“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Arben Ahmetaj: Në 2018-ën, "Vitin e Skënderbeut", do emigrojnë 200 mijë vetë

“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Arben Ahmetaj: Në 2018-ën, "Vitin e Skënderbeut", do emigrojnë 200 mijë vetë
Satirë

Flet shoku Arben Ahmetaj: Në 2018-ën, "Vitin e Skënderbeut", do emigrojnë 200 mijë vetë

Gjigandi i Ekonomisë Socialiste, në letrën e tij dërguar rubrikës sonë, na ka shpjeguar se ç'ndikim do të ketë në fushën ekonomike, një vendim i tillë me përmasa të gjera dhe të thella patriotike, si ai i vendosjes së 2018-ës, si "Viti i Skënderbeut". E falënderojmë shokun Beni, që gjeti kohë dhe energji, për lexuesit tanë të pavarur ekonomikisht dhe politikisht.

Ja ç'thuhet në letrën e dërguar, e cila është mbushur plot ndjenjë, nostalgji dhe histori:

E dashur dhe e padashur "Antena Jashtë Familjes"! Them "e dashur", pasi më pëlqen kur shkruani për mua. Më vjen keq që kam shumë ditë që nuk jam pjesë e kësaj rubrike.

Nuk e kuptoj se përse ka ndodhur kjo gjë! Aq më tepër që tani kam marrë nën sqetulla edhe ministri të tjera, prania te ju është lehtësim shpirtëror. Me gjithë punët që më kanë ngarkuar, unë si gjigand që jam, gjej kohën për aktivitete të ndryshme kulturore, argëtuese.

Dje p.sh takova një ish shok të fakultetit. Si e sjell jeta, të takosh dikë me të cilin ke ndarë cingaren. Ai ishte bërë bos fare, ndërsa unë mbeta "i mesëm". Kishte emigruar në Itali, që në mars të vitit 1991. La shkollën dhe iku me anije, për një jetë më të mirë. Studionim së bashku anglisht. Doja edhe unë të ikja drejt Italisë, por ai s'më la që të nisesha për atje.

E kujtoj si sot atë moment kur ishim në mencë e po hanim bukë dhe marmelatë, përpara nisjes së tij. - "Joooo" në asnjë mënyrë, më tha! Dhe thërriste; -Ti nuk do vish, duhet të qëndrosh, se do i duhesh Shqipërisë, do i duhesh të ardhmes së vendit!"

-Jooooo, do vij edhe unë!, mbaj mend që i thashë. Me vrap shkova te Posta e Qytetit Studenti që të lajmëroja në shtëpi që do nisesha për në Itali. Po ku më linte ai.

-"Ti Beni nuk do vish!, më thoshte. Dhe i tha asaj punonjëses, një biondeje që ishte te banaku që quhej Silva; -Mos e lidh në telefon me shtëpinë, se ndryshe do bësh një krim të madh kundër vendit! -Ky njeri i duhet mëmëdheut!", thërriste. Pa ç'pa ajo biondja, e dëgjoi.

Mua s'më dëgjoi, se isha truplehtë dhe nuk ma kishte frikën. Edhe më tha shoku, tani që e takova; -Shyqyr që ishe 50 qillo, se të ishe i rëndë, nuk do të të kishte dëgjuar ajo punonjësja e postës, e do kishe ardhur edhe ti me mua në Itali. Kështu Shqipëria do humbiste një gjigand të ekonomisë, financave, punës, e përse jo, mandatin tjetër edhe të sporteve, bujqësisë, ndërtimit, energjetikës, marrë së bashku!"

Sa i mirë u tregua me mua. Kot nuk thonë. Shokët e fakultetit të asaj kohe janë të sinqertë. Ata i lidh fukarallëku, "lata 67 lekëshe" dhe "krevati marinar".

Sa mirë bëra që këmbëngula që të takoheshim. Megjithëse ai ishte bërë bos dhe unë mbeta një rrogëtar. -Ti Beni, kam bindjen se do e lulëzosh vendin,- më tha,- se je shumë punëtor, e shumë i thjeshtë. Dhe më kujtoi atë ditë kur u nis me anije për në Itali. -Marmelatën tënde ma dhe mua që ta merrja me vete, më tha, me sytë gati të përlotur. Unë këtë fakt nuk e mbaja mend fare.

Sa marmelatë ju kam dhënë njerëzve unë tani që kam qenë Ministër i Ekonomisë, si të mbaja mend marmelatën e para 26 viteve.

Nejse, se s'dua të zgjatem me detaje. Ama po ju them: Para se të ndaheshim me shokun, ai më pyeti; O Beni! Unë të njoh që student. Ke qenë shumë i mirë në mësime dhe shok për së mbari. Kam mendimin se do t’ia dalësh, në të gjitha fushat që të ka dhënë fushë të lirë Krreministri që të veprosh". Dhe nuk gabon, se ai më njeh mirë sa i aftë jam unë.

Këtë ngjarje që ja u shkruajta, e bëra për të treguar se shumë emigrantë e kapën veten atje ku vajtën. Ne këtu presim nga rroga. Kështu e ka jeta. Ajo është e ashpër.

Se desh harrova diçka. Më vjen vërtet keq që askush nuk e ka kuptuar Kryeministrin tonë, lidhur me idenë e tij për Skënderbeun. Duhet ta dini se pasi vdiq i madhi Skënderbe, mbi 200 mijë njerëz, shumica krahë pune, u larguan drejt Italisë vetëm në atë vit.  Neve si qeveri, na u larguan mbi 200 mijë, në katër vitet e para të qeverisjes tonë.

Turp për ne si qeveri! D.m.th turp për mua, të parit. S'kapëm dot as shifrat e kohës së Skënderbeut.

Ama zotohem këtu në emrin tim personal dhe në mbiemër të Kryeministrit Rama, se në kujtim të kësaj figure gjigande, d.m.th të Skënderbeut, planin e largimit nga Shqipëria të 200 mijë vetëve, unë do e realizoj vetëm për një vit. Këtë ja thashë edhe atij shokut që m'i njihte aftësitë që kur studionim së bashku për anglisht.

-Po kam besim te ty Beni, më tha. Unë të njoh dhe e di që je i aftë, që me dijet e tua ekonomiko-financiare, do ta realizosh këtë gjë...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: