“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Shkëlzen Doli: Do t’i kthej lekët bashkisë dhe Ministrisë së Kulturës!

“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Shkëlzen Doli: Do t’i kthej lekët bashkisë dhe Ministrisë së Kulturës!
   Satirë

   2. Violinisti, Shkëlzen Doli: Do t’i kthej lekët bashkisë dhe Ministrisë së Kulturës!

Ka qenë ky lajmi që mundëm të siguronim, lidhur me violinistin e Orkestrës së Vjenës, së Republikës së Austrisë. Pas koncertit që ai paraqiti për njerëzit, apo siç thuhet, performoi për publikun, sapo doli prej saj, z. Doli foli, sigurisht për rubrikën tonë. Themi "doli" nga koncerti, pavarësisht se ai ishte i dalë, pasi u krye mbi parkimin e Sheshit të Skënderbeut.

Ne iu afruam Shkëlzenit i cili na priti me atë buzëqeshjen e tij, tipike shqiptare;

Antena: Urime, urime! Më pëlqeu shumë koncerti juaj, z. Doli. Jo vetëm mua, por edhe publikut që, - në çdo kafene, dëgjon tallava dhe R&B, - i ka shijuar, jam i bindur. Në gjykimin tuaj, si shkoi koncerti? A jeni i kënaqur me çfarë bëtë në këtë shesh?

Shkëlzen Doli: Nein, jo shumë i kënaqur, me thënë të vërtetën.

Antena: Po më befasoni! Nuk e prisja këtë përgjigje. Më fakt nuk e kam problemin te përgjigja, por më duhet të bëjë pyetje të tjera, e ato nuk i kam përgatitur. Belaja ime, thuaj, që më shtohet puna! Ku qëndron problemi që nuk jeni i kënaqur?

Shkëlzen Doli: Prisja më shumë njerëz, në fakt. Pashë me bisht të syrit të djathtë, teksa luaja me violinë, që shumë karrige në shesh, ishin bosh.

Antena: Mos vallë për shkak të çmimeve? I kishit ca të kripura, në fakt... Apo m'u dukën mua, se helbete gazetar hesapi.

Doli: Nein, jo! Mendoj se shkaku është se, ky koncert nuk u organizua përpara zgjedhjeve. Kështu organizatorët e saj, ja varën fare qillon, - siç i themi ne shqiptarët. Edhe politikanët dhe biznesmenët e shumtë që vijnë në të tilla koncerte, këtë herë nuk erdhën, pasi nuk kanë interes shumë të duken e të shesin dëngla, në periudhë jozgjedhore. Gabova në strategji. Mend për herë tjetër. Radhën që vjen, do ta planifikoj mirë ardhjen këtu.

Antena: E si do e planifikoni? A mund ta dinë edhe artdashësit pasunarë të shumtë shqiptarë, që "vdesin" për muzikën klasike? Që mos të zihen të papërgatitur, apo gafilë, -siç i thonë në Austri?

Shkëlzen Doli: Më parë, do pyes se kur janë zgjedhjet. Ja ku po jua them; As paratë e shpenzimeve nuk nxorëm. Bashkia dhe ministria nuk është se do na japin shumë lekë këtë herë, më duket. Me ç'kuptoj unë: Ata nuk kanë interes të mbledhin njerëz, nëse nuk ka fushatë zgjedhjesh. Ketë që të thashë, mos e shkruaj!

Antena: Nuk e shkruaj, ju jap llafin! Po thoni që nuk jeni i kënaqur me shpërblimin d.m.th.? Si shqiptar që jam, nuk rri dot pa ju pyetur: Ore sa lekë fituat? Kot ta di, se po nuk e ditëm ne shqiptarët sa fiton tjetri, nuk na zë gjumi. Besoj se do ma thoni, duke menduar për pagjumësinë time dhe të lexuesve të mi. Sa fitoni, pra?

Doli: Për ta thënë nuk e them, se s’më lënë këta kolegët e mi joshqiptarë. Dua të them që, paratë e fituara, do t’i dhuroj. D.m.th. do jap një pjesë të tyre. Do mbaj disa kacidhe për veten, siç i thonë shqip. Bëj plot pará unë në Vjenë, e është gjynah të vij të marr këtu lekë, në vendin tim të dashur.

Antena: Do dhuroni një pjesë!? Po ky qenka lajm i thënë ekskluzivisht për mua! Ju falënderoj që e ndani me ne! Danke shën, shumë faleminderit, z. Doli!

Shkëlzen Doli: Do t’i dhuroj, posi! E mora këtë vendim që sa zbrita dhe pashë emrin e Nënë Terezës në aeroport. Kot nuk e quajta unë koncertin, "Shpirti shqiptar". E dini ju si është shpirti shqiptar, apo nuk ia kini fare idenë juve?

Antena: E nga ta di unë, z. Doli! Unë mavriu s'jetoj jashtë, që ta njoh shpirtin që ju njihni.

Shkëlzen Doli: S’e di ti, e dimë ne që s'jetojmë këtu. Turp nuk ju vjen, që nuk e dini? Shpirti shqiptar është i dhimbsur. Jo më kot kemi nxjerrë nga gjiri ynë, dhëmbshataren më të madhe të njerëzimit, Gonxhe Bojaxhiun. Kështu, pra. Edhe unë, duke patur një shpirt shqiptar, do dhuroj një pjesë të parave të fituara sot, nga koncerti. Me to, Orkestra Simfonike e RTSH-së, le të blejë ndonjë violinë, ose fyell, se lanë nam. Dalin jashtë e kërkojnë violina borxh. Në një vrimë i bien fyellit, se vrimat e tjera s'punojnë. Dhe një lajm ekskluziv për ju: Pagesën nga bashkia dhe Ministria e Kulturës, nuk do ta marrë. Ç'më shikon ashtu! Nuk jeni i kënaqur për këtë vendim që kam marrë?

Antena: Nuk di, a të gëzohem, apo të hidhërohem mor z. Doli! Se jam mësuar me këta këtu, që kur i falin autoriteteve ndonjë lekë, i kërkojnë më shumë pará më pas. O ja kërkojnë "cash", ose ndonjë tender. Nejse, shumë faleminderit që do dhuroni! Kur do dhuroni, nëse nuk është sekret financiar? A mund ta dinë lexuesit tanë?

Shkëlzen Doli: Nesër nga pasdrekja, do t’i dhuroj. Nuk më lë shpirti shqiptar pa dhuruar. Ja u thashë. Ky shpirt i madh i popullit tim, më frymëzoi që koncertin ta quaja “Shpirti shqiptar”.

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: