QEVERIA QË NUK ZHGËNJEN ASNJË PRITSHMËRI- OPINION NGA SONILA MEÇO

QEVERIA QË NUK ZHGËNJEN ASNJË PRITSHMËRI- OPINION NGA SONILA MEÇO
Nga SONILA MEÇO

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Shqipëria ka qeverinë e re pas zgjedhjeve të 25 qershorit.

Në një proces të çuditshëm dhe anormal elektoral, kur data e zgjedhjeve u shty mes dyshimeve nëse do të mbaheshin një herë e mirë;

Kur opozita kërcënoi deri në limitet e kohës me mospjesëmarrjen e saj, duke çuar në një krizë të fortë politike, zgjidhur nga një marrëveshje, - paketuar dhe hedhur me nervozizëm nga faktori ndërkombëtar mbi tryezën e liderëve politikë;

Kur për herë të parë në zgjedhje shkohej me një qeveri teknike që do të dëshmonte frikën e opozitës për blerje masive vote nga paratë e hashashit dhe krimit të organizuar;

Kur në studio televizive dhe kryefaqet e shtypit u trajtuan, më pak se çdo herë, programet qeverisëse dhe të njëjtat fytyra justifikonin palët;

Kur partia kryesore bashkëqeverisëse e një mandati, nuk bëri asnjë bilanc katërvjeçar të punës, nuk mbajti asnjë përgjegjësi dhe nuk premtoi thuajse asgjë, duke zëvendësuar programin me terma popullorë të tepsisë dhe timonit;

Kur çështjet që prodhuan reagimin e fortë opozitar me çadrën e lirisë në bulevardin kryesor të qytetit, nuk u artikuluan dot zëlartë në mitingjet gjysmëmbushur të fushatës;

Kur elektorati përjashtohet rregullisht në pjesëmarrje, prej një kodi zgjedhor që penalizon çdo nismë të pavarur nga establishmenti që qendërzon vendimmarrjen në duart e udhëheqësve, duke i bërë të plotfuqishëm dhe ku është zhbërë tërësisht koncepti i përfaqësimit;

Kur publiku nuk ka asnjë ide mbi qeverinë e ardhshme që po voton, as atë të forcës ende në pushtet, as për atë në hije. Kujt po ia lë në duar financat, shëndetësinë, arsimin, mirëqenien?! Atë e di “i madhi”;

Kur në një përmbysje alogjike, kryeministri i dalë nga zgjedhjet dëgjon hallet e popullit pas përfundimit të votimeve dhe jo para tyre. Duke bërë të paditurin për padrejtësitë e së përditshmes të shqiptarit të thjeshtë dhe duke e kërkuar fajin gjithnjë katër vjet më parë, apo një karrige më andej tek ai që ndante tepsinë e pushtetit;

Kur publiku mbahet me muaj në një suspans tipik programesh reality show, nën efektin e propagandës dhe lajmeve të yshtura mbi çfarë do të ndodhë me qeverinë e re, duke sublimuar rolin e njëshit absolut në ndërtimin e kabinetit, strukturës, ndarjeve dhe bashkimeve dikasteriale;

Kur mediat pushojnë së qeni media dhe shndërrohen në servisë me klering për interesat e pushtetit, duke ofruar “programe me gënjeshtra”.

Në sfondin e një situate të vështirë ekonomike, me atë gri dhe të zezë në lulëzim, që komprometojnë çdo parashikim rritjeje ekonomike, me një dështim të diplomacisë shqiptare dhe administratës në thithjen e investimeve të huaja, pranuar nga vetë kreu i qeverisë, nën paralajmërimet franceze dhe holandeze për rivënien e regjimit të vizave prej flukseve të larta azilkërkuese, me vendosjen e Shqipërisë në qendër të hartës së kultivimit të hashashit, vend tranzit i drogave të forta dhe trafikun e qenieve njerëzore (DASH), me 56% të shqiptarëve që duan të largohen nga vendi (Gallup), me renditjen si një ndër vendet me pabarazinë më të shprehur në hendekun mes të pasurve dhe të varfërve (OXFAM) , me mbi 73% të shqiptarëve që mendojnë se ekonomia është përkeqësuar (BERZH), në vendin e koncesioneve ku nuk ka ideologji, por shkartisje politikash neoliberale me klientelizëm, korrupsion, krim dhe vjedhje masive, tashmë, shqiptarët njohin qeverinë e re.

Qeveri të vogël, të riorganizuar me shkrirje e ndarje, me rikonfirmim të emrave të mandatit të statistikave të mësipërme, me largime pa nder, hyrje pa histori.

Në shenjën e një të kaluare totalitare të cilën as nuk e pamë dot në sy, as nuk e dënuam, të një paqeje sociale që mbahet mbi harresën dhe jo kujtesën kolektive…

Në shenjën e një absurdi rikonfirmimesh në poste ministrore, ku p.sh., pranohen haptazi dështimet në punën e trupës diplomatike, por mbahet shefi i saj; apo kur citohen nga vetë kryeministri mallkimet e sipërmarrësve për trajtimin e tyre dhe ministri në fjalë shpërblehet me superministri, por qeverisë i shtohet edhe një tjetër për trajtimin më të mirë të tyre; ku një qeveri e majtë shkrin Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Punës për të krijuar një të vetme për Sipërmarrjen, ku me gjithë dështimet në sektorët strategjikë, konfirmohen të njëjtët drejtues, tashmë shqiptarët e kanë qeverinë e tyre.

Të ndërtuar nga kryeministri që i vetëm hyri në fushatë si lider absolut, mori shumicë domethënëse votash, me 74 vende parlamentare që i sigurojnë të bëjë si të dojë e me kë të dojë në pushtet, i pa shqetësuar nga opozita që në kulmin e nevojës për të, konsumohej në luftëra të brendshme pushteti dhe kruspullohej në një konspiracion ushqyer më shumë nga kundërshtarët brenda saj se ata jashtë, dhe fyhej publikisht nga propaganda e pushtetit me diversione të denja për rubrikën showbiz.

Kjo është panorama e politikës së ditës, në vendin ku demokracia konkurrohet bindshëm në preferencë popullore nga sistemi autoritar I qeverisjes (sondazhi I BERZH, ku 50% e shqiptarëve duan demokracinë dhe 31% sistemin autoritar qeverisës).

Ku ideologjitë përfundojnë në shtratin e gabuar, në duart e gabuara për zbatimin më të mbrapshtë të mundshëm. Një neoliberalizëm që privatizon dhe jep me koncesion çdo pasuri në vendin më të varfër në Europë, në shtetin më pak social, të pabarazisë së frikshme, ku bujku hedh prodhimin se s’ka treg e tregtia bëhet me ambalazhe me germa cirilike.

Ku politika tashmë ushtrohet si vëmendje deri në obsesion ndaj lajmeve të sajuara, batutës së shpejtë, shpërqendrimit prej çfarë realisht përbën interes publik.

Ku kryeministri ka një kanal personal mediatik dhe pronarët e televizioneve pasurohen me para publike.

Ku opozita në numra është domethënëse, me një spektër të gjerë përfaqësimi nga e majta në të djathtë, por që është më e shqetësuar se kurrë të shënjestërojë dhe shkatërrojë vetveten, se sa qeverisjen; ku energjia shpenzohet për të justifikuar zhurmën e flirtimeve me pushtetin, sesa luftën logjike kundra tij.

Ku politika e jashtme bëhet me një palë atlete “adidas”.

Ku me politikë jetohet, me politikë ushqehesh, me politikë ndërton status, me politikë siguron arsimimin e fëmijëve, punën e bashkëshortes/it, me politikë krijon imunitet ndaj çdo përballje me drejtësinë, me politikë blen shtëpinë e dytë, të tretë, shndërrohesh edhe në ikonë mode në instagram.

Ku kjo mënyrë qasjeje ndaj politikës po zëvendëson çdo formë pjesëmarrjeje në të. As organizime për protesta, kauza, pjesëmarrje në votime. Ku mungojnë sindikatat e ku shoqëria civile mund të konsiderohet ministri pa portofol e qeverisë. Kur politika është diçka që dikush e bën për t’u argëtuar dhe jo si angazhim të thellë moral, - ai që nuk e konsideron të tillë nuk gjen më arsye për t’u përfshirë në të.

Ku treni drejt integrimit Europian ka marrë një tjetër drejtim, për shkak të mbylljes së stacionit kryesor. Një ndalesë diku në rajon, për të justifikuar dështimin e vetes dhe krejt BE-së. Rajonin ku nuk konkurron as me eksporte, as me novacion, të ardhura për frymë, investime e infrastrukturë. Drejt një BE-je që, sot për sot, i garanton vetëm hashash dhe azilantë.

Ky vend sot, ka qeverinë e vet. Atë që krijoi njeriu të cilit iu besua pushteti i vetëm në katër vitet e ardhshme. Njeriu që, në vetën e parë, mori meritën e fitores në zgjedhje e po në atë vetë do të marrë edhe suksesin, apo dështimin e qeverisë në vendin ku dëshira për demokraci konkurrohet nga ajo për pushtet autoritar.

Të kuptohemi, sot, vetëm 4,5% e popullsisë së botës jeton në një vend plotësisht demokratik, sipas Indeksit të Shërbimit Inteligjent të Ekonomisë mbi Demokracinë. 45% jetojnë në demokraci me probleme dhe 33% në regjime autoritare. Të dhënat dëshmojnë se bota është më pak demokratike se 10 vjet më parë. Madje ka edhe tregues që sfidojnë demokracinë: vendet që kanë përjetuar rritje të ndjeshme të konkurrencës në vitet e fundit, janë jodemokratike dhe disa prej tyre janë modele botërore për sjelljen e zyrtarëve publikë.

Por Shqipëria ka dështuar në të gjithë treguesit. As rritje të konkurrencës e as administratë të aftë publike. Gjithçka pohuar nga vetë lideri i vendit, njeriu që ka marrë përsipër çdo hall shqiptari në dëgjesa ku bëri gjunjët copë për pak show, që programin e ndërtoi duke u konsultuar me popullin pas zgjedhjeve, që ka një rol krejt të parëndësishëm në zhvillimet ndërkombëtare dhe është tërësisht i varur nga oligarkët e vendit, njerëz që qarkullojnë pará dhe favore, por rezultojnë sërish me borxhe të mëdha ndaj shtetit, që është mjeshtër i propagandës, por edhe i pafuqishëm ndaj krimit. Ndaj, kjo është Shqipëria e 2017-ës, me qeverinë logjike të saj.

Në vendin ku ekonomistët botërorë do të çartiseshin karshi absurdit që e krijon vetëm paraja informale dhe ajo e krimit… dhe, të jemi të sinqertë, kjo është qeveria më e mirë, që kjo pará mund të blinte!

 

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: