PIKETAT E GARËS PËR DURRËSIN DHE STRATEGJIA E BASHËS PËR RIKTHIM NË PUSHTET- OPINION NGA EDUARD ZALOSHNJA

PIKETAT E GARËS PËR DURRËSIN DHE STRATEGJIA E BASHËS PËR RIKTHIM NË PUSHTET- OPINION NGA EDUARD ZALOSHNJA
Nga Eduard Zaloshnja

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Kur garoi për herë të parë, për postin e kryebashkiakut të Durrësit (në vitin 2007), Vangjush Dako arriti të fitojë me një epërsi fare të vogël ndaj rivalit të tij – me vetëm 310 vota. Kjo epërsi, pothuajse, u 12-fishua katër vjet më vonë, dhe në vitin 2015, arriti shifrën 13,700 vota (shihni grafikun shoqërues).

Duke parë këtë progresion numerik të epërsisë së Dakos, të krijohet përshtypja se gara për bashkinë e Durrësit, e cila do të zhvillohet pas dy vjetësh, është praktikisht e paracaktuar.  Por epërsia gjigante me të cilën Dako fitoi garën e fundit, fsheh faktin se ai, përveçse nga PS-ja, u përkrah fuqimisht edhe nga LSI-ja.

Dhe në fakt, në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2017, PS-ja arriti të marrë në territorin e zgjeruar të bashkisë së Durrësit, vetëm 48% të votave. Gjë që tregon se një aleancë e LSI-së me PD-në, para zgjedhjeve lokale, do ta bënte garën për Durrësin shumë të fortë dhe të paparashikueshme. Kjo sepse, në qoftë se këto dy parti përkrahin një kandidat të përbashkët i cili do të ishte në gjendje të thithte votat e zgjedhësve që votuan për të gjitha partitë jo në aleancë me PS-në, ai mund ta tejkalonte shifrën magjike 50%.

Sidoqoftë, një skenar i tillë mund të duket i lehtë në letër, por jo dhe aq i lehtë në praktikë.

Së pari, mbetet të shihet se çfarë strategjie opozitare do të zgjedhë Lulzim Basha. A do t’i mbetet ai besnik strategjisë që ndoqi gjatë zgjedhjeve të qershorit 2017, gjatë të cilave e sulmoi LSI-në me synimin që ta tkurrte atë? Një strategji e tillë është afatgjatë, sepse LSI-ja nuk ka gjasa të tkurret në mënyrë domethënëse brenda pak vjetësh. Dhe për sa kohë ajo mbetet faktor i rëndësishëm elektoral, Lulëzim Basha duhet të ketë stomak të fortë, për të përballuar kritikat e të tijve rreth mbetjes afatgjatë në opozitë.

Nga ana tjetër, Basha mund të ndjekë një strategji afatshkurtër për rikthimin në pushtet të partisë së tij – aleancën me LSI-në. Në fund të fundit, PS-ja dhe katër deputetët e atashuar rreth saj (Tom Doshi, Reme Lala, Aqif Rakipi e Bujar Muça), morën vetëm 51% të votave në zgjedhjet e qershorit 2017. Me pak fjalë, një aleancë me LSI-në mund t’i japë shpresë PD-së, si për zgjedhjet e ardhshme bashkiake, edhe për ato parlamentare. Por një aleancë e tillë do të ndikonte tek moskthimi i 250 mijë votuesve të djathtë tek PD-ja (nga 2009 deri më sot, partitë e djathta kanë pësuar një firo prej 250 mijë votash).

Kuptohet që në qoftë se Basha zgjedh strategjinë afatgjatë të mënjanimit të LSI-së, çdo kandidat i PD-së në Durrës, do ta ketë të vështirë ta mundë Dakon pa ndihmën e deputetit të fuqishëm LSI-st, Lefter Koka. Ndërsa në qoftë se LSI-ja dhe PD-ja bëjnë një aleancë kombëtare opozitare, gjërat ndryshojnë…

Për zgjedhjet e shkuara lokale, Agron Duka ishte përgatitur të garonte si kandidat i PD-së (bazuar në premtimin që ai pretendonte se ia kishte bërë Basha). Një sondazh që zhvillova atëherë, tregonte se Duka kishte vetëm 3 pikë diferencë me Dakon. Por Basha vendosi të kandidonte Grida Dumën në Durrës, dhe ajo mori 14 pikë përqindje më pak se Dako.

Por a do të jetë gati Duka të garojë kësaj radhe për PD-në bashkinë e Durrësit, kur sapo ka dalë i humbur nga lista e deputetëve të PD-së në zgjedhjet parlamentare?

Në qoftë se ai vendos të garojë, do të jetë padyshim një kandidat i fortë, për faktin se do të ketë edhe përkrahjen e kunatit të tij, deputetit Lefter Koka. Por nga ana tjetër, qenia e tyre së bashku në garë, ka edhe minuset e veta. Të djathtëve të Durrësit mund t’u rikujtojë kohën kur kjo dyshe ishte shumë e pushtetshme në Durrës, si përfaqësuese e PS-së. Dhe mbetet të shihet, nëse të djathtët do të jenë të gatshëm ta kapërdijnë këtë fakt.

Në qoftë se Duka nuk pranon të garojë dhe Basha bën aleancë parazgjedhore me LSI-në, do të jetë praktikisht e vështirë të gjendet një kandidat që do ta ketë përkrahjen e të dyja partive lokale në Durrës. Por teorikisht, ai kandidat do ta ketë një shans për garë të fortë – në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2017, PS-ja arriti të marrë në territorin e zgjeruar të bashkisë së Durrësit, vetëm 48% të votave.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: