QEVERI SI SHOQET- OPINION NGA FRROK ÇUPI

QEVERI SI SHOQET- OPINION NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Më duket se janë ngritur shumë tonet ndaj qeverisë së propozuar nga kryeministri. Nuk është një qeveri jashtë standardi dhe e jashtëzakonshme. “Rama 2” është një qeveri si shoqet. Madje, më duket se vetë kryeministri qenka kujdesur për të ruajtur kallëpin, si në lojërat e fëmijëve në rërë. Fakti më i thjeshtë, por edhe dëshmues, është ky: Vetëm një ministër nga qeveria që ishte, ka mbetur jashtë qeverisë së dytë, zonja Kodheli; të tjerët, aty ku ishin.

Klisheja e qeverisë “Rama 2” nuk është kaq e thjeshtë. Ajo është produkt i kohës, në të gjitha planet:

Plani i parë

“Rama 2” është njësoj si një shoqe tjetër, krijuar kohët e fundit, kudo rreth nesh. Madje, njësoj edhe si qeveria e Macon-it në Francë... Në ç’kuptim? Në kuptimin që, edhe presidenti Macron mori një fitore të bujshme, por menjëherë nisi të shënojë rënie në popullaritetin e saj. Dje, sipas sondazheve, qeveria e bujshme e Francës, ka rënë deri në 40 për qind të popullaritetit. Pak nga pak, (mos qofshim Casandra, - thonë disa analistë), qeveria e Macron-it po shkon drejt shifrave të ulëta të presidentit Holande që ishte më i ulëti në historinë e Francës... Sigurisht, fitorja e PS-së nuk ishte surprizë si Macron-i, por e bujshme ishte. Për herë të parë në historinë e shtetit pluralist, një forcë politike e vetme, arrin të krijojë qeveri... Por, sipas këtij modeli, qeveria “Rama 2”, menjëherë pas krijimit, mund të nisë rënien e padiskutueshme. Të gjitha gjasat duket se do të ndodhë tamam kështu. Në radhë të parë, pse nuk kishte program. Në radhë të dytë, se nuk plotësoi premtimet e kaluara. Në radhë të tretë, se brenda PS-së nuk ndjehet entuziazëm për fitoren. Ajo është kthyer në domen të vetëm të disa personave... Por ligjësia e qeverive të krijuara këto dy vitet e fundit, është e tillë që nuk ka qëndrueshmëri, aq më pak ngritje. Qeveria e Spanjës, edhe pse ka rreth një vit ku janë bërë zgjedhje, nuk po arrin të krijohet. Franca po bie pak nga pak. Në rajonin tonë, aspekti është më i qartë: Maqedonia krijoi një qeveri të minutës së fundit dhe ndodhet në minutën e fundit të saj. Kosova nuk po arrin ta krijojë. Në Serbi, ish-kryeministri zgjodhi me dorën e vet pasuesen, por as serbët nuk kanë marrë vesh se ka qeveri të re. Në Greqi, qeveria thuajse e ka mbaruar vajin e kandilit, por po qëndron sa për protokoll... Të gjitha këto u ngritën me bujë, por ja ku janë. Dy vitet e fundit regjistrohen si periudha e rënies së vlerave qeverisëse. Shkak janë bërë qeveritë e stilit demagogjik dhe propagandistik të elitave liberale. As qeveria “Rama 2” nuk është ndryshe. Momenti i shpalljes duket se do të jetë edhe momenti kulmor i kësaj qeverie, i ngjashëm me qeveritë në rënie.

Plani i dytë

Në kuptimin brenda familjes, qeveria “Rama2” i ngjan qeverisë socialiste të vitit 2005. Ndërsa në planin nacional të traditës qeverisëse, i ngjan asaj demokratike të vitit 2013.

Herën e parë, në qeverinë “Nano”, kur po iu afroheshim zgjedhjeve parlamentare, fitorja dukej se shkëlqente; po vërtet, sikur shkëlqente. Kryeministri Nano sapo kishte lëshuar thirrjen, “Prapa më vjen historia”. Ndërsa tani, socialisti Rama ka kërkuar nga populli timonin i vetëm. Besimi i të dyve duket në kulm, por edhe rënia nis nga kulmi. Në vitin 2005, - njësoj si sot, - nuk kishte opozitë. PD-ja e Berishës vinte nga një rrënim i madh i vitit 1997 dhe 2001, aq sa nuk besohej se mund të bënte më qeveri. Por atëherë opozita kishte “lëng”, - gjë që nuk u vu re nga politologët. “Rama 2” ka një shans, që opozitën e ka pa shpresë dhe pa “lëng”, por kjo është akoma më keq. Rënia e qeverisë në një greminë opozite, është shumë më e egër, ndoshta edhe më e shpejtë.

Në të dy rastet e para, - si kur ra qeveria “Nano” në 2005, edhe kur ra qeveria “Berisha” në 2013,- opozita përballë ka qenë mjaft e pranishme. E vetmja gjë që këtë qeveri e dallon nga shoqet, është elementi opozitë. Por, ndërkohë, ky element e bën edhe si shoqet, sepse në vendin tonë ende qeveritë nuk kanë rënë për shkak të opozitës; gjithmonë kanë rënë nga vetja. Ekipi “Rama 2” gaboi rëndë që futi duart te opozita dhe e degradoi!

Plani i tretë

Qeveria “Rama 2” është njësoj në ajër si edhe simotrat e saj. Nëse kujtoni që të shtunën në Durrës, u mblodhën kryeministrat e  Ballkanit, si edhe disa nga BB-ja dhe BE-ja, atëherë mund të kuptojmë klimën me simotrat. Qeveritë në rajon, por edhe në BE, punët janë në ajër. As ka projekte, as ka ekonomi të qëndrueshme, as ka autoritet qeverisës. Kryeministrat presin sa dikush t’i bjerë bilbilit për një samit. Po pse? Thuajse kot. Gjithë manovra mediatike e samiteve, bëhet vetëm për të krijuar idenë e lëvizjes. Demagogjia dhe mashtrimi ndaj të qeverisurve, ka bërë shoqe si qeveritë e rajonit edhe të BE-së. Lëvizja në boshllëk është elementi më i përbashkët. Plus kabineti në boshllëk i çdo qeverie. A nuk i shikoni qeveritë, ministrat dhe kryeministrat sa vlejnë? Serbia e krajlëve zgjodhi një grua nga LGBT-ja; Kosova - burrin më të shkurtër dhe të stilit kuadrovik; në BE - të gjithë liderët sterilë, - d.m.th., pa fëmijë. Politologjia perëndimore, prej kohësh, ka dhënë alarmin se po “vdesin burrat e shtetit”...

Edhe për qeverinë tonë mund të themi, si shoqet.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: