Rita Lati: Parodia më dha suksesin, humori përmes këngës ngjit më shumë

Rita Lati: Parodia më dha suksesin, humori përmes këngës ngjit më shumë
Rita Lati më priste në një vend me gjelbërim. Nga larg e dallova ndërsa mbante veshur një fustan të gjatë dhe me ngjyra, cigaren e hollë në gisht e një kapele elegante kundër diellit. Një kafe me të ishte si një ngarkesë e madhe me pozitivitet. Përtej humorit, Rita Lati të shtron bisedën mes një mençurie jete dhe një përvoje të fortë, se si mund t’ia dalësh e vetme në një profesion të vështirë. Vlonjatja eksplozive, “madama” e parodisë shqiptare, ka shumë më tepër se sa vetëm humor. Ka një jetë mes dashurisë për të bukurën dhe vajzës së saj, Rozës, e cila në gjurmët e së ëmës po shpaloset edhe më eksplozive se ajo. Në këtë rrëfim ekskluziv për Albanian Free Press, aktorja e humorit Rita Lati, na fton për vizitë në jetën e saj.

 Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Ju keni ardhur në Tiranë 14-vjeçare; më tregoni si rrodhën ngjarjet që erdhët në Tiranë…

Talenti im i lindur spikati dukshëm qysh në Vlorë, në shkollën 8-vjeçare. Duke parë këtë prirje, prindërit e mi e kishin vendosur që të studioja për arte pa diskutim.

 

Po prindërit tuaj vetë, merreshin me diçka të kësaj fushe?

Jo, aspak. Ata vetëm sa panë që kisha talent të natyrshëm. Kjo gjë ndihej nga të gjithë. Ndaj prindërit ishin që në fillim besimplotë se do t’ia dilja të isha pjesë e artit.

 

Si u realizua kjo?

Me shumë sfida, me konkurse të shumta, parakonkurse madje. Jam rritur në Orikum dhe si në të gjitha provincat ishte tepër e vështirë, por pavarësisht kësaj prirja ime bëri të arrija të fitoja në moshën 14-vjeçare, mes treqind fëmijëve që konkurruan në rrethin e Vlorës. Kjo ishte e gjitha. Mbështetja e prindërve bëri që talenti im të dilte në pah.

 

Pas kësaj, ju erdhët në Tiranë?

Po. Fillova studimet në shkollën e kulturës, atëherë quhej regjim masovik, më pas u mbyll kjo shkollë. Aty kishim si bazë studimi fjalën artistike dhe mjeshtërinë e aktorit; pra, në një farë mënyre, përgatiteshim për të vazhduar studimet në Akademinë e Arteve. Kjo sigurisht për ata që donin të vazhdonin të ndiqnin karrierën si aktor ose regjisor. Ose në të kundërt, ti dilje nga kjo shkollë si regjisor masovik, pra, mund të merreshe me organizimet kulturore nëpër vatrat ose shtëpitë e kulturës. Ëndrra ime ishte tjetër gjë. Unë kisha interes të ndiqja mjeshtërinë e aktorit e të shkoja më pas në Akademi. Kështu edhe ndodhi. Pas shkollës së kulturës vazhdova studimet për aktore në Akademinë e Arteve.

 

Ju kujtohen emocionet e konkurrimit?

Kisha përballë një komision me emrat më të mëdhenj të skenës! Ishte emocion dhe përgjegjësi! Sandër Prosi, Drita Pelingu, Birçe Hasko, Esat Oktrova e disa të tjerë emra të mëdhenj të skenës, ishin në komision për të na vlerësuar. Është interesant fakti se unë e kam hapur vetë konkurrimin. Sot kur e kujtoj, buzëqesh. Ishin shumë të rinj që konkurronin, kishte tension dhe stres mes konkurrentëve. Kur doli profesor Esat Oktrova për të pyetur se kush do të fillonte, të gjithë u shmangën.

Aty, në atë moment, ngriti krye kurajoja ime, - do ta quaja të llahtarshme, - të frikshme, madje! Nuk doja t’ia dija fare për emocionet. Mblodha gjithë kurajën, forcën time dhe e kam çelur vetë konkurrimin. Kisha besim se isha unë e askush tjetër përveç meje, me një të vetëndjerë absolute! Sot kur e kujtoj, mendoj se ky ka qenë një aspekt i cili më ka bërë mirë lidhur me fushën e aktrimit, sepse aty kuptova se i përkisja kësaj bote; pra, që fusha ime ishte aktrimi. E ndjeja shijen që lashë tek interpretoja përpara pedagogëve, përpara kolegëve. E ndjeja së brendshmi.

 

Pra, mendoni se aktrimin e keni të lindur?

E ke ose nuk e ke këtë dhunti. Ti mëson të aktrosh, të hedhësh batutën, të kesh pastërtinë, diksionin, të gjitha këto, por ose e ke nga nëna këtë dhunti ose nuk e ke. Mendoj se e kisha dhe rezultoi me karrierën time. Aq sa kam bërë, me modestinë time, e kam vërtetuar këtë.

 

 

Gjatë fakultetit, pjesët ku luanit ishin dramatike apo komedi?

Ishin dramatike. Kujtoj se kam luajtur tek “Monserati”, me profesoreshën time të mrekullueshme, Drita Pelingu. Ajo ishte dashuria e të gjithë studentëve! “Monserati” ishte tragjedi. Personazhit tim i marrin fëmijët, notat e mia në rol ishin aq të forta sa që profesoreshë Dritës, iu mbush mendja se unë duhet ta bëja këtë rol, ndaj unë e bëra. Kurse në vitin e tretë të fakultetit, filluam të luanim disa pjesë që kishin disa konotacione humori, u bënë disa provime të tilla, sepse atëherë nuk kishte ndarje, dramaturgji quhej. Nuk kishte ndarje mes komedisë dhe roleve dramatike. Gjatë kësaj kohe kam kënduar parodi me Frederik Ndocin dhe rezultoi shumë me sukses. Duke u nisur nga ajo përvojë kuptova prirjet e mia drejt komedisë. Por duhet të them edhe që më ndihmoi talenti në kanto.

Në fillimet e mia, kisha dëshirë të studioja për kanto, por ishin mbyllur konkurrimet, siç ndodhte në ato kohë. Komiteti i Partisë kishte çuar emra të tjerë. Unë do të kisha marrë tjetër drejtim, nëse do të kisha shkuar të studioja për kanto në Liceun Artistik. Por ja që, ndonjëherë, gjërat janë të shkruara.

 

Pas përfundimit të Akademisë, juve ku ju caktuan të punonit?

Më kujtohet si tani që i ndjeri Alqi Boshnjaku, një artist me vlera të mëdha, bëri të pamundurën që të caktohesha në estradën e ushtarit. Por duke qenë se kisha ikur shumë e vogël nga Vlora, im atë nguli këmbë të më kishte pranë. Prandaj nuk kërkova të shkoja në Teatrin e Vlorës, siç bënin të gjithë të tjerët, por shkova drejt e në estradë ku ishin parodistët e Vlorës, sepse dëshiroja të këndoja e të aktroja, njëkohësisht. Kam vajtur me dëshirën më të madhe tek çunat, tashmë ata janë zbardhur, por për mua mbeten çuna. Pata me ta një bashkëpunim trevjeçar, që rezultoi të ishte shumë i suksesshëm.

 

Ishte koha kur filluat të bëheshit e njohur?

Po. Ajo ishte direkt porta e madhe që më çoi drejt Estradës së Shtetit, ku më ftoi Sulejman Dibra. Edhe pse isha në Vlorë, në Tiranë u martova. Drejtuesi në Tiranë mezi më priste, jo trupa, sepse ishin pesë femra në estradë. Drejtori i qetësoi duke u thënë se unë bëja diçka krejt tjetër, - profil tjetër, atë të parodisë. Fillimi ishte i vështirë, por falë natyrës time pozitive çdo gjë kaloi pa problem dhe kalova shumë vite të suksesshme në Estradën e Shtetit.

 

Në profilin e parodisë, ju jeni e vetmja që mbaj mend…

Të gjitha aktoret e estradës janë të detyruara, herë pas here, të këndojnë, por unë iu kushtova më tepër. E vërtetë kjo, duke filluar nga bashkëpunimi me Vasillaq Vangjelin.

 

Kush ka qenë sekreti që publiku ju deshi menjëherë?

Vokali ndoshta. I ndjeri artisti i madh, Vasillaq Vangjeli, kur vuri në skenë shfaqjen e parë me mua në Estradën e Shtetit, ishim vetëm unë dhe Vegim Xhani. Vegimi ishte njëshi i parodisë në ato vite, dhe ne prezantonim, këndonim, aktronim. U duk që ishte një gjë tjetër, që Rita do të sillte një frymë tjetër. Unë e mbështeta çdo gjë tek parodia. Puna ime ishte e lidhur ngushtësisht me orkestrën, me Saimir Çilin, Aleksandër Lalon, pra, nuk kam pasur shumë role, sepse nuk jam shquar për karaktere, nuk hyj tek aktoret e karaktereve të forta në rol. Parodia ka qenë ajo që më spikati dhe më dha sukses. Veçanërisht këtë e shikon në diasporë, humori përmes këngës, ngjit më shumë.

 

Keni dalë shpesh në turne?

Edhe në ato vite, shumë. Veçanërisht pas mbylljes së Estradës së Shtetit, edhe sot që po bisedojmë, aktiviteti im është pothuajse në diasporë. Kanë ende shumë mall, ndjeshmëri të madhe edhe për role të cilat kanë shumë vite, si “Zenepen” të cilën ende ma kërkojnë dhe e duan. Edhe brenda kufijve, njerëzit më vlerësojnë dhe për këtë u jam tepër mirënjohëse!

 

Televizioni ju dha një tjetër përmasë. Kur e shikoni veten në TV, si ndiheni?

Jam shumë kritike, madje nuk i shoh fare. I kam të shumta CD-të në shtëpi e nuk i shikoj. Nuk kam shumë emocion të shikoj veten, nuk jam nostalgjike, ndoshta sepse shoh përpara. Madje kur hedhin në FB ndonjë pjesë nga karriera ime, e hap vetëm një sekondë dhe e heq menjëherë, vetëm për të parë se çfarë kam veshur asokohe.

 

Si ju duken veshjet tuaja të asaj kohe?

Ha ha ha... Unë kam qenë në avangardë qysh atëherë. Më duket vetja bukur, se këtë punën e veshjes e kam pasur me mjaft merak.

 

E si ia bënit për t’i siguruar ato?

I kthenim copat nga ana tjetër, i ndërronim kopsat të dukej gjë e re. Unë që ta dish ti, jam rritur duke parë televizionin italian, “Sanremo”, “Canzonissima”, se në Orikum kapte mirë televizioni italian. Jam ushqyer me atë lloj fryme dhe stili. Për kohën mendoj, se kam qenë ndryshe. Nuk kam vuajtur nga mbipesha, bëja kujdes, gjërat më rrinin bukur.

Nuk them se paraqitja është më e rëndësishmja, por duhet kujdes. Në një fushë si parodia ku unë kërcej, këndoj, performoj me dinamizëm, forma fizike ka rëndësi. Ndaj kur e teproj, dihet që tri ditë të tjera ha gjysmë vakti. Dua t’i shijoj të gjitha se një jetë kemi, por më pas menjëherë marr masa.

 

Kjo verë si ju gjeti?

Isha në Francë me pushime. Por edhe në vazhdim do të kem koncerte. Për mua edhe ato pushime janë, argëtim.

 

Jeni një zonjë që keni rritur një vajzë e vetme; ka qenë e vështirë?

Gjithsekush ka një përvojë në jetë. Unë e bazoj vetëm tek vetja mendimin mbi këtë. Kur një gjë nuk funksionon është më mirë që fëmija të rritet me një dashuri të madhe, se sa me dy dashuri të shkatërruara. Mendoj që një fëmijë më mirë të rritet me një dashuri të mirë, se sa me dy që nuk janë kurrkund. Një femër e fuqishme, që punon, e pavarur, nuk e ka fare problem. Normale që është shumë e rëndësishme prania e babait në rritjen e një fëmijë, por ndikon o negativisht o pozitivisht. E ka treguar eksperienca.

Unë jam e lumtur me çka kam arritur! E rrita Rozën, e shkollova. Tashmë, ajo është mjaftueshëm e rritur, e pavarur, e zonja të ecë vetë me zotësi.

 

Duket se të ka ngjarë shumë Roza…

Po. Është spontane dhe me humor. Këto i ka nga unë. Ndërsa karakterin e fortë që nuk hap rrugë e nuk lëshon pé, i ka nga i ati. Nuk toleron e nuk lëshon pé!

 

Ju vetë jeni tolerante?

Shumë, madje, më shumë se duhet. Tani jam ftilluar pak mbi këtë gjë, por i bie pak si vonë, ha ha ha.

 

Si e shikoni sot teatrin në Shqipëri?

Kush është aktor i aftë, do të ndiqet, një pjesë e mirë do të ndiqet. Publiku e do humorin. Qoftë mirë a qoftë keq, humorin njerëzit e presin me padurim, sepse është rreth nesh një jetë plot me dhimbje dhe drama. Humori shëron shpirtin. Duhet ta shikojmë, deri diku, me syrin kritik, sepse nëse e pëlqen publiku, ka marrë fund. Fjalën e fundit e ka publiku. Unë i vlerësoj aktorët e humorit për sakrificën që bëjnë, se sot është sakrificë të bësh humor. Ky brez që po punon kaq fort, duhet të dijë të përballet edhe me kritikat e me dështimet. Publiku shqiptar priret të qeshë, do humor. Kjo është e këtu vihet pika, e ke fituar betejën.

 

E ke menduar ndonjëherë të jetoje jashtë?

Kam pasur edhe mundësi të shumta, e ndoshta në vende si Australia ose Amerika ku mund të jetoja mrekullisht edhe do të kisha pranuar. Por Roza, ime bijë, ka qenë gjithmonë spiranca që më ka mbajtur këtu. Unë iu kushtova asaj e kjo më ka bërë të lumtur. Jetën e kam bërë me aq sa desha, kam atë stilin tim të jetës, jam ajo nëna shqiptare që gatuan tenxheren me gjellë për shtatë vetë edhe pse kam vetëm Rozën. Unë shkoj tek ajo e ajo vjen tek unë, tani që jetojmë secila në shtëpinë e saj, përsëri vetëm për gjumë jemi të ndara. Më bukur është kështu.

 

Ju keni dy vite që jetoni veç e veç. Si e vendosët këtë?

Ha ha ha... Vendosëm sepse unë kam ikur 14-vjeçare nga mamaja ime dhe e shikoja dy herë në vit. Sot, Roza iku nga unë 26-vjeçare e do të thotë se iku shumë vonë. Roza ka nevojë për qetësinë e saj e jo për dërr-dërret e mamit. Sepse ne nënat shqiptare nuk njohim moshë e kohë. Ne edhe me kalamaj të jesh, do të ndërhyjmë. Dua s’dua unë jam ajo nëna shqiptare, që përpiqet të bindë të tjerët me mendimet e saj. Por erdhi një moment që duhej, sepse e shikoj Rozën edhe të aftë ta përballojë jetën vetë. Pse jo? Do të mbajë qenush? Ta mbajë. Do të dalë Roza? Le të dalë. Do të mos vijë në fundjavë? Pse jo? E jo të qëndroj unë tek dera e zgjuar, ta pres nga meraku. Ha ha ha ha, madje dashurinë e saj tani po e shijoj, se tani më puth më tepër. Kur ishim bashkë grindeshim e ikte nga shtëpia me të bërtitura, tani vjen e më puth. Por jeta kështu e paska!

 

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: