“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Shoku Koço Kokëdhima reagon për konsumimin e lartë të hashashit

“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Shoku Koço Kokëdhima reagon për konsumimin e lartë të hashashit
Shoku Koço Kokëdhima reagon për konsumimin e lartë të hashashit

Lajmi që publikoi edhe gazeta jonë, se në vendin tonë hashashi përdoret nga më shumë individë, krahasuar me vende të tjera, është pritur me gëzim nga politikani i suksesshëm, Koço Kokëdhima. Theksojmë se shoku Koço, ka qënë i mendimit që bima e hashashit, të legalizohej. Kërkesa e bërë prej tij, e kishte bazën te përfitimi që do sillte tregtimi, sidomos i produktit të vajit të hashashit, në tregun europian dhe përse jo, nëse do punohej me përkushtim e me baza shkencore, të kapej edhe tregu i largët amerikan.

Vetë shoku Koço, në faqen e tij të lëvizjes "Zgjohu", të cilën drejton, ka shkruar shkurt:

Pra, miq të dashur, siç e shikoni, është dashur studimi i huaj, që të tregojë largpamësinë e forcës sime politike dhe modestisht e them, edhe timen. E kam llafin për forcën politike, lëvizjen "Zgjohu", e cila do të jetë e ardhmja e politikës shqiptare në muajt dhe vitet e afërta në vijim, pasi edhe unë, personalisht, jam dhe ndihem i ri.

Shqiptarët, siç tregoi studimi, më kanë dëgjuar duke konsumuar hashash, më shumë se të gjithë ballkanasit, përjashtuar kroatët. Kjo tregon se ata, pra, vëllezërit e mi shqiptarë, i kanë marrë parasysh ato që kam thënë unë, për vlerat kurative të kësaj bime flori.

Çfarë tregon kjo: Kjo tregon se lëvizja Zgjohu, është bërë faktor real, nga jugu në veri. Konsumimi i lartë i hashashit nga shqiptarët, nxjerr lakuriq Edi Ramën. Në kuptimin që ai ka gabuar rëndë, kur ka menduar se shqiptarët nuk më duan, e nuk më dëgjojnë.

Në aspektin politik, shifrat e publikuara rreth konsumatorëve të hashashit, tregojnë se lëvizja "Zgjohu", do të jetë faktor në zgjedhjet e ardhshme. Ju bëj thirrje, gjithë përdoruesve dhe pirësve të kësaj bime, të votojnë forcën time politike, e cila është forcë që nëpërmjet lejimit të hashashit, i jep forcë trupit të individit. Duke i dhënë forcë trupit, i jep edhe shpirtit, kuptohet.

Zgjohu shqiptar! Bëhu me lëvizjen "Zgjohu"!

I juaji deri në thithjen e fundit të cigares së hashashit, Koçua!

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: