Qamile Paja: Orën me figurën e Enver Hoxhës e mbaj se ai diti të bëjë shtet

Qamile Paja: Orën me figurën e Enver  Hoxhës e mbaj se ai diti të bëjë shtet
 

 

INTERVISTË/ Flet bashkëshortja e aktorit të njohur Luftar Paja dhe e ëma e aktorit të ri, Gazmend Paja: “Gazi kur konkurroi për aktrim, komisioni nuk e dinte kë kishte baba”

 

 

 

Intervistoi për “Albanian

Free Press”: Albert Z. ZHOLI

 

Me Qamile Pajën jam njohur në Athinë. Ajo mbetet një nga gratë më atdhetare, e cila nuk mungonte kurrë në aktivitetet me karakter kombëtar që zhvillonte shoqata “Vëllazërimi” atje. E qeshur, por dhe e vrullshme, atë e gjeje ndër organizatoret më të flakta të aktiviteteve me rastin e festave të 28-29 nëntorit. Por nuk më harrohet kurrë as figura e saj kur ishte në ballë të demonstratës në mbështetje të luftës së popullit kosovar për të fituar lirinë, teksa në atë kohë, populli grek ishte dezinformuar për të vërtetën... Ndërsa në këtë bisedë për “Albanian Free Press” ajo rrëfen detaje nga jeta me bashkëshortin e saj, aktorin e njohur, Luftar Paja’ por edhe me djalin e saj, Gazmenin, gjithashtu një aktor i njohur i skenës së humorit shqiptar ...

Nga tre fëmijët tuaj, dy janë në Greqi. A e ndjen mungesën e tyre? A do dëshiroje që edhe ata të jenë në Shqipëri, si Gazi?

Unë do të doja të ishin në Shqipëri, të ishim të gjithë bashkë. Por jam më e lumtur kur fëmijët janë po aq të lumtur aty ku punojnë dhe jetojnë. Aty në Greqi, dy fëmijët e mi janë të sistemuar, të punësuar dhe të rregulluar. Madje dhe nipërit dhe mbesat, tashmë janë integruar në shoqërinë greke, janë shkolluar aty dhe kanë miqësinë e tyre. Fëmijët nuk mund ta ndryshojnë për së dyti mënyrën e jetesës. Pavarësisht se vajza Nikoleta, mbaroi për oficere dhe Sokoli për muzikë, tashmë ata kanë marrë profesione të tjerë në jetë dhe janë rregulluar sipas kërkesave të kohës, së bashku me familjen dhe fëmijët.

Përse Gazi u kthye në Shqipëri, kur hapat e para të aktrimit dhe shkollimin e bëri në Greqi?

Gazi ka një histori ndryshe. Ai filloi shkollën në Greqi për aktrim. Kur mbaroi Akademinë aty, profesorja e tij i tha që patjetër duhet të shkosh në Shqipëri të vazhdosh dhe aty Akademinë e Arteve pasi ju keni një shkollë të mirë aktrimi me metodën e Stanislavskit. Keni shkollën e bukur ruse të aktrimit. Madje mbasi të mbarosh aty, dua të të shoh që masterin ta mbarosh në Angli. Vetëm kështu do jesh i kompletuar dhe do ecësh në jetë. Dhe e di se çfarë ndodhi pas disa vitesh? Një ditë kur Gazi ishte për masterin në Angli, në Londër në një bibliotekë, pa profesoren greke që po bisedonte me bashkëshortin. I pa që bisedonin greqisht, u afrua dhe u foli. Profesorja shtangu: - Po ti këtu? “Po zbatoj detyrat e tua profesore,” i tha Gazi. “Të lumtë, të thashë dua të të shoh në Angli dhe këtu të takova. Urime pa fund”, ia ktheu ajo.

Luftari, a ka ndikuar tek Gazi për aktrimin?

Gazi ka luajtur me Luftarin që 6 vjeç në Fier, por kur shkoi në Greqi, u integrua në jetën greke. Mund të them se harroi disa fjalë të bukura shqipe që nga mospërdorimi i kishte harruar. Kur erdhi nga shkolla greke dhe po flisnin për rrugën e tij në Shqipëri, kur bisedonin dhe Luftari e provokonte me pyetje dhe fjalë të ndryshme, Gazi për disa sekonda nuk gjente fjalën e duhur dhe kërciste gishtat. Luftari mendohej dhe më thoshte: “Sesi do të ecë ky kështu, kur ka harruar shumë fjalë”. Do të them edhe një gjë tjetër. Kur Gazi shkoi për konkurrim në Akademinë e Arteve, Luftari nuk kapi asnjë mik dhe nuk u interesua tek askush. Komisioni nuk e dinte fare që ai ishte djali i Luftarit, pra çdo gjë e bëri vetë, me mendjen dhe aftësitë e tij.  Madje, ndoshta nuk e dini se Gazi në konkurs doli i pari dhe më i miri në të gjitha drejtimet. Kur mbaroi Akademinë shkëlqyeshëm në vitin 2005 dhe mori vlerësimin maksimal, vetëm ahere Luftari doli tek komisioni dhe e puthi në ballë. Hera e parë që e ka puthur. Shumica që nuk e njihnin lidhjen e tyre, u habitën. Sot Gazi për mua është i realizuar si aktor e këtë e dëgjoj nga profesionistë dhe nga ish-profesorët e tij.

Kush nga nipërit dhe mbesat tuaja ecën në gjurmët e Luftarit dhe Gazit?

Është djali i Sokolit, Also, i cili po vazhdon shkollën e aktrimit në Greqi. Profesorët e tij flasin fjalët më të mira. Sokoli që ka folur dhe e ndjek ka thënë se premton. Pra, ky profesion do të trashëgohet në breza tek fisi i Pajave dhe kjo më gëzon shumë. Kur Alsua u kishte thënë profesorëve të tij që kam gjyshin dhe xhaxhanë aktor, ata ishin mrekulluar. Alsua ka pantonimën të zhvilluar, tek pantonima ai ka talent të spikatur, pasi ka qenë dhe balerin.

Po fëmijët e Nikoletës janë të lidhur me artin?

Jo, ata janë lidhur me ekonominë, biznesin, në ato degë edhe studiojnë, menaxhim-biznes. Pra, janë natyra të ndryshme.

Në dorë ke orën me figurën e Enver Hoxhës, ç’do të thotë?

Do të thotë se ruaj respekt për këtë figurë, që krijoi shtet, ku nuk njihej korrupsioni, nuk njihej droga, nuk njihej shitblerja e armëve, nuk njihej mitmarrja, nuk njihej hasmëria dhe vëllavrasja. Ja pse e mbaj. Na rriti prestigjin në botë.

Pse keni zgjedhur Orikumin për pushime?

Kjo ka qenë dëshira jonë e përbashkët. Këtu gjejmë qetësi, kemi shoqëri, kemi gjetur atë çka kërkon për pushime të këndshme. Orikumi ka një histori të madhe mijëra-vjeçare por po këtu është dhe Pashalimani me nam që ende na duket e pabesueshme për atë kohë kur ishte një bazë e fuqishme detare.

Kë do më shumë nga fëmijët?

Nuk dalloj asnjë dhe pse ndonjë më thotë që ndonjëherë bëj në dallim të vogël. Jo, jo të tërë i kam engjëj që na kanë nderuar. Krenohemi me ta.

VLERËSIMI

 

“Jeta me Luftarin? Estradë!”

“Jeta me Luftarin? Estradë! Grindemi, qeshim, zihemi, këndojmë, lexojmë, diskutojmë, debatojmë pa fund deri në kokëfortësi të njëanshme, por gjithnjë në emër të një gjëje, të gjejmë lumturinë e fëmijëve”.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: