10 veshjet më IN, në 20 vjetorin e “Opinion”

10 veshjet më IN, në 20 vjetorin e “Opinion”
nga Juela Meçani

Këtë fillim vjeshte, personazhet publikë shqiptarë, kaluan disa ditë të mbushura me shumë evente, disa dasma zhurmëmëdha dhe gala. Në kërkim të veshjes dhe stilit të duhur, personazhet publikë femërorë ishin ato më të angazhuarat. Por është një aktivitet që, thuajse çdo vit, mbledh bashkë shumë figura të ekranit, nga media, politika, arti, moda. 20 vjetori i emisionit “Opinion” do të mbahet mend gjatë për pompozitetin e jashtëzakonshëm, bllokimin e bulevardit, reklamës së jashtëzakonshme mediatike. Në mesin e 600 të ftuarve, vëmendja ishte tek ato, femrat e hijshme dhe veshjet e tyre. Fundja, sado të shpenzosh, stili personal thotë fjalën e fundit. Në një vend si Shqipëria ku nuk ka kurator imazhi, femrat shqiptare shfaqen me, thuajse plotësisht, përzgjedhjen e tyre personale. Por pati edhe ndikim nga revistat e modës, teksa ngjyra e bardhë pushtoi aktivitetin, ose edhe nga ceremonitë hollivudiane, sepse u panë fustane mbrëmjesh me mëndafsh, shumë xixa dhe temina, në një aktivitet-koktejl. Ne menduam të përzgjidhnim 10 veshjet më të mira, bazuar në parametrin e syrit tonë, por edhe në mënyrën se si veshja është mbajtur dhe prezantuar.

 

10

Riselda Sejdia, jo gjithmonë është pëlqyer sepse ajo luan shumë me veshjen e ngjyrat dhe e rëndon veshjen me aksesorë. Por, këtë herë, ka bërë zgjedhjen e duhur. E tëra në “Versace”, koreografja ka kombinuar bukur këpucët me çantën dhe veshjen, krehja perfekt me një grim të lehtë.

9

Aurela Hoxha ishte një surprizë, ndaj e meriton të jetë në këtë klasifikim. Ajo ka guxuar të eksperimentojë me veshjen. Mbi një top sensual, hidhet një xhaketë gessato, big-size, me aplikacione lulesh flakë të kuqe, kombinuar me buzëkuqin. Kapelja? Një perlë.

8

Këngëtarja, Jeta Faqolli, nuk mungon nëpër aktivitete të asnjë tipi, por gjithmonë me fustane mbrëmjeje. Këtë herë, ajo është shquar për një elegancë puritane, pa rivale. Veshja e përkryer për një ngjarje të tillë, derdhet bukur mbi fizikun e saj. Detaje të holla të arta, nën flokët me model interesant.

7

Greta Koçi, ne na pëlqen, sepse ka qëndruar brenda kodit të veshjes së zezë deri në gju, por me një detaj sensual, që i thekson linjat. Fustani i “Rosebyrozanaradi” rri bukur me modelin e flokëve, deri tek supet.

6

Aulona Musta, pavarësisht se veshja e bardhë e zbeh pak Aulonën, që ka fizik të brishtë dhe tipare jo shumë të theksuara, kjo veshje është nga ato që nuk humbasin kurrë në kohë. Çanta e kuqe i shton sharm dhe e ndriçon disi.

5

Basketbollistja, Elektra Zykaj, guxon me të bardhën e fustanit “Balmain” sepse fiziku ia lejon. Brenda kodit të një ngjarjeje si kjo, ajo kombinon sandalet “Missguided” me çantën “Givenchy”, duke thyer bukur kombinimin klasik që do të donte sandale të arta si rripi në bel. Krehja e thjeshtë e lehtëson këndshëm rëndësinë e veshjes.

4

Modelja, Greis Petroviç, zgjedh një brand shqiptar, Anila Konomi Atelier. Një kostum të zi, prerë dhe qepur në perfeksion. Greis me veshjen e saj, ka treguar se edhe nën një kostum të zi të tillë, mund të jesh super elegante e sharmante, pa qenë aspak e zakonshme.

3

Moderatorja Xhesika Tola, ka shkëlqyer, sipas mendimit tonë. Grimi i errët me ngjyra toke, krehja në dukje e përditshme, top-i i çmuar me dantellë që zbulon një dekolte me finesë, qemeri i mëndafshit në bel dhe xhaketa. Veshja nuk ka defekte, sipas mendimit tonë.

2

Modelja Xhesika Berberi, ka zgjedhur të zezën e pavdekshme, por ka zhdukur aksesorët dhe ka bërë shumë mirë. Një bukuri si e saj, nuk ka nevojë për to. Eleganca e saj në këtë aktivitet, është nga ato që nuk dallohen me të parën, por nuk harrohen lehtë. Sandalet? Të duhurat, ashtu si edhe krehja dhe grimi.

1

Veshja e bloger-es, Irena Kita, sipas nesh, meriton një vend të parë të padiskutueshëm. Kjo qoftë për kombinimin e ngjyrës së kaltër me të zezën, për krehjen, për çantën, aksesorët, sandalet, grimin. Irena Kita vërtetë e ka pasion modën, por të arrish të dallohesh mes mbi 300 femrave, është mision i vështirë dhe ajo ia doli mrekullisht, duke qenë vetvetja!

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: