Qeveri që ikin, qeveri që vijnë. Cilat ministri ndërrohen e cilat rrinë ...

Qeveri që ikin, qeveri që vijnë. Cilat ministri ndërrohen e  cilat rrinë ...
Eglantina Nasi

Ekonomia, Financat, Mbrojtja, Rendi, Kultura, Drejtësia, Transportet, Arsimi, Shëndetësia ... Emrat e këtyre sektorëve kyçë të jetës shqiptare janë gjithmonë një portofol i sigurt ministror në çdo qeveri shqiptare, qoftë kjo e majtë apo e djathtë. Por ajo çka ndryshon nga njëra tek tjetra është pikërisht ndërthurja që kryeministrat përpiqet të bëjnë mes sektorëve, bazuar tek ngjashmëria e tyre, si edhe gjetja e risive lidhur me konceptimin e disa ministrive të veçanta. Ku konceptimi i këtyre të fundit, në më të shumtën e herës, ka qenë më tepër rrjedhojë e zhvillimeve të caktuara të kohës. Mjafton të kujtojmë për shembull faktin se ministria e Integrimit Euroatlantik si e tillë, u ravijëzua si portofol i posaçëm qeveritar për herë të parë në qeverinë “Nano IV” të viteve 2002-2003, drejtuar nga ish-zëvendës/kryeministrja Ermelinda Meksi, teksa vendi ynë sapo kishte nisur zyrtarisht rrugëtimin e procesit të integrimit drejt Bashkimit Evropian. Për të qenë më pas, një portofol i rëndësishëm dhe i pandarë në të gjitha qeveritë, siç edhe parashikohet të jetë sërish në kabinetin “Rama II”, 2017-2021. Ku për këtë të fundit, lajmet paraprake të deritanishme aludojnë se ajo mund të ketë edhe disa risi brenda saj në ngritjen e disa ministrive të tilla si ajo e “Gruas dhe Rinisë”, apo atë të “Thesarit”. Që të dyja, të paaplikuara ndonjëherë si portofole të posaçme dhe që mbetet të shihet gjatë ditëve në vijim sesi do jenë konceptuar sa u përket funksioneve konkrete të tyre. Teksa vetë “Rinia” si sektor ka qenë në fakt disa herë e infiltruar në emërtimin e ministrive të disa qeverive, për shembull në ato “Berisha”, krahas Turizmit, Kulturës dhe Sporteve; kurse qeveria “Rama” atë e kombinoi përkrah Mirëqenies Sociale. Kurse për “Thesarin” ende nuk ka një ide të qartë, sesi do të funksionojë ai si dikaster, i përjashtuar nga Financat apo Ekonomia. Interesant gjithashtu është edhe projekti i përfolur për qeverinë e re të së majtës për krijimin e një ministrie, (ndoshta pa portofol) për Rajonin. Ku për këtë të fundit, mesa duket po ndikojnë situatat e reja të krijuara të zhvillimeve rajonale, ndër të cilat Shqipëria është detyrimisht e përfshirë e si e tillë, nuk mundet të mos u japë një peshë të caktuar, qoftë edhe kjo qeveritare.

Nga ana tjetër, ajo që bie në sy në planet e qeverisë së dytë të të majtëve, pas 2013-ës, është edhe plani për një reduktim të ministrive, duke pretenduar kështu si pasojë e kësaj edhe pakësimin e shpenzimeve për secilën, për t’i dhënë një frymëmarrje të re buxhetit të shtetit. Nëse do të bënim një krahasim, qeveria “Rama I” ka patur plot 21 ministri, nga të cilat vetëm njëra pa portofol. Teksa tani po përflitet se ajo e reja do të vërtitet në shifrën e vetëm 14 apo maksimumi 15 ministrive. Ndërkaq, referuar krahasimit të dy qeverive të mëparshme të së djathtës, ajo që bie në sy është fakti se në mandatin e tij të dytë gjatë viteve 2009-2013, ish-kryeministri Sali Berisha nuk e pakësoi numrin e ministrive, duke mbajtur 16 të tilla, një numër ky jo i ekzagjeruar për një kabinet qeveritar. Porse ai ndryshoi vetëm konceptimin e disa prej dikastereve, të tilla si lënien e Bujqësisë vetëm, pa termat “Ushqim dhe Mbrojtje e Konsumatorit”; apo Mjedisi, pa patur pas termat “Pyje” dhe “Administrimi i Ujërave”; teksa “Punëve Publike” u ngjiti nga pas termat “Transport” dhe “Telekomunikacion”.  Ndërkaq, nëse do t’i riktheheshim sërish konceptimit të aluduar deri tani mbi kabinetin e dytë qeverisës “Rama II”, 2017-2021, bie në sy fakti sesi po projektohet një ministri e përbashkët për “Bujqësinë dhe Mjedisin”, si edhe një e tillë për “Zhvillimin Urban dhe Pushtetin Vendor”. Ku kjo e fundit, duket se është formësuar pikërisht falë prioritetit që qeveria “Rama” si e tillë i ka dhënë aspektit të menaxhimit të territorit të vendit, por edhe zhvillimit urban në tërësinë e tij.

 NDRYSHIMI

 Vetëm zëvendës-kryeministra, por jo ministra me një dikaster

Në mjaft prej qeverive shqiptare, posti i zëvendës-kryeministrit ka qenë thjesht i tillë, pra numri dy i kabinetit. Ndërsa në disa raste të tjera, përveç kësaj, atij i është ngarkuar edhe drejtimi i një ministrie të caktuar. Nuk dihet në fakt se çfarë modeli do të aplikojë lidhur me këtë qeveria “Rama 2”, teksa qeveria “Rama 1” zëvendës-kryeministrin Niko Peleshi e kishte vetëm si ushtrues të këtij posti, pa i atribuuar edhe ndonjë ministri pas. Ndryshe nga ish-kryeministri Sali Berisha, i cili në mandatin e tij të dytë 2009-2013, zëvendësit të tij Ilir Meta, i ngarkoi edhe drejtimin e ministrisë së Punëve të Jashtme.

DALLIMI

Vetëm “ministra Shteti”, por pa një portofol të caktuar

Termi “ministër Shteti” ka qenë i pranishëm në të gjitha kabinetet e qeverisjeve të fundit, qofshin këto të majta apo të djathta. I ngarkuar për një sektor të caktuar, ai sinjifikon në fakt mbulimin e tij, por pa i dhënë një portofol të posaçëm ministror. Ajo që ndryshon në fakt, nga njëra qeveri në tjetrën rreth tyre, është vetëm numri që ata zënë në përbërjen qeveritare. Sikundër ka patur edhe qeveri që nuk i kanë përfshirë fare, si për shembull ajo “Berisha I”, ku nuk ka patur asnjë të tillë. Ndërsa në mandatin e tyre, “Berisha II”, ish-kryeministri Sali Berisha emëroi si Ministër Shteti, Genc Pollon.

PREMTIMI

Ministria e Emigracionit, ajo që s’u krijua kurrë

Ministria e Emigracionit ka qenë një ndër të munguarat në Shqipëri, edhe pse në botë jetojnë me miliona emigrantë shqiptarë dhe problematikat e tyre kanë qenë mjaft të shumta në të gjitha këto vite të gjata tranzicioni. Edhe pse ajo është premtuar prej shumë qeverive, qofshin këto të majta apo të djathta, asnjëherë nuk e “pa dritën” e formimit të saj.

RETROSPEKTIVË

 Ish-kryeministri socialist, Fatos Nano ka qenë në krye të disa qeverive shqiptare pas viteve ’90. Përkatësisht në periudhat kohore të viteve 1991-1991; 1991-1992; 1997-1998; 2002-2003 dhe 2003-2005; ai mund të cilësohet si njeriu që ka drejtuar më shumë kabinete qeveritare gjatë periudhës së tranzicionit shqiptar. Pasuar nga ish-kryeministri Aleksandër Meksi, i cili ka qenë në krye të disa qeverive demokrate, ku ajo më e fundit ishte deri në mars të vitit 1997, që u pasua nga Qeveria e Pajtimit Kombëtar, e drejtuar nga Bashkim Fino.

Ndërsa ish-kryeministrat e tjerë shqiptarë të pas viteve ’90 kanë drejtuar secili nga dy kabinete qeveritare secili. Kështu, Ilir Meta, në periudhat kohore të viteve 1999-2001 dhe 2001-2002; pas tij Pandeli Majko në periudhat 1998-1999 dhe 2002-2002; pasuar nga Sali Berisha me qeverisjet e tij të plota 4-vjeçare demokrate secila në periudhat kohore të viteve 2005-2009 dhe 2009-2013. Për të arritur te kryeministri aktual i vendit, socialisti Edi Rama, i cili pas mandatit të tij të parë në vitet 2013-2017, tani pritet që ta drejtojë Shqipërinë edhe për mandatin e radhës, gjatë viteve 2017-2021...

Që të gjithë, nga njëri kabinet në tjetrin, janë munduar të realizojnë ndryshime të emërtimeve dhe konceptimit të ministrive, në përpjekje të rinovimit të tyre dhe përqafimit të së resë si e tillë. Kështu, nëse në qeverinë “Nano I” të vitit 1991 gjenim emërtesa të tilla të mbetura nga komunizmi si “Mbrojtja Popullore”, në qeveritë e ardhshme ato u zhdukën. Apo “Industria e Lehtë dhe Ushqimore”, “Lidhjet Ekonomike me Jashtë” etj. Duke ua lënë vendin termave më modernë që kishin lidhje me kapitalizmin dhe vetë demokracinë, të tilla si “Privatizimi”, “Financat”, “Turizmi”, “Integrimi” etj.

Sikundër, në rrjedhën e viteve të tranzicionit kanë ekzistuar edhe ministri vetëm të përkohshme në kohë, qoftë edhe për një mandat të vetë,, të cilat kishin lidhje pikërisht me një problem të caktuar që po përjetonte vendi atëherë, e tillë si “ministria për Reformën Legjislative” gjatë qeverisë “Nano III” deri në vitin 1997. Për të arritur në një sofistikim, nëse do të mund ta quajmë të tillë, të përbërjeve të kabineteve qeveritare dhe termave që u jepen tashmë ministrive, referuar dinamikave të reja zhvillimore që po përjeton vendi, të tilla si “Punët Publike” dhe jo më thjesht “Ndërtimi”; apo “Zhvillimi Urban”, “Inovacioni”, “Administrata Publike” etj.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: