QEVERIA DHE FAZA E RE E PS-SË- OPINION NGA PLATOR NESTURI

QEVERIA DHE FAZA E RE E PS-SË- OPINION NGA PLATOR NESTURI
NgA PLATOR NESTURI

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Një qeveri e vogël, - 11 ministri dhe bashkim të shumë institucioneve shtetërore, më qëllim eficiencën dhe shërbimin ndaj qytetarit. Kjo ishte sinteza e prezantimit të qeverisjes së mandatit të dytë të kryeministrit Rama, në Asamblenë e PS. E paraqitur në vija të përgjithshme, sidoqoftë, kreu i mazhorancës nuk ka më surpriza sa i takon programit qeveritar që do të paraqesë në shtator, për votëbesim përpara parlamentit.

Natyrisht që vëmendja kryesore ishte e përqendruar te ministritë dhe titullarët e rinj. Siç ishte përçuar në media, qeverisja do të ishte më e ngushtë. Por edhe këtu surprizat nuk munguan. Për herë të parë, pas më shumë se 18 viteve, nuk do të ketë një ministri të Integrimit që është marrë ekskluzivisht me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe duke luajtur rol rakordues midis ministrive, për përmbushjen e detyrimeve në funksion të integrimit. Kjo ministri që më së shumti ishte dhe tregues i vullnetit të qeverive për integrim në BE, tashmë zëvendësohet më një tjetër profil. Me ministrinë e re të Shqiptarëve jashtë Atdheut që do t’i besohet z. Majko, e që mesa duket nuk do të ketë një trajtim thjesht të mbështetjes patriotike me programe kulturore, por që do të ketë si objekt dhe çështjen e azilantëve shqiptarë në vendet europiane. Ndërkohë, me bashkimin e dikastereve ministrore krijohen dy superministri, - ajo e Financës, Ekonomisë dhe Mirëqenies Sociale, drejtuar nga Arben Ahmetaj, si dhe ministria e Energjetikës dhe e Infrastrukturës, besuar tek Damian Gjiknuri, protagonistë si në reformat e ndërmarra nga qeveria Rama, ashtu dhe në betejat e fundit elektorale.

Surprizat në emrat e ministrave të rinj ishin vetëm në prurjet femërore, ku standardi i ndarjes 50% sipas gjinive, ishte në balancë të plotë, si një qëllim në vetvete. Gjithsesi, ajo çfarë e bën të veçantë nisjen e qeverisjes së re, është ndryshimi i thellë i skemës së institucioneve shtetërore. Bashkimi i disa prej tyre në njësi të vetme, duket se do të përbëjë një sfidë jo pak të rëndësishme. Ajo çfarë binte më në sy, ishte bashkimi i drejtorive të Tatimeve dhe asaj të Doganave, por kësaj skeme nuk i kishin shpëtuar institucione që nga ato të sektorit të bujqësisë e deri ato në shërbim të publikut. Një sfidë e vërtetë kjo, që bëhet në emër të uljes së burokracisë së shërbimit, rritjes së kontrollit dhe efikasitetit, por që mund të mbartë dhe rrezikun e dështimit në sektorë të veçantë

Një tjetër element i parashtruar në Asamble, ishte dhe programi i punës në parlament. Përcaktimi i Gramoz Ruçit si kreu i ri i Kuvendit Popullor, ishte paralajmëruar prej kohësh, ashtu siç përllogaritej se vendin e kreut të grupit parlamentar të PS-së do ta zinte Taulant Balla. Përveç programit ligjvënës dhe të reformave në Kuvend, e veçantë ishte dhe përcaktimi i tetë komisioneve parlamentare, tre prej të cilave do të jenë për opozitën... Njeri prej komisioneve për opozitën do të jetë ai për Integrimin, ndonëse kësaj radhe, nuk do të ketë asnjë ministër të linjës në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Gjithsesi, fjala e kryeministrit Rama, nuk iu referua vetëm mandatit qeverisës. Ndërsa vëmendja ishte drejtuar te ministritë dhe postet e reja, fjala e drejtuar ndaj Asamblesë, në më të shumtën e kohës, ishte e fokusuar te vetë Partia Socialiste. Kreu i saj paralajmëroi një shndërrim të thellë të saj edhe si prerogativë e rrethanave të reja, dhe në skemat e brendshme të organizimit në funksion të qasjes me publikun. Largimi i Gramoz Ruçit drejt kreut të Kuvendit, duket se hap një sipar tjetër në PS. Kur ende nuk dihet se cili do të jetë Sekretari i ri i Përgjithshëm, e sigurt mbetet se shumë gjera do të ndryshohen. Rama do t’i japë fytyrën e tij PS-së së ardhshme, dhe duket se ky do të jetë një fokusim kryesor i tij, gjatë këtij mandati. Ndaj shumë nga njerëzit e tij të besuar që nuk u përfshinë në listën qeveritare, duket se, së shpejti, do t’i shohim në detyrat më të larta të PS-së. Tahiri, Beqaj, apo të tjerë që sot duken të humbur pse nuk iu rifreskuan postet ministrore, do të jenë fytyra e re e PS-së që duket se do të hyjë në një fazë të re.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: