A ËSHTË PËRKEQËSUAR SITUATA E AKSIDENTEVE AUTOMOBILISTIKE?- OPINION NGA EDUARD ZALOSHNJA

A ËSHTË PËRKEQËSUAR SITUATA E AKSIDENTEVE AUTOMOBILISTIKE?- OPINION NGA EDUARD ZALOSHNJA
Nga Eduard Zaloshnja

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Nga të dhënat e INSTAT-it, rezulton se numri i i aksidenteve automobilistike, u rrit 7.6% gjatë muajit korrik, krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë. Po të nisemi vetëm nga kjo e dhënë, duket se situata e aksidenteve automobilistike është përkeqësuar.  Po të shohim të dhënat e tjera, në këto aksidente, rezulton se numri i të vdekurve u ul 18.5% dhe numri i të plagosurve u ul 1.6%. Më tej, brenda kësaj kategorie të fundit, numri i të plagosurve rëndë u pakësua, ndërsa numri i të plagosurve lehtë u shtua.

Me pak fjalë, duke gjykuar nga këto statistika, mund të thuhet se ndërkohë që numri i aksidenteve u rrit në korrik, numri i aksidenteve serioze u pakësua. Por, sidoqoftë, pyetjes nëse u përmirësua apo u keqësua situata e aksidenteve automobilistike në korrik, nuk mund t’i jepet një përgjigje e prerë. Për më tepër, nuk mund t’i jepet përgjigje pyetjes, çfarë mund të ketë ndikuar në ndryshimin e situatës.

Në shumicën e vendeve të botës, për të analizuar ecurinë e aksidenteve automobilistike, përdoret treguesi sintetik i kostos totale të aksidenteve.

Përveç dhimbjeve njerëzore që shkaktojnë aksidentet automobilistike, ato i shkaktojnë shoqërisë edhe një kosto të konsiderueshme ekonomike. Çdo aksident shoqërohet me koston e policisë rrugore që shkon në vendin e ngjarjes; koston për transportimin e viktimave në spital; koston për shërimin e të dëmtuarve; dëmin që i bëhet automjeteve; vonesat e trafikut që shkaktojnë humbje kohe dhe karburanti; humbjen e aftësisë për të prodhuar të mira materiale dhe shpenzime administrative të ndryshme.

Deri më sot, për mungesë të dhënash të hollësishme, asnjë ekonomist nuk ka arritur të vlerësojë, me saktësi, se sa i kushtojnë shoqërisë shqiptare aksidentet automobilistike. Ndoshta do të duhet të kalojnë vite, përpara se të dhëna të tilla të vihen në dispozicion të ekonomistëve. Ndërkohë, një vlerësim i përafërt mund të bëhet duke përshtatur kostot e vendeve të tjera, sipas kushteve të Shqipërisë.

Për këtë qëllim, mund të përdoret për shembull, një studim rreth kostos ekonomike të aksidenteve automobilistike i Pacific Institute for Research and Evaluation*. Sipas tij, një aksident automobilistik i ka kushtuar shoqërisë amerikane, mesatarisht, rreth 87 mijë dollarë në 2010-ën.

Për ta konvertuar këtë kosto në një shifër që do të kishte kuptim për kushtet e Shqipërisë (siç u përmend më lart), disa axhustime janë të domosdoshme.

Së pari, këto axhustime duhet të marrin parasysh raportin të vdekur / të plagosur rëndë/ të plagosur lehtë/ të pa plagosur në aksidente i cili, në Shqipëri, fatkeqësisht, anon ndjeshëm nga vdekjet dhe plagosjet e rënda.

Së dyti, axhustimet duhet të marrin parasysh diferencat në koston e mjekimit të plagosjeve e cila është rreth 8 herë më e lartë në ShBA.

Së treti, ato duhet të marrin parasysh diferencat në koston e zëvendësimit apo riparimit të automjeteve e cila është rreth 4 herë më e lartë në SHBA.

Dhe, së fundi, në mënyrë që të konvertohet vlera e të mirave materiale që nuk prodhohen dot si pasojë e plagosjes apo humbjes së kohës nga aksidentet, axhustimet duhet të marrin parasysh edhe sa është vlera mesatare e produkteve apo shërbimeve, që një punonjës prodhon në ditë, në secilin vend.

Pas këtyre axhustimeve, rezulton se, mesatarisht, një aksident automobilistik i ndodhur në korrik, i ka kushtuar shoqërisë shqiptare rreth 12100 dollarë (me kursin e 2010-ës). Ndërsa në të njëjtin muaj të një viti më parë i ka kushtuar 13400 dollarë. Në total, kostoja e aksidenteve automobilistike për shoqërinë shqiptare, ishte 2.4 milionë dollarë në korrikun e këtij viti, – rreth 100 mijë dollarë më pak, se një vit më parë.

Për lexuesin e thjeshtë, mund të jetë e vështirë të kuptojë sa mund i duhet një ekonomisti të arrijë në këto shifra të përafërta, por jo dhe aq e vështirë të kuptojë domethënien e tyre sepse, në një vend të varfër si Shqipëria, çdo njeri e kupton se çdo të thotë një kosto e tillë.

Duke e konsideruar të mirëqenë këtë fakt, mbetet të sqarohet se cilat janë rrugët për uljen e kostos ekonomike të aksidenteve automobilistike në Shqipëri, dhe sa mund të jetë magnituda e kësaj uljeje.

Që kostoja ekonomike e aksidenteve automobilistike të ulet, mund të përdoren dy qasje. Së pari, mund të synohet pakësimi i numrit të aksidenteve. Së dyti, ulja e shkallës së dëmtimit të njerëzve të përfshirë në aksidente.

Qasja e parë kërkon përmirësim të rrugëve dhe shenjave rrugore, respektim të rreptë të rregullave të qarkullimit dhe uljen e ndjeshme të numrit të drejtuesve të dehur të automjeteve. E dyta kërkon përdorimin e rripave të sigurisë e të ndenjësve të posaçme për fëmijët deri në 5 vjeç, si dhe pajisjen e makinave me jastëk ajri mbrojtës.

Ndër këto masa, disa janë të kushtueshme për t’u realizuar, por disa të tjera kushtojnë fare pak. Kështu, në qoftë se të gjithë njerëzit që udhëtojnë me automjete, përdorin rripin e sigurisë, numri i vdekjeve nga aksidentet pakësohet, pothuajse 45%, dhe numri i plagosjeve të rënda pakësohet me 28%. Përkthyer në gjuhë ekonomike, kjo do të thotë se efekti në koston totale të aksidenteve, do të ishte një ulje prej rreth 30%.

Në mënyrë të ngjashme, në qoftë se shpejtësia mesatare e automjeteve, në të gjithë vendin, ulet me 5 km/orë, numri i aksidenteve, e për rrjedhim edhe kostoja totale e tyre, do të ulej 25%. Ndërsa një përgjysmim i numrit të shoferëve të dehur, do të ndikonte në një reduktim prej 25% të faturës që shoqëria shqiptare paguan për aksidentet automobilistike.

Për t’i realizuar shoqërisë kursime të tilla, qeverisë i duhet të bëjë vetëm shpenzime modeste për zbatimin rigoroz të kodit të qarkullimit rrugor dhe për fushatën e ndërgjegjësimit të publikut. Ose, thënë ndryshe, i duhet ta vrasë disi më tepër mendjen, për jetën dhe mirëqenien e shtetasve të vet.

————————————————————

*Studimi është kryer nga një departament i “Pacific Institute for Research and Evaluation”, me qendër në Uashington, i cili është i specializuar në analizën ekonomike të aksidenteve në trafik, punë dhe shtëpi. Autori është punonjës shkencor i atij departamenti.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: