“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Lulzim Basha: Nuk e di kë parti kam votuar në zgjedhje! I kërkoj falje Bamir Topit!

“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Lulzim Basha: Nuk e di kë parti kam votuar në zgjedhje! I kërkoj falje Bamir Topit!
SATIRË

Lulzim Basha shkruan hapur: Nuk e di kë parti kam votuar në zgjedhje! I kërkoj falje Bamir Topit!

"Antena Jashtë Familjes" ka mundur të sigurojë një dokument tepër sekret, nga Selia e PD.  Edhe këtë radhë ne nuk e tregojmë personin që ja dha gazetarit tonë Tahir Avazi, këtë dokument. Në fund, është firma e vetë drejtuesit të saj, shokut Lulzim Basha. Ja ç'shkruhet në të:

Të dashur shoqe dhe shokë. Siç edhe e dini, ne si Parti kemi kërkuar që në herën e ardhshme, votimi në zgjedhjet e përgjithshme, të jetë elektronik.

Ja kërkova edhe dje atij Flankejshtajnit që erdhi e më lutej në zyrë që të jepja ndonjë mendim të kualifikuar për Bashkimin Evropian, meqë jam ekspert në çështjet ndërkombëtare. Ju besoj e dini që jam ekspert. Dini edhe që unë personalisht, si parti, kam kërkuar votim elektronik.

Përse e kemi kërkuar ne këtë gjë? D.m.th, përse e kam kërkuar unë, e pastaj pas meje edhe juve që s'ma bëni llafin dysh, se ndryshe e gjeni veten duke pirë ndonjë gotë me Patozin në shtëpitë e tij të shumta në Sarandë dhe Vlorë, e anasjelltas. Sigurisht që ka pasur shumë arsye, e unë nuk dua të merrem me to.

Po rreshtoj disa prej tyre, në rend alfabetiko-holandisht.

a) Votimi, duke qenë elektronik, do më japë një mundësi që deri tani nuk e kam. Unë do të votoj edhe duke qenë në Holandë.

Dihet tashmë prej jush, që pothuajse në çdo fundjavë, unë i hypi avionit dhe shkoj atje. Ja ku është fundja, dy orë rrugë e shumta. Më shpejt shkoj atje, sesa shkoj në selinë e partisë, që më merr dy orë rrugë nga shtëpia.

Do jetë mrekulli sikur votimi të jetë elektronik. Imagjinoni! Unë në Utreht, duke shëtitur buzë ndonjë kanali me ujë të pastër, apo ulur nën bythën e ndonjë peme shekullore. Larg zhurmave dhe debateve; jo ma fute, e jo përse s'ma fute, emrin në listë. Mendja do jetë e kthjellët. Do kem mundësi të reflektoj edhe për ndonjë gabime që kam bërë, se helbete njerëz jemi. Ajo freski, ai ajër i pastër që të mbush mushkëritë me oksigjen, do më mbushë edhe trurin, se vajti ca kohë më është bllokuar fare, e nuk di ku jam. Kështu, nën ndikimin e këtyre faktorëve ambientalë që theksova, do jem më i qetë, e do di për kë parti do të votoj në të ardhmen.

Ja ku po e them; Unë nuk e di se për cilën parti kam votuar në zgjedhjet e përgjithshme të qershorit. Po, po! Nuk e di!

As e mbaj mend fare madje, nëse kam votuar, apo nuk kam votuar. Nuk më kujtohet ndonjë gjë rreth asaj dite. E sigurisht, që ka arsye që njeriu në këtë vend, d.m.th në Shqipëri, ta humbasë kujtesën. Në Holandë! Eh, atje është e çuditshme. Atje unë kujtoj gjithçka. Mbaj mend njëherë kur bleva një kostum që kushtonte 50 euro, kur isha student. Sa kostume kam blerë këtu në Tiranë unë tani, e nuk më kujtohen fare si ngjarje.

Jeta këtu në Tiranë është vrastare. Kur kujtoj që në Utreht, aty ku kam atë vilën e bukur, dal e flas me ketrin, më ikën mendja. O zot, them! Këtu në Tiranë kur dal nga Liqeni, më shumë flas me vete nga stresi. Ku ka ketër këtu. I fundit që kam prerë është para 35 viteve.

Kishte të drejtë Bamiri që ngatërroi kutinë e votimit. Atëherë ia vura fajin atij.

I ziu Topi. Tani e kuptoj mirë. I bëri topin karrierës, vetëm se ishte i stresuar.

Jo, unë nuk mund ta shkatërroj të ardhmen time si ai. Meqë kamera që të fotografoj votën nuk na lejon Evropa që të mbajmë në dhomën e votimit, unë do kërkoj votim elektronik. Kështu do kem mundësi të votoj nga shtëpia ime në Holandë. Nuk mund të rrezikoj, e të votoj këtu në Tiranë me fletë votimi, se pastaj e pësoj si Bamiri.

b) Votimi elektronik do mundësojë zhvillimin e vendit. Do ketë drita në çdo skaj të vendit dhe internet edhe në fshat, qoftë edhe të humbur. Kërkesa ime për votim elektronik, do nxisë këtë qeveri të krimit, që të investojë fuqishëm në rrjetin energjitik dhe kompjuterik.

Do mbetem më histori si njeriu që zhvilloi vendin. Se pa shkak, nuk ka pasojë. Përse qeveria investoi në energjetikë, do pyesin të huajt?-ja u kërkoi kryetari i opozitës, do i thonë ambasadorët këtu. Kush është kryetar i opozitës, do thonë ata jashtë. Është Lul Basha, do i thonë prapë ambasadorët këtu. E kështu, do më rritet emri edhe fama më botë.

c) Fshatarët do më duan më tepër. Kërkesa për votim elektronik, do i bëjë ata që të blejnë kompjutera, apo telefona moderne. (Le që këtë të fundit shumë prej tyre e kanë, se i përdorin për të kapur gocat e gjimnazit.)

d) Edhe kur të humbas zgjedhjet, (se që do i humbas e di unë), të paktën do humbas në mënyrë moderne. Njerëzit do thonë për mua diçka të rrallë, kur mos të jem në politikë; Luli! Eh, Ai ishte një humbës modern, humbësi i parë i votimit elektronik. Jo si tani, që thjesht thonë; Luli është një humbës!

Ka një diferencë të madhe midis një "humbësi modern" dhe një "humbësi". Po mos të kishte, nuk e fuste edhe FIFA, sistemin elektronik...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: