Ankthi vjeshtak i “borgjezit të mesëm”

Ankthi vjeshtak i “borgjezit të mesëm”
Nga Juela Meçani

Ndër miqtë e mi, janë edhe një çift nga shqiptarët e Maqedonisë, - të dy intelektualë, në poste drejtuese në fushat e tyre, në institucionet e atij shteti. I kam takuar shpesh. Ndër të tjera, kemi biseduar edhe për politikën, - bashkëshortë janë, por me pikëpamje të ndryshme politike. Nuk mund të thuhet se Maqedonia ka pasur një klimë të qetë politike nëpër vite, madje, ka qenë e ashpër. Veçanërisht mes milituesve në partitë shqiptare, ka qenë lufta më e ashpër. Por ajo që më ka habitur në këto vite, është se të dy këta miq të mi dhe si ata shumë të tjerë, janë po në ato pozicione pune, të fituara me shkallë e pas shumë vitesh shkollimi dhe përgatitje.

Duke u nisur nga ajo që ndodhte në Shqipëri, por edhe nga fakti se Maqedonia nuk hyn në një vend shumë të zhvilluar në Ballkan, i kam shprehur atyre habinë se si është e mundur që, nga ndërrimet e pushtetit ose turbulencat politike, ata nuk janë prekur kurrë në pozicionet e tyre të punës. M’u tha shumë hapur se, kjo gjë në Maqedoni nuk ndodh. Këtë fakt e shumë si ky, mendoja teksa një mikeshë imja, më shprehte shqetësimin e saj mbi fatin që do të kishte vendi i saj i punës këtë vjeshtë.

E tmerruar nga ato që lexohen në media, e tronditur nga ato që nuk lexohen, por thuhen nëpër mjediset e administratës, mikesha ime ishte një ndër të shumtat e kësaj vjeshte, që po jeton me ankth vendimet e politikës, të cilat do të qarkullojnë në formë riorganizimesh, organigramash të reja, ristrukturimesh, shkrirje drejtorish, zhdukje dikasteresh e ku di unë se çfarë emërtimi do t’u vihet tjetër.

“Borgjezët e mesëm”, ajo shtresa e mesit, por që e artë nuk është më prej kohësh, janë zhytur përsëri si çdo katër vjet, në dilemën vjeshtake të absurdit. A do të kemi më punë? Atë ministër apo ministre, a e njoh? A do më marrë me sy të mirë? A e njeh ai kushëriri im? A kam rezervë ndonjë alternativë tek ajo ministria tjetër?

E ndërkohë, gërryen përbrenda krimbi i tmerrshëm i pasigurisë. Me se do e paguaj kredinë? Po këstin e makinës? Po vajza që ka filluar fakultetin? Ok, do tërheqim rripin shumë disa muaj, po më pas, si do të na vejë filli?

Kjo është një nga dramat më të mëdha në këtë vend të vogël. Pasi një specialist ka punuar disa vite, dinte nuk dinte, u specializua në një fushë, por vjen dikush nga lart e ia fshin si me magji nga “dërrasa e zezë”. Ose më saktë, e mban edhe disa muaj sa të mbyllë ca letra, se nuk ia ka haberin, e më pas e flak në rrugë. E kjo dramë përsëritet çdo katër vjet, si një torturë naziste.

Në këtë vend të vogël, kurrë s’mund të ketë bazament të fortë për pjesën më të madhe të popullsisë, shtresën e mesme. Ata njerëzit e shkolluar që paguajnë drita e ujë, që vënë në lëvizje turizmin se ndonjë fundjavë edhe arrijnë ta bëjnë në mal a në det, janë ata që marrin shtëpi me kredi se ndryshe nuk iu del, janë ata që shkojnë në spitalet shtetërore, janë të vetmit, ata, që blejnë libra e shkojnë në teatër. “Borgjezët e mesëm” të këtij vendi pseudokapitalist, pseudoeuropian, pseudodemokratik.

Janë po këta që nuk bëjnë zë kur i shtrydhin e i mbysin në taksa, që të trashen ca të tjerë të cilët janë pakicë, janë ata që blejnë sallatën e qumështin e fshatarit që vjen me autobus. Pra, o miq, janë të vetmit që mbajnë të lidhur zinxhirin ekonomik të këtij vendi. E çfarë bën halé-politika? I streson, i sëmur, u shtyp kokën, u shkallmon dinjitetin kolektivisht, në masë, të tërë, burra e gra, çdo katër vjet.

Ankthi vjeshtak i kësaj here, do të zgjasë ca se, pasi ka parë një ëndërr të keqe, dikush u zgjua një mëngjes, bëri lajm në media e ka bërë gati mbi 4 mijë bordero të fshira. Por është vonë, ata që lexojnë libra e shkojnë në teatër, nuk kthehen dot më në “vulgun” me para të këtij vendi demokratik!

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: