ADMINISTRATA NË SHOSHITJE- OPINION NGA PLATOR NESTURI

ADMINISTRATA NË SHOSHITJE- OPINION NGA PLATOR NESTURI
Nga PLATOR NESTURI

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Tashmë me 74 deputetë në parlament, si dhe katër vota pro saj në rezervë, duket se shumica e sotme, nuk mund ta vërë në funksion forcën e kartonëve për ndryshime të ligjeve. Ndonëse, në parametra të afërt, nuk ka ende ndonjë projekt të shprehur se në çfarë rasti mund ta përdorë në të ardhmen. Ligjet që kërkonin shumicë të cilësuar, - duke filluar që nga ato për reformën në drejtësi e që preknin nene të kushtetutës, - kanë mundur të kalojnë qysh mandatin e kaluar. Ndaj, - duke përjashtuar reformën e re zgjedhore për të cilën do të duhen dhe votat e opozitës si bashkëprojektuese, - duket se betejat e ardhshme në politikë nuk përfshijnë ligje për reforma madhore.  Problemi i vetëm i debateve do të jetë implementimi i ligjeve aktuale nga qeveria Rama, si dhe zbatimi i reformave të cilat kanë marrë shtrat ligjor.

Në vëmendje të fillesës së punës së qeverisë “Rama 2”, është vënë sërish administrata. Nuk ka ndonjë ndryshim pushteti politik dhe që, siç ndodh rëndom në këto raste, bëhet një pastrim zone nga militantët. PS-ja ishte dhe është në pushtet, ndonëse ka lënë jashtë ish-aleatin, LSI-në. Por për çka do të ndodhë në administratë, tashmë nuk duhet ndonjë ligj special, siç para katër viteve u votua ligji mbi statusin e nëpunësit civil. Ligj i cili u miratua në fund të majit, përpara fushatës zgjedhore, dhe që u votua me konsensus nga të dyja palët, si një ndër ligjet e rekomanduara nga Komisioni Europian.

Nëse kujtojmë debatin e para katër viteve, zbatimi i ligjit u shty nga qeveria Rama e sapozgjedhur. Opozita menjëherë akuzoi se me këtë shtyrje, Rama kërkoi të spastrojë administratën aktuale e cila do të ishte e mbrojtur nga ligji në fjalë. Shumica u mbrojt me arsyet teknike, por nuk e fshehu se administrata e tanishme, është e mbushur me militantë partiakë, të paaftë, të korruptuar, çka nënkupton se do te ketë një reformë të thellë në të. Me anë të një akti normativ, ligji u bë i zbatueshëm pas gjashtë muajsh, dhe reforma në administratë vijoi si në çdo fillim mandati.

Fakti është që pas çdo ndërrimi pushteti, administrata është viktima e parë dhe në të futen militantë dhe mbështetës së partisë që ka fituar; kjo në dëm të profesionalizmit.  Ndryshimet e qeverive në Shqipëri, tradicionalisht kanë pasur viktimën e parë administratën publike. Shkarkimet me lista, "shkrirja" e institucioneve dhe pezullimet pa kritere, janë forma më e njohur e largimeve nga puna, duke i emëruar me shprehjen "reformë".  Por, realisht, "ndryshimet" në administratë kanë konsistuar që aty të futen e të vegjetojnë militantë dhe mbështetës të partisë që ka fituar, dhe kjo në dëm të profesionalizmit.  Ndaj ndryshimet mund te jenë të domosdoshme, por problemi që shtrohet është se si dhe në ç'mënyrë do të përzgjidhen nëpunësit e rinj. A do të jenë të zgjedhur në bazë të ligjit dhe konkurrimit, apo sërish me të do të shpërblehen militantët dhe tarafi i ngushtë i pushtetit?

Tashmë nuk kemi ndryshim të kaheve politike në qeverisje, por sistemimi i ri i administratës në një ndarje të re të ministrive, bashkim të institucioneve në stadin e rajoneve dhe jo të bashkive, do të ulë ndjeshëm numrin e administratës. Sipas vetë kryeministrit Rama, administrata do të zvogëlohet, por synohet dhe rritja e efektivitetit nëpërmjet zhdërvjelltësisë dhe rritjes së aftësisë së saj.  Gjithsesi, administrata është në panik, pasi ende nuk dihet se si do të bëhet dhe cilat do të jenë kriteret e shoshitjes. Sipas disa burimeve, shkurtimet mund të shkojnë deri në 25 për qind, dhe kjo nuk është shifër e vogël për një vend si Shqipëria. Në rastin konkret, opozita dhe veçanërisht LSI-ja, do të cilësojnë ndryshimet e reja në administratë si një "masakër" me kritere politike. Ndaj është e rëndësishme transparenca e çdo reforme që kryhet.

Pritshmëria e opinionit publik që votoi gjerësisht shumicën e re, është që gjërat të ndryshojnë në funksionimin e administratës publike, ndaj dhe po përcillet me vëmendje mënyra si po bëhen zëvendësimet. Nëse administrata, në një pjesë të saj, ishte e paaftë dhe e politizuar siç deklaron PS-ja, por dhe çka është e njohur gjerësisht, atëherë zëvendësimet duhet të jenë e kundërta e këtij modeli. Ndaj, reforma në administratë duhet parë si mundësi për ndryshime që do t;u shërbejnë jo thjesht premtimeve elektorale dhe fushatave të ardhshme, por ndryshimeve më rrënjësore e që zënë vend në forcimin e shtetit.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: