“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Monika Kryemadhi: Nga sot, do të mbështetem vetëm te bishti i lopatës

“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Monika Kryemadhi: Nga sot, do të mbështetem vetëm te bishti i lopatës
Monika Kryemadhi: Nga sot, do të mbështetem vetëm te bishti i lopatës.

Dje ishte përvjetori i 13-të i themelimit të LSI-së. Thashë ta bëja pushim, të gëzoja edhe unë, si ditë feste. Po ku të lë kryeredaktori. -"Shko dil e puno!", më tha. Mbete brenda, o dembel! S'ia mbajti të më thoshte "dembel Stambolli", se javën tjetër do të shkojë për vizitë në atë qytet. Le ta thoshte, po të ishte trim.

“Dil ore në terren, e më sill lajm!", më tha. Dola me përtesë dhe lajmin ia dërgova me e-mail.

Ja këtë lajm që po ju sjell edhe juve, lexues të rubrikës;

Shoqja Monika Kryemadhi është parë dje në vendin e quajtur "Fusha e Aviacionit", dy kilometra e ca qindra metra jashtë qendrës të Tiranës.

Burime nga LSI-së bëjnë të ditur se shumë banorë të zonës, nuk e kanë njohur shoqen në fjalë, kur e kanë parë. Kjo për shkak të pamjes së saj, tashmë shumë më joshëse se më parë. Siç bëhet e ditur nga zëvendësi i zëdhënëses së kësaj force politike, një banor i zonës, i është afruar dhe i ka folur shoqes Monika në gjuhën anglishtiane.

Për mirësjellje, shoqja Monika i është përgjigjur po ashtu në atë gjuhë. Kujtojmë se shoqja në fjalë e di mirë këtë gjuhë, pasi siç thuhet, një pjesë të parave i ka transferuar në disa ishuj ku flitet anglisht. Kuptohet, jo të gjitha paratë që ka.

Banori i Fushës, asaj së Aviacionit, i cili origjinën e kishte nga Mali, ai i Tomorit, vend ku i shoqi i shoqes Monika shkon shpesh, i është afruar Monit dhe i ka kërkuar që ajo të këndonte këngën "American Pie", që në shqip do të thotë "Byreku Amerikan".

Kërkesa është bërë pasi banori ka menduar se kishte të bënte me Madonën, këngëtaren e famshme amerikane. Kjo për shkak të pamjes së përafërt që ka marrë shoqja Monika, me Madonën. Pas kërkesës, një e dridhur ka kapur shoqen Moni.

Ka qenë bishti i lopatës që ajo mbante me vete, që ka bërë të mundur që ajo mos të rrëzohej. Siç shihet edhe në foto, shoqja Moni është mbështetur fort në të, d.m.th. ka kapur bishtin e nuk e ka lëshuar derisa e ka marrë veten përsëri.

Ne si redaksi, nuk e lamë çështjen me kaq. Kontaktuam në orët e vona të natës shoqen Monika në shtëpi dhe e pyetëm se si ndihej.

Ja bashkëbisedimi që bëmë me të:

-Alo, al..!

-Më thua edhe "alo" pale! Hë fol, që të foltë hoxha në rrëzë të veshit, inshallah!

-Jemi nga "Antena Jashtë Familjes". Po ju marrim që...

-Më falni, kujtova se ishte ai Iliri, ish kryetari i LSI-së. Vajti ditë që nuk po ma sjellë kokën në shtëpi. Që mos e sjelltë, se po e solli, ja tregoj unë. As dje në përvjetorin e 13-të të partisë, nuk u bë i gjallë, e të vinte të më takonte në shtëpi. Mbeti në Presidencë.

-Harrova fare që kishit përvjetorin ju si parti. Festofshi sa më shumë përvjetorë të partisë suaj, shoqja Monika!

-Ore ti antenaxhi! Po tallesh ti, apo si e ke hallin!? Po mirë bën, se për të tallur jemi bërë.

-Ju betohem që ju urova me shpirt, shoqja Monika!

-Po e kuptoj shpirtllëkun, por po te urimi i tillë e kam llafin. Nuk mund të më urosh në atë mënyrë. Mund të më thuash që festofshi sa më pak përvjetorë partie. Ky po që është urim, që ta dish mirë edhe ti.

-Unë s'para kuptoj mirë nga politika, shoqja Monika. Aguridhe hesapi.

-Unë dhe Iliri nuk e krijuam partinë që të jetojë gjatë, more shok. E krijuam me idenë që të jetë ca kohë vërdallë në jetën politike të vendit. Me të parë se do piqeshin rrethanat, do të hidheshim në sulm, të merrnim drejtimin e PS-së. Ikën 13 vite, e s'po e marrim dot.

-Përse nuk e morët dot atë parti?!

-Bëri para të madhe Edi në Bashki, ndaj. E mori ai, e po e mban. Ah moj 13-të, sa numër ters që ke qenë. Tamam si thotë besëtytnia popullore. Na gjeti pa tepsi. Korba, ç'na gjeti, thuaj! Mbetëm rrugëve. Hapu dhe! Vdekjen e prisja, pa-tepsillëkun, jo. Kurrë!

-Meqë ra llafi te tepsia, shoqja Monika. Vura re që ju morën mendtë kur një banor ju kërkoi të këndonit këngën "American Pie" të Madonës. D.m.th. "Byreku Amerikan". Përse?

-Si përse! Edhe më pyetni, pale. Sa më tha titullin me fjalën "byreku", m'u kujtua tepsia. Më ra vilania. O zot, shyqyr që kisha pranë lopatën, se kushedi si do përfundoja. Kisha vite pa kapur një bisht lopate me dorë. Që kur isha e re fringo. Po zoti qenka i madh. Ta sjell si me porosi, bishtin me gjithë lopatë.

-I madh është vërtet. Më vjen mirë që shpëtuat, e nuk pësuat gjë, shoqja Monika.

- Sa xhentilë që jeni. Shumë faleminderit nga ju! Kam marrë një vendim që dua që ta bëj publike, ekskluzivisht për ju, tani.

-Ekskluzivisht për ne!? U sa mirë! Me këtë rast i mburrem edhe kryeredaktorit, i them që e kam një lajm ekskluziv. Flisni ju lutem!

-Që sot e tutje, nuk heq dorë nga të mbështeturit në bishtin e lopatës. Ç'të bëj, s'kam ku mbështetem.

-Po ju keni plot rreth vetes, ku të mbështeteni, shoqja Monika. Ja p.sh. në foto po shikojmë që pranë jush është shoku Luan Rama.

-Ku i kihet besë Luanit, mor mik! Luanët të hanë të gjallë me gjithë lecka. Mua më la vetëm Iliri, babai i fëmijëve, e jo më Luani që fundja nuk e kam gjë. E si ka ardhur koha! Më parë i merrja paratë me lopatë, tani mbaj bishtin e lopatës bosh.

-Faleminderit për lajmin ekskluziv, shoqja Monika!

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: