Porta i takon Berishës, Xhaka pret ftesën, Shqipëria e Panucci-t ndryshon pas tetorit

Porta i takon Berishës, Xhaka pret ftesën, Shqipëria e Panucci-t ndryshon pas tetorit
Etrit Berisha do të jetë portieri titullar në dy ndeshjet e shtatorit. Mbrojtja me Hysaj, Mavraj, Ajeti, Agolli, Kukeli e Gjimshiti është gati e zgjidhur. Dilemat janë në mesfushë, me Armando Sadiku sërish në sulm

Aranit Muraçi

Pritet me interes lista që trajneri i ri i kombëtares, Christian Panucci, do të publikojë para dy ndeshjeve zyrtare të kualifikueseve të Kupës së Botës, Rusi 2018, ndaj Lihtenshejnit dhe Maqedonisë. Kjo për faktin se do të jetë lista e tij e parë, çka ka vënë disa nga kuqezinjtë në ankth. Panucci mësohet se e ka përpiluar listën me pak ndryshime e disa dilema krahasuar me atë të paraardhësit e tij Gianni De Biasi. Lista do të publikohet në ditët e para të javës, ndërsa më 28 gusht nis grumbullimi kuqezi nën drejtimin e trajnerit të ri.

Trajneri i ri ndryshimet e para thelbësore mësohet se do t’i nisë pas katër ndeshjeve të mbetura ku përfshihen edhe dy të tetorit, ndaj Spanjës e Italisë. Por lënia jashtë e dy-tre emrave apo lënia në stol në ndeshjet e ardhshme do të jenë sinjalet e para të ndryshimeve të Panucci, para se të nisë me ndërtimin e ekipit për kualifikueset e Euro 2020.

Prapavija

Etrit Berisha dhe Thomas Strakosha kanë fituar me kohë besimin e ekipeve të tyre dhe e kanë nisur në formacionin bazë sezonin e ri në Seria A. Dy portierët kuqezi janë aktivizuar që nga minuta e parë, në ndeshjet e respektive të ditës së djeshme, Atalanta-Roma 0-1 dhe Lazio-Spal 0-0. Berisha nuk pati faj në pësimin e golit, që i dha fitores Romës, duke bërë një paraqitje pozitive ashtu si edhe Strakosha. Por pavarësisht paraqitjes së tyre këtë javë, nuk ka dilema për trajnerin Panucci se cili prej tyre do të jetë titullar në portën kuqezi. Ata do grumbullohen në ndeshjen debutuese të trajnerit Panucci ndaj Lihktenshejnit, më 2 shtator, e vlefshme për kualifikuese e Kupës së Botës Rusi 2018. Panucci do t’i besojë eksperiencës së Berishës, i cili mbron portën kuqezi prej dy vitesh. Stafi kuqezi tha se formacioni bazë është ekskluzivitet i trajnerit, por konfirmoi për “Albanian Free Press” se nuk ka arsye që Panucci të bëj ndonjë ndryshim në portë, teksa vendos eksperienca që ka Berisha si në Seria A me Lazio e Atalanta, ashtu edhe në kombëtare. Mërgim Mavraj mungoi në fitoren 1-0 të Hamburg në ndeshjen e parë të Bundesligës gjermane, por ai së bashku me Ansi Agollin (që po dallohet me Qarabag edhe në Europë) do të mbeten pjesë të mbrojtjes kuqezi. Përveç dy portierëve, edhe Arlind Ajeti ishte pjesë e ekipit të ri të Crotone në Seria A, ndaj Milan, 0-3, por e ndoqi ndeshjen për 90 minuta nga stoli. Mavraj, Hysaj, Agolli Kukeli e Ajeti do të jenë baza e prapavijës kuqezi për trajnerin e ri Christian Panucci. Berat Djimsiti, pas Avellinos, u huazua nga Atalanta te Benevento, por në përballjen e djeshme që e humbi ndaj Sampdorias 2-1, mbrojtësi kuqezi nuk luajti titullar. Frederik Veseli vetëm një vit te Empoli që tani cilësohet veteran, ndërsa eksperienca e tij do të jetë pjesë edhe e kombëtares, pasi Panucci, si një italian ashtu si paraardhësi i tij nuk do të nënvlerësojë asnjë lojtar shqiptar që aktivizohet në ekipe elitare të vendit të tij. Mbrojtësi Kukeli, titullar me Sion në përballjen e djeshme do të mbetet pjesë e kuqezinjve. Si një ish-mbrojtës i shquar me ekipe të mëdha, Panucci, e konsideron këtë repart si më pak të vështirën për ta rindërtuar.

Mesfusha&sulmi

Amir Abrashi e ka nisur në stol sezonin e ri në Bundesligë. Frajburg barazoi pa gola me Eintrakt Frankufurt, ndërsa Abrashi nuk luajti asnjë minutë. Emir Lenjani, ashtu si Kukeli, u aktivizua titullar në barazimin e djeshëm 1-1 nga ish-ndihmësi kuqezi, Tramezzani, përballë St Gallen. Ledian Memushaj pret brenda javës të zyrtarizohet te skuadra debutuese e Seria A, Benevento, teksa edhe ai do të mbetet në planet e trajneri të ri, të paktën në katër ndeshjet e mbetura. Mesfushori i Colorado Rapids në SHBA, Shkëlzen Gashi la pas një dëmtim dhe është kthyer këtë javë, por a do të kthehet ai në kombëtare. Gashi thotë se eksperienca e tij mund t’i japë shumë skuadrës së SHBA-së në sezonin e ri, por për në kombëtare ai do të ketë rikthimin më të vështirë se Taulant Xhaka, për distancën e largët. Mesfushori i Basel, Xhaka, mungoi dje ndaj Luganos, pasi ishte i sëmurë me grip. Ai pritet të rikthehet në kombëtare, pasi mesfushës kuqezi vlerësohet se i nevojitet grinta  e tij. E ndërsa ka dilema për mesfushorin e PAOK, Ergys Kaçe, për faktin se ai as nuk po luan rregullisht dhe as nuk ka gjetur një skuadër të re (PAOK nuk e ka aktivizuar në ndeshjet e Europa League, por vetëm në kampionatin grek, me qëllim për ta shitur).  Odise Roshi me Akhmat Grozny do të mbetet anëtar i mesfushës.

Armando Sadiku (Legia Varshavë), Sokol Cikalleshi (İstanbul Başakşehir), Bekim Balaj (Terek Grozny), pavarësisht ecurisë në këtë fillim sezoni konsiderohet tre sulmuesit më në formë për momentin dhe Panucci duhet të zgjedhë mes sulmuesit që do të luajë titullar. Sadiku për formën e tij më të fundit mbetet zgjedhja e parë.

Dilema

Ka pikëpyetje edhe për të ardhmen kuqezi të Migjen Bashës (Bari), Naser Aliji (Kaiserslauten), për faktin se luajnë në një ligë të dytë edhe pse janë liga të rëndësishme por nuk shihen as si lojtarë të formacionin bazë. Apo edhe për Azdren Llullaku (i huazuar nga Astana te Tobol), nuk ka pasur vijueshmëri në kombëtare, apo për të ardhmen e Lila e Hyka. Jahmir Hyka, ashtu si edhe Shkëlzen Gashi për faktin se luan në SHBA rrezikon të mos përfshihet në ndeshjet e shtatorit.

E ardhmja

Disa lojtarë janë parë me interes nga Panucci  për të vazhduar apo për të debutuar me kuqezinjtë.  Eros Grezda (Osijek), Liridon Latifi (nga Skënderbeu do të largohet drejt Hungarisë), Rubin Hebaj (Domzale), Kejdi Bare (Atletico Madrid), por po ashtu emri më i ri pritet të jetë ai i Hajduk Splitit, Hysen Qafolla. Mbrojtësi me tipare mesfushori është titullar i padiskutueshëm i ekipit kroat, ndërsa e  ka nisur karrierën në Itali, ndaj edhe ai konsiderohet si një ndër debutuesit. Gjithashtu edhe Rey Manaj e Ylber Ramadani (ish-trajneri i Partizanit Stromani e mori në Danimarkë dhe ai po shkëlqen me Vejle që kryeson pas 4 ndeshjeve të para, 3 fitore e një barazim), e disa lojtarë të tjerë të dalluar në radhët e U-21, pritet të jenë pjesë e projektit të tij më afatgjatë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: