin se, vetë Gjergj Kastrioti Skënderbeu është ndër të paktat figura të historisë sonë kombëtare, e cila nuk kontestohet (duhet të ishim të shqetësuar, nëse nuk do të kishte asnjë zë kritik?!), duke gëzuar konsensus maksimal.

E dyta, ndoshta sepse çdo debat, mendim, sugjerim apo ide rreth çështjeve të tilla, kërkon edhe një ekspertizë profesionale dhe historike. Ndërkohë që kontestimet vijnë vetëm për çështje të cilat ushtrohen si sporte kombëtare, politika, qeverisja, etj.

Së treti, kjo temë nuk ka ngjallur debat (bëhet fjalë për vendimin më simbolik të një qeverie e cila do të udhëheqë në katër vitet e ardhshme), për shkak të një kulture të munguar për të thënë qoftë edhe po ose bravo, apo shumë mirë, etj., kur është fjala për vendimmarrjen e klasës politike e cila hamendësohet se është thjeshtë dhe vetëm një tabelë qitjeje, për të ushtruar nishanin e kujtdo që zotëron sot, një palë "llastiqe virtuale".

Së fundi, debati ndoshta mungon, sepse mjedisi për një gjë të tillë është aq i ndezur, sa, me siguri, i bën të pazëshëm, duke i tërhequr në shenjtërinë e tyre ekspertët më të mirë të fushës, historianët, albanologët, akademikët, profesorët apo edhe studiuesit e tjerë, pjesë e universiteteve dhe të shoqërisë civile. Nga ana tjetër, duhet të pranojmë që, kjo klasë ose kjo pjesë e elitës kombëtare, edhe kur reagojnë, kërkojnë kohë të mendohen, të ulen, të shkruajnë dhe ta thonë fjalën e tyre, sepse ajo mbetet e tyrja. Ndërsa reagimi i atyre të cilët hyjnë në çdo betejë që u del përpara, harrohet, sapo në shteg të ketë dalë gjahu të cilit i turren të gjithë të singjashmit e tjerë.

Gjithsesi, përpara se të ofroj një ide personale modeste lidhur me këtë përvjetor, për ata që nuk kanë qenë të vëmendshëm me lajmet, duhet thënë se përveç përvjetorit të Skënderbeut, përpara kemi edhe tre përvjetorë të rëndësishëm, që mund të trajtohen bashkë. Këta përvjetorë, kryeministri i ka futur që tani, në të njëjtin kalendar aktivitetesh. Këtë vit, më 28 nëntor, kemi edhe përvjetorin e 105-të të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, i cili përkon me një tjetër datë të rëndësishme të lidhur me Skënderbeun: 28 nëntorin e vitit 1443, plot 574-vjetorin e hyrjes së tij në Krujë. Ndërsa më 10 qershor të vitit të ardhshëm, shënohet edhe 140-vjetori i Lidhjes Kombëtare të Prizrenit, data këto shumë të rëndësishme për historinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve.

Jam i sigurt se Konferenca e Rektorëve, Akademia e Shkencave, Qendra e Studimeve Albanologjike dhe Instituti i Historisë, Ministria e Arsimit dhe e Kulturës, do të ofrojnë kontributin e tyre me ide, sugjerime dhe propozime për kalendarin e aktiviteteve, por edhe me artikujt, referatet, kumtesat, botimet dhe librat e tyre të rinj. Me siguri që do të ketë edhe aktivitete të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare të cilat, me siguri, do të sjellin edhe një valë të re zbulimesh, prurjesh e tezash të reja, për një figurë të një kombi që po kërkon me kaq ngulm, të bëhet pjesë e Bashkimit Europian. Figurë që, veç të tjerash, ka marrë edhe titullin "Atlet i Krishtit" nga Calictus Papa III, pasi përfundoi detyrën e tij për të ruajtur kufijtë e katolicizmit.

Pak kohë më parë, ajo që më ka bërë përshtypje në lidhje me këtë temë, është dokumentimi me shkresa zyrtare i përpjekjes 95-vjeçare të shtetit shqiptar, për të rikthyer në Shqipëri, armët e heroit tonë kombëtar të cilat, siç dihet, ndodhen në Vjenë. Në një shkresë të Arkivit Qendror të Shtetit, që mban datën 31 të vjeshtës së II-të të vjetit 1922, "Direktori i Muzeumit Shqiptar" i shkruan ministrisë sonë të Jashtme, sa më poshtë:

"Na informojnë se sot një mot e ca (1921), kur z. Pekmezi (Ambasadori ynë në Vjenë), pat qenë këtu në Tiranë, kishte thënë se, Ministria e Arsimit e Austrisë, kishte për t’i falur shtetit shqiptar, ditën që Shqipëria të themelonte një Muzeum, me kënaqësi të madhe-dy sende që ndodhen në Muzeun e saj- Kaskën (përkrenaren) dhe Shpatën e të Madhit tonë, Heroit Gjergj Kastriotit.

Për të marrë vesh sa mund të jetë e vërtetë kjo thënie, lutemi kësaj ministrie të informohet me anë të z. Pekmezi dhe në qoftë një punë e mundur- kjo kish për të qenë një nga më të mëdhatë sende që mund ti falet popullit shqiptar dhe mirënjohja do të ishte e paharruar në historinë e vet,- kundrejt shtetit Austriak"

Në këtë kohë, kryeministër i Shqipërisë ka qenë Xhaferr Ypi, por kjo korrespondencë ka vazhduar për dekada e dekada të tëra, nga pothuajse të gjitha qeveritë e tjera të Shqipërisë, nga Ahmet Zogu, e deri tek Enver Hoxha. Për të përfunduar tek rikthimi i përkohshëm dhe ekspozimi i këtyre armëve në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, në nëntorin e vitit 2012, në ditët e kremtimeve të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Një operacion ky që na kushtoi dhjetëra mijëra euro, ndërkohë që armët janë rikthyer sërish edhe nga erdhën, në muzetë e Vjenës.

Interesant është një detaj i përpjekjeve të zyrtarëve të shtetit shqiptar, për t’i rikthyer këto armë, që gjendet në një dokument arkivor të Konsullatës shqiptare në Austri, e që mban datën 20 tetor 1924, e cila i drejtohet z. Sulejman Delvina, në atë kohë, ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Nëpërmjet saj, ai informohet se "para pak kohësh, u paraqit për vizitë urimi në zyrën tonë, Hubert Hassler, ku ndër të tjera foli edhe për hapat e bërë për nxjerrjen e helmetës dhe dy shpatave të Skënderbeut nga muzeu". Ai kishte paraqitur si mendim se, për ta realizuar këtë (si falje nderi):

 

  1. Një çmim në aq pare ari, sa peshon edhe helmeta e Skënderbeut. Duke qenë se helmeta peshon 2-3 kilogramë, ky çmim është 6 000 deri në 10 000 franga ari.

 

2.- Një koncesion për eksportimin e duhanit jashtë Shqipërisë, apo ndonjë koncesion tjetër, -kështu që të ngjallen përsëri marrëdhëniet tregtare               ndërmjet Austrisë dhe Shqipërisë", etj.

 

Nisur nga ky kalvar kaq i gjatë, gati-gati sa edhe vetë mosha e shtetit shqiptar, një nga propozimet që mund t’i bëhen Komisionit të Posaçëm që pritet të ngrihet për organizimin dhe promovimin e Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut, mund të jetë pikërisht edhe riaktivizimi i të gjitha përpjekjeve shtetërore, qeveritare, diplomatike dhe të çdo natyre tjetër zyrtare dhe formale, për rikthimin, njëherë e përgjithmonë, të shpatave dhe përkrenareve të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë. Jo vetëm për shkak se na takojnë dhe do të ishte kontribut i jashtëzakonshëm për riatdhesimin e objekteve të trashëgimisë sonë historike dhe kombëtare, por edhe në respekt të përpjekjeve të të gjithë brezave të cilët kanë kërkuar, që ato objekte të riatdhesohen. Sigurisht, nuk është punë e lehtë, sepse debatet për rikthimin e objekteve të trashëgimisë së kulturës janë, historikisht, ndër debatet më të mëdha mes shteteve të ndryshme dhe negociatat për to, ndër më të vështirat. Por nëse punohet që sot për këtë, ndoshta pas 5 vjetësh, në 110-vjetorin e festimeve për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, simbolet e heroit tonë, mund të jenë rikthyer, më në fund, pas 555 vjetësh nga vdekja e tij, aty ku edhe i takojnë, në tokën për të cilën ai luftoi aq shumë, jo vetëm për shqiptarët, por edhe për vlerat e Europës së djeshme dhe të sotme.

 

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: