Shqipe Zani: Të merrje një dekoratë, atëherë kaloje në vrimë të gjilpërës

Shqipe Zani: Të merrje një dekoratë,  atëherë  kaloje në vrimë të gjilpërës
INTERVISTË/ Flet sopranoja e njohur: Dekoratën “Naim Frashëri” ma dorëzoi vetë Nexhmije Hoxha. Enveri nuk rrinte shumë pas shfaqjeve. Ndërsa Ramiz Alia futej dhe rrinte mes artistëve

 

“Atë kohë të merrje një dekoratë, do kaloje në vrimë të gjilpërës. Duhej ta meritoje plotësisht. Jo kushdo merrte dekorata dhe vlerësime, sidomos artistët. Rrallë jepeshin të tilla dhe do filtroheshe qindra herë”. Kështu shprehet gjatë një interviste të posaçme për “Albanian Free Press”, sopranoja e njohur, Shqipe Zani. Teksa rrëfen më tej sesi është ndjerë e nderuar edhe kur ka marrë titullin “Qytetare nderi” e Gramshit. “Për mua ka qenë titulli më i madh dhe më me vlerë që kam marrë, sepse unë kam mbajtur gjithnjë lidhje me qytetin tim dhe jam krenare që ata e kanë vlerësuar emrin dhe kontributin tim”, shton ajo.

 

Intervistoi për “Albanian

Free Press”: Albert Z. ZHOLI

Sot shihet se ka shumë vlerësime për artistët. Po në sistemin monist a keni marr ndonjë vlerësim dhe cili është vlerësimi që ju është bërësi soprano?

Ah, kam marrë një dekoratë të veçantë. Këtë dekoratë e kam marrë nga Lidhja e Shkrimtarëve  dhe Artistëve të Shqipërisë. Konkretisht, më akorduan dekoratën “Naim Frashëri”, klasi i tretë, për interpretimin e muzikës shqiptare. Në atë kohë, Ramiz Alia ishte kryetar i Kuvendit Popullor që kishte firmosur dekorimin. Dekoratën ma dhanë në Akademinë e Arteve. Ndërsa çmimin, e mbaj mend si sot që ma dhuroi Nexhmije Hoxha. Pasi ma dhuroi, ajo më përqafoi duke më thënë “keni një zë të bukur...”. Ishte një moment shumë i bukur. Atë kohë të merrje një dekoratë, do kaloje në vrimë të gjilpërës. Duhej ta meritoje plotësisht. Jo kushdo merrte dekorata dhe vlerësime, sidomos artistët. Rrallë jepeshin të tilla dhe do filtroheshe qindra herë.

 

Një dekoratë nga Nexhmija, po Enver Hoxhën e keni takuar?

Di të them që para Enverit kam dhënë shumë shfaqje si në Opera, apo dhe në koncertet e majit. Ai pas shfaqjeve vinte dhe na takonte, na jepte dorën dhe largohej.  Enveri nuk rrinte shumë pas shfaqjeve. Ndërsa Ramiz Alia ishte më ndryshe. Futej dhe rrinte mes artistëve. Me thënë të drejtën, kur na thoshin do vinte Enveri në shfaqje, ne mobilizoheshim jashtëzakonisht. Kishte një autoritet absolut.

Por mesa di, jeni ndjerë po kaq e lumtur kur jeni nderuar nga qyteti i lindjes?

Po, jam ndjerë po kaq e nderuar kur kam marrë titullin “Qytetare nderi” e Gramshit. Për mua ka qenë titulli më i madh dhe më me vlerë që kam marrë, sepse unë kam mbajtur gjithnjë lidhje me qytetin tim dhe jam krenare që ata e kanë vlerësuar emrin dhe kontributin tim.

 

Që të vinit deri në këto medalje, në çfarë rrugësh ka ecur Shqipja, duke pasur parasysh që kënga lirike është një gjini e veçantë, specifike jo aq e njohur në Shqipëri ato vite?

Fillesat e mia të këngës përkojnë me Pallatin e Pionierit në Gramsh, duke mos përmendur se në shtëpi që e vogël këndoja çdo ditë. Aty ne kishim mësues dhe instruktorë shumë të mirë dhe të përkushtuar. Këtu dua të veçoj profesorin e violinës, Eduart Ndoci, i cili më pikasi si zë të veçantë dhe punonte në veçanti me mua. Kur jam ngritur për herë të parë në skenën e Pallatit të Pionierit, mbaj mend që kam kënduar një këngë spanjolle. Ngaqë kam pasur vesh muzike bëja zërin e dytë. Dëshira ime për muzikë u dallua edhe nga kryetari i komitetit. Kjo këngë bëri që të rrija gjithmonë me dëshirën e madhe të dilja sa më shpesh në skenë. Nuk doja të shkëputesha në asnjë çast.

 

Si ishte gjendja ekonomike e familjes dhe a ke pasur momente që frenohej ëndrra juaj?

Ne ishim një familje me shumë fëmijë, konkretisht ishim një familje me 7 fëmijë. Shumë herë diskutohej se kush do ta ndihmonte më shumë familjen që të dilte në punë. Kur  mbarova klasën e shtatë (ashtu ishte sistemi atëherë), në qytet u hap fabrika e armëve. Kishte shumë kërkesa për punë.  Shumë shoqe të miat, po ashtu që ishin keq ekonomikisht,  menjëherë pas shkollës kërkuan të hynin në uzinë. Në një moment, mbaj mend që mamaja ime tha: “Po sikur ta fusnim dhe Shqipen në uzinë?!” . Shtanga! Nuk e prisja! Shikoja me habi nënën. Isha gati të qaja. E mblodha veten dhe thashë që kurrë nuk shkoj në uzinë pasi do shkoj në Tiranë të mësoj për muzikë klasike. Nëna ndryshoi menjëherë kur pa reagimin tim, u tërhoq.  Kur pa këtë reagim, babai e mbështeti dëshirën time. Po kështu, një ndihmë të madhe në atë kohë më dha dhe kryetari i komitetit.

 

Kur përkon konkurrimi juaj në Lice dhe a fitove? A kishte miqësira atëherë për të shkuar në shkollë? A të ndihmoi kush?

Së pari, dua ta them me forcë, se në atë kohë nuk hynte në punë as miku, as dreqi nëse nuk kishe zë. Pra, komisioni të vlerësonte vetëm dhe vetëm nga zëri. Po ishe i aftë po, në të kundërt, ktheheshe në shtëpi. Kur erdha për konkurrim në Liceun Artistik ishte viti 1964. Konkurrimi ishte me faza. Unë fitova që në etapën e parë. Në lice studiova për teoritikë sepse akoma nuk ishte hapur dega e kantos. Dega e kantos u hap kur unë isha në vit të tretë. Më kujtohet që me t’u hapur kjo degë, trokita në derën e drejtorit dhe iu luta të më kalonte për kanto, po kjo ishte e pamundur.

 

Po në Akademinë e Arteve me çfarë u paraqite për të fituar? Çfarë veçon nga Akademia? Si ishin profesorët?

Kur isha në Lice, unë gjithmonë isha e ftuar për të kënduar në Koncertet e Majit. Në atë kohë, ato Koncerte ishin madhështore. Koncerte të tilla nuk bëhen dot sot. Atë vit që unë mbaroja Liceun Artistik, rastisi të zgjidhesha për të kënduar në Dekadat e Majit një material të Çesk Zadesë. Profesor Çesku ishte një gjigand. Ajo pjesë u pëlqye shumë dhe kur erdhi koha për t’u futur në Akademi u pranova pa u futur fare në konkurs. Pra, ishte ajo pjesë e vështirë që më bëri dallim nga të tjerat. Gjatë Akademisë kam qenë një studente e mirë, por në lëndët muzikore shkëlqeja. Kishim profesorë tepër të përgatitur dhe që punonin shumë me ne. Punonin jashtë orarit pa u lodhur. Kishin një disiplinë pune të jashtëzakonshme. Në vit të tretë në një koncert, ku kam kënduar 4 pjesë me një soliste të operës. Bëhet fjalë në vitin 1970. Atë kohë u zgjodha dhe për të bërë një turne me këngëtarët më të zotë që ishin në atë kohë: Nina Mula, Burhan Spahiu, Lili Tafai. Ishte një eksperiencë e bukur, një eksperiencë e veçantë që më dha shumë krah në jetë. U mësova më shumë me skenën por dhe si të punoja në grup. Xhimi Zilmixhiu ishte profesori im i plastikës dhe estetikës kur kam qenë studente dhe kur ishte drejtor ai më këshillonte se ç’duhet të bëja. Më ka dhënë një ndihmë të madhe.

Sigurisht, Akademia e Arteve të formoi, por shkolla më e madhe e këngës, muzikës, është skena, shfaqjet, puna konkrete. Si vazhdoi rrugëtimi juaj dhe cilat ishin rolet kryesore?

 

Në atë kohë, Akademia e Arteve zgjaste tre vjet dhe një vit bënim stazh. Duke pasur parasysh që unë kisha marrë pjesë në një turne stazhin më caktuan ta bënim në opera. Me atë turne u bë një lloj prezantimi shumë i mirë i emrit tim. Në vit të katërt, kur vajta unë në Opera, repertori klasik ishte hequr prej 8 vjetësh dhe viheshin në skenë vetëm vepra shqiptare. Mendoni pak që në botë çdo këngëtar profilizohet sipas zërit që ka. Askush nuk mund të këndojë një vepër që nuk është për trupin apo zërin e tij. Ne erdhëm në atë institucion dhe ishte opera “Mrika”, “Skënderbeu”, opereta “Brigada” që ishin në repertor të vazhdueshëm. Ndërkohë, që ne ishim përgatitur për vepra kontemporane që luheshin në skenat e gjithë botës. Pra, dukej sikur po kufizohej repertori i çdonjërit prej nesh. Por pavarësisht këtij fakti, ngaqë unë shkova me emrat të mëdhenj të skenës operistike në disa shfaqje, drejtuesit e operës krijuan besim dhe nisën të më aktivizonin në shumë aktivitete. Nisa të hyja në skenë dalëngadalë dhe të mos e kisha frikë përballjen me publikun. Dua të theksoj se në Teatrin e Operës shkova si soliste dhe si e tillë mbeta deri sa u largova. Rolet e para kanë qenë role që kam bërë tek opera “Mrika”, “Brigada e grave”. Kur Avni Mula muzikoi “Karnavalet e Korçës” më besoi mua rolin e Afrovidit. Afroviti ishte një bum, sepse ajo dhe këndon dhe luan. Më pas u vu “Boheme”, ku Gaqo më zgjodhi mua për Mozetë dhe pse doja të interpretoja Miminë. Këndonte në atë pjesë, Gaqoja, Ramiz Kovaçi, Tatjana Kora dhe unë. Ka qenë një “Bohemë” e paharrueshme. Pas këtyre u vu skena e “Toskë”-s, “Buterfly”. Më vonë arrita ta bëj Rozinën, etj.

Nga aktivitetet më të njohura të Teatrit të Operas dhe Baletit kanë qenë Dekadat e Majit, aktivitete për të cilin kompozitorët më me emër si Tish Daija, Feim Ibrahimi, Nikolla Zoraqi, Simon Gjoni. Çesk Zadeja, duke vazhduar me të rinjtë:Kujtim Laro, Sandër Peçi, Shpëtim Kushta realizonin krijimet më të mira. Ndërkohë që Bebi Kristidhi, Nora Çashku, Anita Tartari deri tek më e reja Rudina Ciko e shumë të tjerë kanë bërë emër nëpër dekadat e majit si interpretues. Kështu që drejtori mua më këshillonte të shkoja tek Instituti i Folklorit dhe të bashkëpunoja me kompozitorët për këngë popullore. Unë jam paraqitur gjithnjë me këngët popullore “Trëndelinë”, “Jare shkodrane”, të cilat i këndoja dhe me operën dhe me orkestrën e radios. Jam pjesëtare e gjithë edicioneve të romancës shqiptare ku jam vlerësuar dhe me çmim të parë e të dytë.

 

Nuk ke pasur asnjë moment shkëputje nga Teatri i Operas? Po pas viteve ‘90 çfarë do të veçoje? Si i kishe lidhjet me këngën popullore?

Nga viti ‘77 në ‘79 mua më caktuan në Ansambël të Ushtrisë. Nuk e pranova, nuk mund të shkëputesha nga ëndrra ime, Teatri i Operas. Kështu që ditën e parë i bëra kërkesë shokut Ramiz Alia ku i shpjegoja gjithë punën time. Nuk vonoi shumë  dhe më kthyen në opera. Ishte vitit 1983. Isha në kulmin e karrierës dhe të pjekurisë artistike. Disa ditë pasi u ktheva sërish në Teatër të Operas, unë kam vënë në skenë “Berberin e Seviljes”. Atëherë ishte e rëndësishme të merrje role, sepse gjithsecili kishte publikun e vet. Organizoheshin shfaqje të shumta dhe një soliste këndonte natën e parë, njëra në të dytën, të tretën e kështu me radhë. Pastaj u vu opera “Pagliaçi”. Më pas, erdhi viti 1991 me problemet e njohura shqiptare. Në atë kohë më besuan rolin e Leonorës nga opera “Trovatore” që nuk ishte shumë për vokalin tim, sepse ajo është një vepër dramatike. Punova shumë me atë rol. Ishte një periudhë e vështirë. Shpesh fikeshin dritat. Punonim dhe disi si të hutuar. Ndonjëherë jepnim shfaqje dhe me gjeneratorë. Por dua të vë në dukje se kam pasur të pandarë në repertorin tim muzikën shqiptare dhe atë popullore. Për herë të parë nga këngët popullore kam kënduar “Ta dish”, “Dola n’penxhere”, “N’atë zaman të asaj shurije”.

 

Sigurisht, të dilje jashtë shtetit në atë kohë ishte privilegj. A keni dalë jashtë shtetit në sistemin komunist dhe ku keni shkruar?

Turneu im i parë jashtë shtetit ka qenë në vitin 1974. Unë kam qenë një ndër të parat këngëtare të Operas që kam kënduar jashtë kufijve të Shqipërisë. Kam qenë në Maqedoni, Kosovë dhe Mal të Zi, me një ansambël që e drejtonte Limoz Dizdari me studentë të Akademisë, instrumentistë. Kam kënduar gjithnjë popullore të përpunuar. Të gjitha këngët janë pëlqyer dhe janë kthyer. Shqiptarët e këtyre trevave ishin të marrosur pas këngëve popullore. Na kanë bërë pritje madhështore. Ato turne kanë lënë gjurmë në jetën time. Duke qenë se unë këndoja muzikë popullore atëherë më ftonte shpeshherë Ansambli i Shtetit. Sipas mendimit tim, më ka shkuar shumë kënga shkodrane dhe ajo kosovare. Në vitin 1981 kam bërë këngën “O zambak i bardhë”. Kur u bënë protestat e vitit 1981 të vëllezërve kosovarë me urdhër të Ramizit u tha se në Opera duhet të këndoheshin këngë kosovare dhe në atë kohë u dha prioritet atyre këngëve. Unë kam kënduar 5 këngë kosovare, por ndër ato ajo që mbeti është “Zambaku”. Të gjitha këto të dekadave të Majit unë kam kënduar repertorin e Shkodrës dhe të Kosovës. Para 6 vjetësh, është bërë një koncert me orkestrën e radios ku u kënduan pjesë shqiptare nga të gjitha trevat e Shqipërisë. Aty kam kënduar “Margjelon” që 2001-in që bëri një bum.

Pedagoge në Akademinë e Arteve

 

“Gjithnjë kam ndërtuar ura

miqësie dhe dashamirësie”

 

Kam nisur si pedagoge e jashtme në vitin 198 4, kur isha soliste në opera. Në atë kohë, Rifat Teqja, dirigjenti i madh shqiptar, i palodhuri, njeriu që i dha kaq shumë skenës, na bëri propozim disa sopranove. Në 1991-in, zëvendës-rektore ishte Suzana Shuteriqi dhe dy kolegët e mi Suzana Frashëri dhe Burhan Spahiu, të cilët donin të zgjeronin katedrën, sepse ishin vetëm me dy pedagogë të brendshëm. Ata ranë dakord të isha unë, duke qenë se kishim bashkëpunim që në Opera dhe duke qenë natyrë dashamirëse dhe jokonfliktuale. Unë gjithnjë kam ndërtuar ura miqësie dhe dashamirësie në jetë. Pasioni qe shumë i madh për skenën, por fakti që në atë moshë unë isha 41 vjeç dhe për 4 vjet do dilja në pension, sepse ajo ishte ligj për të gjithë, zgjodha këtë rrugë që mu duk shumë e drejtë dhe në të njëjtën kohë i dhashë fjalën vetes të mos largohesha nga skena. Unë do isha në skenë nëpërmjet koncerteve dhe në fakt unë kam qenë në skenë deri në momentin që flas tani”.

SHIJET

 

“Këngëtarët e mi më të

 preferuar, shqiptarët”

 

“Do ta nis me shqiptarët. Këngëtari im i preferuar është Gaqo Çako, Tefta Tashko, Marije Kraja, Ramiz Kovaçi, Mentor Xhemali. Nga të huajt ka shumë këngëtarë që këndojnë bukur. Pa dyshim Pavarottin dhe Callas, Plaçido Domingo, Angela Georgiu dhe pa dyshim dhe Inva Mulën”.

KUJTIME

Momentet e veçanta në Egjipt, Siçili, Kinë...

 

“Kur kam qenë në Kinë në 1975-ën, pata sukses në koncert. Pas tij, ambasadori Behar Shtylla më prezantoi përpara disa njerëzve të rëndësishëm të Pekinit. E mbaj mend si tani që ai u tha se këtë vajzë e kemi nga një vend shumë i veçantë, me një mal shumë të bukur që quhet Tomorr dhe ku luhen shumë bukur fyejt e Gramshit. Unë u ndjeva vërtet krenare që një vajzë nga Gramshi erdhi, studioi, u bë soliste dhe vajti deri në Kinë për të përjetuar një prezantim të tillë. Më pas, ne shkuam me koncert në Kore ku kam dalë 10 herë në skenë. Momenti i bukur ka qenë në Egjipt, ku kam qenë me Vaçe Zelën dhe me Naile Hoxhën, ku nuk ma mori mendja që do kishte shqiptarë dhe unë kisha në repertor një këngë kosovare “Në Prizren o në të bukurin vend...”. Unë isha shumë e re.  Ka qenë viti 1984. Isha mes këngëtareve me shumë emër. Kur mbarova këngën dëgjoja duartrokitje të mëdha. S’e besoja. Kur pas shfaqjes shumë nga të pranishmit  na përshëndetën dhe na thanë se ishin studentë kosovarë. Në 1994-ën, kam qenë në Siçili, në Piana degli Albanesi dhe kam kënduar vetëm unë 12 pjesë. Ato më kërkuan të këndoja “Brindizi”-n e Traviatës. E këndova pa shoqërim dhe pa partner dhe salla u elektrizua. Kam shumë emocione të tilla”.

 

KARRIERA

 

“15 recitale, 2000

  dalje në skenë”

 

“Mund të jenë 15 të tilla, ndërkohë që daljet në skenë me koncerte dhe vepra janë 2000. Në kohën që ne bënin opera askush nuk i filmonte operat dhe as bënin fotografi. Unë kam qenë gjithnjë vetëm në Tiranë dhe të gjitha përkujdesjet dhe emocionet e skenës i kaloja vetë. Nuk kisha kohë për fotograf, nuk kisha të afërt, ndaj dhe nuk kam shumë fotografi. Mendoj se portreti im ka mbetur më shumë tek publiku sesa në polaroid”.

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: