“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Jemin Gjana: Cilado që mban emrin Valbona, duhet respektuar!

“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Jemin Gjana: Cilado që mban emrin Valbona, duhet respektuar!
Satirë

   2. Jemin Gjana: Cilado që mban emrin Valbona, duhet respektuar!

Antena jonë, sapo mori vesh sherrin midis shokut Jemin Gjana dhe shoqes Valbona Mezini, anëtarë të Kryesisë së PD-së, vajti me të shpejtë drejt selisë së kësaj partie. Aty gjetëm shokun Jemin, i cili po rregullonte syzet e tij. Ju afruam dhe me të bëmë këtë bashkëllafosje. (E falënderojmë që ndonëse në atë gjendje psikologjike, ju përgjigj pyetjeve tona)

Antena: Pa u zgjatur fare; Ç'ndodhi në këtë mbledhje, shoku Gjana?

Jemin Gjana: Dua të bëj të ditur që, ajo çupka deshte të më godiste mua.

Antena-Deshi t'ju godiste?! Po ky qenka lajm i thënë ekskluzivisht për mua. E çuditshme! Në media është përhapur lajmi që, ishit ju që do e godisnin. Kë të besojmë, shoku Gjana?!

Jemin Gjana: Gjanat nuk janë si duken në jetë. Ato janë të mleksura me njana-tjetrën. Ja mua p.sh, më kujtojnë sikur jam nga Poradeci, se kur flas, përdor fjalë nga ajo zonë, sepse më kishte internuar, le të themi, atje sistemi, përpara viteve 90-të.

Antena; -Internime të tilla të kishin të gjithë! Gjithsesi kalojmë te zënka që ndodhi në mbledhje? Si filloi? Cili ishte shkaku? Ju si demokrat i hershëm besoj se do na i thoni...

Jemin Gjana; Sherin e filloi ajo çupka. Unë siç thatë edhe ju, jam i vjetër në PD, e ne si forcë demokratike, nuk sherosemi. Kur jemi sherosur ndonjëherë ne, më thuaj! I zgjidhte Sali baca gjanat vetë. Ajo çupka ka vetëm pak kohë që ka ardh, e ndaj ban shere. Nuk e din akoma që forca jonë ecën përpara nëpërmjet debatit ndërtimor, e jo zënkave.

-Antena: Ju kuptoj shoku Gjana! Cili është shkaku konkret, ju lutem?

-Jemin Gjana: Po diskutoja me një kolegun tim, për koranin e Poradecit.

Antena: Gjatë kohës së mbledhjes po e diskutonit këtë? E çuditshme?!

Gjana: E ç'ka me u çudit këtu! Kush e ka mendjen te partia, ta kem unë! Jemi bërë, kashtë e koqe. S'dimë ku jemi. Nejse, se ta lashë përçerek, çështjen e filluar. Desha të thosha për lexuesit, diçka lidhur më këtë peshk, që nuk e kam thënë në intervistat e mia te mëparshme; Kur kam qenë Ministër i Bujqësisë, nuk kam lejuar fshatarët përreth liqenit, që të gjuanin koran. Nuk e kishin të nevojshme, se ja u siguronte toka, të mirat materiale. Akoma më mbajnë inat bujqërit e Poradecit, që nuk i lashë të gjuanin koran. Kur shkoj atje, as më flasin me gojë, megjithëse kam qënë deputet i tyre. U rropata për vendin. Vetëm një shtëpi nga Enti i Banesave kam akoma. Ndërsa ata... Por është e gjanë zemra e Gjanës. I fal!

Antena: Mbase do vijë dita që t’ia u dinë vlerat edhe ata, shoku Gjana. Kalojmë te çështja, ju lutem!

Jemin Gjana: Lidhur me çështjen në fjalë; Teksa po diskutoja me atë kolegun, për Liqerin e Poradecit, ra llafi edhe për Lumin e Drinit.

Antena: Për Drinin e Zi që derdhet në liqen, e keni llafin?

Jemin Gjana: Jo, jo po flisnim për Drinin e Bardhë që kalon në vendlidhjen teme, në Kukës. Në fakt ky i Bardhi është më i Zi se ai që ka emrin ashtu. E kështu, muhabeti vajti edhe te lumi Valbonë, që i përket të njejtit qark. -"Nuk e njeh Valbonën mirë ti, i thashë. Është një ajo, që..." . Aty ndërhyri ajo çupka. -"Pse si jam unë?, tha. Shiko veten ti që je fosile" dhe erdhi të më qëllonte.

Ja kjo ishte e gjitha. Unë ama ruajta arsyen. Më falni, po si mund të zihem unë me një femër. Kush më njeh, e di sa i respektoj unë ato. Aq më tepër me një femër, e cila për emër mban atë, të një lumi. Dhe jo një lumi çfarëdo!

Valbona është lumi që është larë vetë i madhi ynë, Sali Berisha. Nuk është larë në Valbonë, është larë në ndonjë prrua. Ç'rëndësi ka!? Prroi, në Valbonë derdhej. Pra indirekt është larë më Valbonë dhe kushdo që ka këtë emër, duhet respektuar!

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: