A PO KËRKON BASHA MARRËVESHJE TË RE ME RAMËN?- OPINION NGA PLATOR NESTURI

A PO KËRKON BASHA MARRËVESHJE TË RE ME RAMËN?- OPINION NGA PLATOR NESTURI
Nga PLATOR NESTURI

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare dhe debatit të ashpër lidhur me fushatën për kryetarin e ri të partisë, PD-së i duhet një betejë politike për të vendosur veten në moto. Është gjëja më normale që një opozitë duhet të bëjë. Të nxjerrë mësime nga dështimet dhe të rimarrë pozicionin e luftëtarit, nëse do që të mbetet aktor dhe faktor politik njëkohësisht. Dhe PD-ja e nisi betejën e saj. Jo për mënyrën e qeverisjes së shumicës, as për ligjet e reformat që ndërmerr, as për ndonjë rast abuzimi apo shkelje flagrante si përçues i interesave të opinionit publik. Beteja që ka zgjedhur selia blu, është drejtuar për reformën zgjedhore, si nismë e parë për këtë mandat të ri parlamentar, dhe kur zgjedhjet më të afërta, ato vendore, janë më së paku pas dy vitesh.

Është, sidoqoftë, një nismë e re për një beteje të lënë përgjysmë, që gjatë mandatit të kaluar. Ndryshimet në Kodin zgjedhor dhe përmirësimet përkatëse, kanë qenë një detyrë e vjetër e OSBE-ODHIR, si pjesë e rekomandimeve drejtuar klasës politike, për t’i përmbushur për në rrugëtimin e integrimit për në BE. Këto detyrime nuk u përmbushën në katër vjet dhe këtu nuk ia vlen të merremi me arsyet e vërteta, pse nuk u arrit ndryshimi i ligjit. Me sa duket, askujt prej palëve nuk i interesonte përmirësimi konkret i kodit zgjedhor, dhe historitë me numërim elektronik a me votim emigrantësh, nuk ishin gjë tjetër, veç sebepe për t’i mbajtur gjërat nderë. Pasi, siç ka ndodhur rëndom në historinë e pluralizmit shqiptar, dy partitë kryesore nuk janë marrë ndonjëherë veçmas, thjesht, me kodin a sistemin elektoral. Në të gjitha rastet, ndryshimet e sistemit zgjedhor kanë qenë pjesë e një pakete më të gjerë marrëveshjesh, që kanë ndërmarrë liderët e partive kryesore.

Nëse këtë rregullim punësh me sistemin zgjedhor e marrim si trend, a mos, dhe në këtë rast, Basha kërkon një marrëveshje të re me Ramën? Në një debat kompleks brenda PD-së e ku autoriteti i Bashës është në kuotat më të ulëta, atij i duhet një lëvizje ku të evidentohet jo vetëm si përfaqësuesi i PD-së e lideri i saj, por edhe si figura që kundërshtari e respekton në një tryezë bisedimesh. Kryetari i PD-së është shprehur se marrëveshja me kryeministrin Rama, përpara zgjedhjeve, quhet e vdekur, megjithëse ministrat e tij bashkëqeverisën gati tre muaj me Ramën, si fitues zgjedhjesh. Gjithsesi, dhe nëse e quan marrëveshjen e pragzgjedhjeve të vdekur, kjo nuk hedh poshtë dëshirën për një marrëveshje të re, ndonëse në të njëjtat tema reference.

Bashës i intereson një fokusim i ri kamerash, ku ai del duke zbritur shkallët pas një bisede me kreun e shumicës. Dhe Rama nuk është çudi t’ia plotësojë këtë trill të vockël.  Trill me anë të së cilit kryetari këmbëlëkundur i PD-së, do të fashisë debatin brenda kampit të vet, me imazhin e politikanit që po e imponon kundërshtarin për bisedime e marrëveshje. Trill i cili i vjen përshtat edhe vetë Ramës, pasi me Bashën në tryezë dhe LSI-në jashtë saj, i rikujton ish-aleatëve se, në vendimin e ndarjes, ata mbeten të humbur e të vetëm, pasi dhe në opozitë mbeten të përjashtuar nga koalicioni me Bashën.

Ndaj të gjitha debatet e tanishme, për beteja të reja apo për të drejta votash për emigrantët, duken shumë cinike kur qëllimi mbetet ndryshe. Takim e marrëveshje. Se sa të ngutura e të papërgatitura është nisma e ndërmarrë, duket dhe në faktin se idetë nuk i kemi ende të radhitura qartë si projekt në letër, por në formë deklaratash. Dhe absurdi shkon deri në idenë e hedhur si tym, për të rikthyer sistemin mazhoritar. Sistem që, ndonëse Rama bën sikur nuk e dëshiron, i shkon më përshtat PS-së dhe strukturës së saj elektorale. I shkon përshtat të fortëve, që do mbysin zonën elektorale me pará dhe influencë, çka i imponon partive politike të bëjnë pazare me këta skifterë lokalë.

Tymnajë që sidoqoftë, deri tani, ka mbetur në nivelin e deklaratave midis Palokës dhe Ballës. Ajo çfarë mbetet për të ditur, është nëse do të ketë një takim tjetër Rama- Basha, dhe cila do të jetë paketa përfshirëse në një marrëveshje të re të ngjashme me të parën.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: