“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Leli: Si Edi Rama donte të më arrestonte!

“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Leli: Si Edi Rama donte të më arrestonte!
Satirë

Flet Kryetari i Bashkisë së Vlorës, shoku Dritan Leli: Si Edi Rama donte të më arrestonte!

Rubrika "Antena Jashtë Familjes" ka menduar të mbyllet, në vendin ku filloi shteti shqiptar. E kemi llafin; të mbyllet me një intervistë, për muajin shtator.

Pra siç ju treguam në fjalinë tonë të parë, ishim në qytetin e Vlorës, në atë qytet ku zien puna për prishjen e godinave, pa dhe më shumë, me leje ndërtimi. Bëjmë me dije se në dalje të qytetit na priti vetë Kryebashkiaku, shoku Dritan Leli. Pritja ishte e miqësore dhe shumë e ngrohtë. Ngrohtësinë e ndjerë edhe sepse ishim ulur mbi stolin e ri, prej xhami. Ja bashkëllafosja e bërë me të:

Antena: Përshëndetje shoku Dritan!

Shoku Dritan: Hë mo derman erdhe? Shyqyr se, plasa duke të pritur!

Antena: Më falni shoku Dritan, por u vonova ca nga rruga. Nga ajo nga Fieri, në Vlorë.

Shoku Dritan: Eeeee është ca pr’ibret ajo rrugë. Na e lanë peshqesh ata të LSI-së. Katër vjet që i kishim pjesë të tepsisë, nuk e bënë, që nuk e bënë. Taksirati ynë thuaj, që na mbeti të vuajmë! Do bëhet këtë mandat "që kemi timonin", me patjetër. Na e ka premtuar këtë gjë, vetë Kryeministri.

Antena: A ju lumtë goja, se duhet ajo rrugë. Ju përgëzoj për këtë shëtitoren që keni bërë! Vërtet e bukur. Dalja nga Vlora qenka një mrekulli.

Shoku Dritan: Këtë e kemi hyrjen e Vlorës, ne. Gjithë njerëzit që vijnë, këtu i presim.

Antena: Vërtet bukur! E paskeni bërë dritë. Në kuptimin që, këtu bie edhe drita e diellit. Neve në Tiranë kur duam dritë, shkojmë në Durrës, ose në majë të Dajtit.

Antena; Po ç' Durrës më thua, o derman! Durrësi nuk ka dritë fare. E ka bllokuar me pallate Gjushi. Shumë gabim bëni që shkoni atje! Hajdeni ore në Vlorë, merrni dritë, se ju mbyti errësira. Unë për këtë dritë lashë zanatin si doktor, e ju futa politikës.

Antena: Si e latë zanatin për dritë?! A mund të ma shpjegoni, ju lutem, se nuk e kuptoj? Aguridhe hesapi!

Shoku Dritan: Isha doktor imazherist, nëse e dini. Gjithë ditën rrija mbyllur në dhoma të errëta. U mërzita me atë zanat. Ndaj i thashë vetes: "Duhet lënë ky zanat, e duhet dal në dritë!". Kur e kujtoj tani, sesa të vështirë e kisha kur dola. Mezi u ambientova. Isha mësuar në errësirë, e kur dola jashtë, nuk shikoja fare. Ngadalë, ngadalë u mësova. Në fillim dilja në qytet vetëm një orë, që mos të më dëmtonte sytë drita. Pastaj fillova ta shtoja kohën e daljes. Me thënë të drejtën, në fillim edhe Vlora nuk kishte shumë dritë. E si të kishte, kur e kishte bllokuar Shpëtimi, me pallate. Bëra mirë që e lashë atë zanat, megjithëse tani fitoj më pak lekë. Ja thashë edhe Kryeministrit, kur e takova herën e parë, se përse doja ta lija zanatin e doktorit. E di ti, që kur e takova Edin herën e parë, desh më arrestoi.

Antena: Desh ju arrestoi?! Po ky qenka lajm i thënë ekskluzivisht për mua. Po përse?

Shoku Dritan: I shkova në zyrë.. Sa më pa, thirri; Paska ardhur Françesko Beketi, ai mafiozi që jeton rehat në Londër. Arrestojeni! Nejse, kohë të kaluara ato.

Antena: Mora vesh që do vendosni stola "inteligjentë" në këtë shëtitore. E vërtetë?

Shoku Dritan: Tamam e keni marrë vesh. Tani pikërisht jeni ulur mbi një të tillë.

Antena: Nuk e vura re fare. Qenkan me xham. Shumë të bukura, duken. Si ju shkoi në mendje të vendosnit stola të tillë?

Shoku Dritan: Ishte ideja e Kryeministrit, në fakt. Erdhi një ditë këtu në Vlorë me Romanën.

Antena: Me atë çupën që është e dërguar nga Evropa?

Shoku Dritan: Po, po me të. Po kërkonte ajo të fliste më telefon me ata shefat e saj në Bruksel, por nuk kishte baterinë e celularit të karrikuar. Në Vlorë, na ikin dritat ndonjëherë. Për fat të mirë edhe atë çast nuk kishte drita. Ajo i tha Kryeministrit: O Edi, përse nuk vendosni ca stola që thithin energji nga dielli? Kështu që njerëzit mund të karrikojnë bateritë e telefonave, meqë ata të LSI-së nuk siguruan drita pa ndërprerje, mandatin tuaj të parë. -Ide e shkëlqyer, tha Kryeministri. Po ku t'i gjejmë këto stola? -Prodhojmë neve më Kroaci stola të tilla, i tha Romana. Porosisni ca të tilla në Dubrovnik!

Antena: Romana, e paska bërë një të mirë për Vlorën!

Shoku Dritan: Se mos vetëm për Vlorën. Si ajo çupë s'vjen më në Shqipëri. Ajo edhe në raportin e saj që ju dërgoi shefave në Bruksel, tha që kemi luftuar drogën. Kush e thotë këtë gjë, badiava. Ajo as një peshk nuk ka ngrënë qyl, kur ka ardhur këtu në bregdet. Nuk ka si kroatët. Popull i mrekullueshëm. Na duan shumë.

Antena: Na duan vërtet, po Ballist Morinën ama po e mbajnë në burg, e ka rrezik që ta çojnë më Serbi.

Dritan Leli: Nuk do e çojnë, mor jo. Do dalë së shpejti ai, o derman! Kishte folur Kryeministri ynë me atë Shqipe Mesiçin, që ka qenë President i Kroacisë. -Mos u mërzit, se do dalë nga burgu, i kishte thënë Shqipja.

Antena: Ai e ka emrin Stipe, mesa di unë. Po ky nga e di që do dalë Ballisti nga burgu?

Dritan Leli: Ai tamam e ka emrin Shqipe. Se është shqiptar me origjinë. Kanë shkuar të parët e tij në Kroaci, që nga kohën e Skënderbeut, kur bënte tregti më Raguzën. Vajtën dhe ndënjtën atje. Ma ka thënë vetë Kryeministri ynë, këtë gjë mua. E pe parvjet si kishte shkuar në Tetovë ai dhe kishte vënë qylaf shqiptar në kokë? Ndaj e vuri në kokë, se e di edhe ai vetë që është shqiptar. Dhe në biseda dyshe, nuk e mohon këtë fakt.

Antena- Ju kuptoj! E kishim llafin te Ballist Morina. Mendoni se do dalë nga burgu?

Shiku Dritan; - Sigurisht që do dalë. Megjithëse na i ka ca inatin Kroacia neve, që marrim miell nga Serbia, por populli i Vlorës, do arrija ta nxjerrë. Vlonjatët e kanë treguar veten që janë në ballë të patriotizmit.

Antena: Çdo bëjë populli i Vlorës, për ta nxjerrë? A mund ta dimë?

Shoku Dritan: Si ç'do bëjë?! Ja pra këtë që po bëj unë. Ky stol që ke ulur menderen zotrote, është blerë në Kroaci. Do blejmë edhe 19 stola të tillë. E di ti p.sh., që një stol inteligjent në të cilën është ulur vetë Obama kur ishte President, u ble nga bashkia e Bostonit për vetëm 2500 $? Nuk ke nga ta dish! Ne do e blejmë nga kroatët, për 20 mijë $. Kështu atyre do ju bëjmë qejfin, e do lirojnë Ballistin. Ç'rëndësi ka harxhimi i parasë publike, kur në mes futet patriotizmi! Ballistin do e lirojmë, me çdo çmim! Personalisht, si biçim i majti që jam, mua do më pëlqente që ai djali ta kishte vënë emrin Partizan Morina. Megjithatë edhe Ballist, nuk është keq. Fundja në Luftën e Gjormit, luftuan bashkë, partizanë, e ballistë. Më pas u ndanë, për "tepsinë" edhe ata. Të ndan tepsia mor vëlla, të ndan. Ishallah s'më ndan mua shpejt thuaj, se kush shkon prapë në errësirë, nëpër salla spitalesh. Çohemi tani!

Antena: Të rrimë edhe pak shoku Dritan, se qenka rehat këtu te ky stol. Apo keni punë?

Shoku Dritan: Duhet të çohemi se i lamë njerëzit pa karrikuar telefonat. Vijnë edhe nga fshatrat e largët, i karrikojnë këtu te ky stol, se ju ikin dritat në shtëpi...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: