“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Aty ku Kryeministri i jep vetë çertifikatat e pronësisë, heqja e tyre, nuk ndryshon gjë

“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Aty ku Kryeministri i jep vetë çertifikatat e pronësisë, heqja e tyre, nuk ndryshon gjë
Aty ku Kryeministri i jep vetë çertifikatat e pronësisë, heqja e çertifikatave, nuk ndryshon gjë

Burime mediatike bëjnë me dije se teksa Kryeministri ka qënë në Velipojë, ka vizituar Kompleksin Turistik të deputetit  Agron Çela. Kujtojmë se deputeti në fjalë i përket Lëvizjes Socialiste për Integrim, ish aleates së PS-së, deri sa u konfigurua tepsia e re.

Shpallim publikisht me rubrikën tonë: Rreth kësaj vizite, ka pasur një reagim të ashpër nga strukturat e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Kjo forcë politike, ka dalë me një deklaratë shkrimore, dërguar...

E ku tjetër, veçse tek AFP - Albanian Free Press, për AJF - Antena Jashtë Familjes. D.m.th, e ku tjetër veçse te gazeta jonë, e në rubrikën tonë që merret me këto lloj deklaratash.

Në këtë deklaratë që po e japim siç na erdhi, thuhet;

Dje, rreth mesditës, Kryeministri i votave të blera me paratë e hashashit, vizitoi në biznesin e tij një deputet nga forca jonë e fuqishme politike. Arsyeja e kësaj vizite, nuk ka qenë aspak çlodhëse, siç është përpjekur ta paraqesë "Media e Kazanit".

Bëjmë pyetjen; Ku u lodhë Kryeministri, që i duhej të bënte një çlodhje?

Apo u lodh duke hequr dhe veshur tutat e sportit, apo atletet?

Përse Kryeministri i gomoneve, zgjodhi këtë Kompleks Turistik, e jo ndonjë biznes tjetër?

Jo, or baron i drogës! Nuk na i hedh dot neve ti, e as ajo sh(p)ura jote mediatike, që mbahet me reklama prej parave publike. Ne e dimë mirë fort, se ti kastile ke zgjedhur të shkosh për vizitë te biznesi i deputetit tonë, që siç ta ka thënë "i rrjedh vetëm gjak LSI"

Ju doni t'i tregoni popullit, që neve socialisto-integralistët kemi përfituar nga tepsia, e kemi ndërtuar komplekse dhe biznese. Ju njohim mirë si jeni, sigurisht, pasi ju kemi patur haleatë në qeveri, që mos ju paçim herë tjetër.

Ju kërkoni ta bëni për veten tuaj, shokut tonë Agron. Por gaboheni!

Agroni ynë është si mbreti Agron. Jo vetëm i pasur, por edhe i besës. Goni do jetë i gatshëm të vijë të ndihmojë Ilirin, kur ky ta ketë nevojën, ashtu si mbreti Agron shkoi e ndihmoi në Maqedoni, ish presidentin, d.m.th. mbretin e asaj kohe. Nuk e tradhton Liken ai, or jo, sepse e di që po u largua nga tufa, e hani ju që s'keni lënë mik pa ngrënë.

Jo i menjëhershëm ka qenë përgjigja nga selia e hotelit ku qëndronte Kryeministri.

Letra është përpiluar nga dora e vetë shokut Rama, me ndihmën e Këshilltarit të tij të veçantë, shokut Fate Velaj. Ja ç'thuhet në reagimin e këtyre të dyve;

Paranoja e krijuar pas humbjes së pushtetit, shpik të tilla ide delirante. Një mendje tërësisht jashtë realitetit, krijon iluzione në subkoshiencë, që do i kishte zili edhe mendja më krijuese. Po sqaroj për ju mjeranë, se shokun Agron, deputetin tuaj e takova thjesht si mik, e jo për të treguar që ju si parti keni deputetë me prona.

Pse pak deputetë me prona kemi ne! Të jetë për krahasime, ju na merrni të keqen neve.

Sa ka Ben Ahmetaj prona, s'kanë 10 deputetë tuaj, të marrë një nga një, e bërë bashkë.

Hiqini dyshimet tuaja, të dashur ish miq, e mos u zini shumë me mua! Se ku i dihet mund të bëhemi prapë miq! Ku u lodha, pyetët. Po si more ku u lodh Kryeministri?

Unë që në mëngjes nxora pamje nga plazhi i Velipojës. Apo nuk ju lë Saliu të shikoni?! Nëse nuk i keni parë, po ja u nxjerr përsëri edhe këtu më gazetë. A shikoni rërën? Mbi të ka gjurmë këmbësh. I shikoni besoj? Apo mu ka zënë sytë makutëria për lekë?

Të kujt janë ato gjurmë? Ja ku po ja u them; Ato gjurmët e mëdha janë të Ben Ahmetajt. Ato të voglat, janë të miat. U bëra lëmsh. Po të miat ora janë ato të mëdhatë, të kujt tjetër. Bëra vrap në rërë që herët në sabah, me Benin. Vraponim dhe flisnim për ekonominë. Flisja unë, se Beni më shumë dëgjonte e mbante shënime.

Patëm edhe një ngatërresë. Miqësore sigurisht, që po ja u tregoj edhe juve.

I thashë Benit; O Gjigand, sa do e rrisim ekonominë këtë mandat? Nuk e mora vesh ç'më tha, se kishin zhurmë dallgët e detit. Po më bënte me dorë, duke më treguar pesë gishtërinjtë e njërës dorë. Të dorës së majtë, sigurisht.

Ndaj dola më deklaratë që do e rrisim ekonominë me 5 %. Kur e mendoj që ja kam futur kot, vetëm se Beni më tregoi pesë gishta. Imagjinoni sikur të më kishte treguar të dy duart! Sa gallatë do ishte. Do dilja e do thosha se ekonominë do e rritja me 10% në vit, siç dolëm bashkë kur ishim në qeveri dhe thamë që unë e Likja hapëm në katër vite mbi 300 mijë vende pune. Sa gallata kemi bërë bashkë atë kohë!

Kthehemi te problemi; Gjatë vrapit buzë detit, u lodha aq shumë, sa mendova të çlodhesha. Pyeta veten; Ku të shkoj të pushoj? E në mendje më erdhi miku im Gonia. Kaq! Kjo ishte e gjitha rreth atij takimi. Tani në mbyllje desha t'ju them diçka të sinqertë;

E morët vesh besoj që për 100 ditë, institucionet nuk do i kërkojnë qytetarëve, çertifikata?

E di që kjo thënie e imja është pritur me gëzim nga mileti. Këtë lloj mileti kemi, në fakt. Gëzohen me pak. Shpresojnë se kjo do ju rrisë bukën në sofër. Nuk gjykojnë shumë.

Në një vend të pastrukturuar institucionalisht si Shqipëria, ku Kryeministri shkon vetë dhe jap çertifikatat e pronësisë, nuk ka për të ndryshuar gjendjen, heqja e çertifikatave.

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: