“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Taulant Balla: Rama ka gabuar! Gjermeni, duhet të ishte zv.kryeministre

“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Taulant Balla: Rama ka gabuar! Gjermeni, duhet të ishte zv.kryeministre
Satirë

Flet shoku Taulant Balla: Rama ka gabuar! Eglantina Gjermeni, duhet të ishte zëvendëskryeministre

Sapo mora vesh që qeveria do të nënshkruante një marrëveshje me deputetët e saj, u nisa për te vendi ku do bëhej e mundur një gjë e tillë. Antena jonë nuk mund të mos merrte pjesë në një ngjarje të këtyre përmasave, apo siç thuhet në gazetari, "në një eveniment të këtyre dimensioneve". Bëjmë me dije se nuk mundëm të arrinim në kohë, e të shikonim me sytë tanë këtë proçes kaq delikat. As firmat nuk i pamë, pasi na u bllokua motori i makinës, nga karburanti i përdorur, e u detyruam që në një pjesë të madhe të rrugës, të ecnim me këmbë. Kështu që, arritëm vonë. Në të dalë, takuam shokun Taulant Balla, Kryetarin e Grupit Parlamentar të PS-së, që duam ta falënderojmë për detyrën dhe gatishmërinë e treguar, për të bashkëllafosur me ne, e lexuesit tanë:

Antena: Përshëndetje shoku Taulant! Morëm vesh që nënshkruat një memorandum, apo siç përpiqemi neve në këtë rubrikë t'i themi shqip, "një marvëveshje-kujtesë". Deshëm të dinim se ç'përmban ky dokument, në terësi, e po mundët të na i thoni, edhe në pika të veçanta?

Shoku Taulant: Përshëndetje juve! Hë mo ç'kemi? Meqë jemi jashtë godinës ku u nënshkrua ky dokument, po i përgjigjem rubrikës suaj, "Antena Jashtë..."

Antena: Nëse do ishit brenda në godinë, nuk do i përgjigjeshit, d.m.th?

Shoku Taulant: Aty brenda edhe po t' ju përgjigjesha, nuk do merrnit gjë.

Antena: Si nuk do merrnim gjë?! Si është e mundur kjo?!

Shoku Taulant: Nuk ka valë brenda në godinë. Partia jonë është kujdesur që të vendosë antenë, që bllokon aparatet elektronikë dhe regjistruesin tuaj. Pse ç'jemi ne! PD-ja jemi, që është katandisur në rrumpallë! Shkojnë nëpër mbledhje ata me celularë e regjistrues. Ka rregulla partia jone, s'ka anarki.

Antena: Ju kuptoj shoku Taulant! Komplimente për joanarkizmin tuaj! Deshëm të dinim; Përse u bë e domosdoshme, nënshkrimi i një marrëveshje, midis palëve tuaja që ndërkohë jeni "një palë", pra PS?

Shoku Taulant: Sebep, apo e thënë shqip, shkak për këtë marrëveshje, u bëra unë, me thënë të drejtën.

Antena: Po thoni që ju ja kërkuat Kryeministrit, nënshkrimin e saj?

Shoku Taulant: Jo, jo në asnjë mënyrë nuk mund ta them këtë. Ideja ishte sigurisht e Kryeministrit, por shkaku isha unë. Këtë ju thashë. Mos u bëni si "mediat e kazanit" që shformëzojnë të thënat, apo siç i thonë në gjuhën gazetareske; deformojnë deklaratat.

Antena: Si ndodhi që u bëtë shkak? Besoj se do na e thoni?

Shoku Taulant: Megjithëse jam me nxitim, se do largohem, do ja u them. Ju e dini që për zëvendëskryeministre, shoku Kryeministër zgjodhi një grua.

Antena; Po e di këtë fakt. Një grua të re. Mesi, e ka mbiemrin, mesa mbaj mend unë dhe "shkodriane", mesa më kujtohet.

Shoku Taulant: Pikërisht atë! Sa e mora vesh që mbiemrin e kishte Mesi, u tërbova. Me hypi nervi, si atëherë në 21 Janar që ju hidhesha policëve.

Antena: Përse ju ndodhi kjo gjë, shoku Taulant? Ju shquheni për qetësi. Përse?

Shoku Taulant: Si përse?! Po si mund të përzgjidhet një shkodrane, me mbiemrin e një lojtari të Barcelonës. Shkodranët janë të famshëm për përkrahjen e tyre për ekipin e futbollit të Kombëtares së Gjermanisë, në përgjithësi, e të Bajernit në veçanti. A s'mund të gjenim një grua me mbiemër tjetër, neve në Shkodër! Unë për veten time për shembull, do vendosja shoqen Eglantina Gjermeni, në atë post, megjithëse nuk është shkodriane.

Antena: Tani kur e mendoj edhe unë; e denjë do ishte, besoj, përse jo!

Shoku Taulant: E denjë, si për emrin që ka, ashtu edhe për mbiemrin. Emri Eglantina, rrjedh nga Eglant, England. Pra Angli. Dihet që anglezët kanë qenë fise gjermanike. Mbiemri Gjermeni, dmth Gjermani. Imagjinoni për shembull një emër të tillë, në atë post. Do shkonte do e takonte Merkelin, pa problem fare.

Antena: Emri në fakt mund të përbënte pak problem, meqë Anglia doli nga BE-ja, pra nga sfera e ndikimit të Gjermanisë, mendoj unë. Gjithsesi; A ia thatë Kryeministrit këtë ide tuajën?

Shoku Taulant: Ku pyet Gjermania se doli Anglia nga BE-ja, or ti! Ata janë të pakapshëm. Nejse! Pse ç'më di mua ti?! Frikacak! Idenë time ja thashë edhe Kryeministrit.

Antena: Po ai ç'ju tha? Si e priti idenë tuaj?

Shoku Taulant: I di unë ato gjëra, më tha. -Ti hu, shko merru me drutë!

Antena: Kështu ju tha?! Shyqyr që nuk ja paska sharë!

Shoku Taulant: Mbetsha dru, nëse gënjej. Kështu më tha. Mos shitsha asnjë copë, nëse shtoj ndonjë gjë! Meqë ra llafi te drutë, a e more vesh studimin?

Antena: Cilin studim? Ka dale ndonjë studim për drutë? Për "të Librazhdit", apo për drutë në përgjithësi?

Shoku Taulant: Atë studimin që shpjegon me fakte që, nga fjala shqipe "dru", kanë ardhur të gjitha fjalët e tjera për drutë, në gjuhë të ndryshme. Dhe e dija, përpara se të bëhej ky studim. Ja u kisha thënë edhe partnerëve të mi evropiane, që më blejnë drutë. Nuk më besonin, kur ja u thosha. Na gënjen ti, më thoshin. Po pse kot merrem me dru, unë!? Kështu e bëj të famshme Shqipërinë në çdo vend, ku i çoj ato.

Antena: Ju lumtë, për këtë gjë! Kështu na rritet fama në botë.

Shoku Taulant: Shumë faleminderit! Mbaj mend njëherë kur takova ca gjermanë, që do ju shisja drutë. "Kam ardhur këtu, ju thashë-për të parë Bajernin e Mynyhut. -Me se merresh në Shqipëri? - më thanë ata - Me dru, bum-bum" - ju përgjigja unë. Më kuptuan sapo ju thashë fjalën "dru". Neve druve, kohë më parë në Gjermani ju thoshim "treau", më thanë ata. E kuptoni ju! Që në kohët e lashta, gjermanët i kanë marrë drutë nga në Shqipëri. Se kot nuk përdornin llaf të përafërt me tonin. E pra, unë vazhdoj traditën e vjetër shqiptare. Çoj dru në Evropë. Nuk ka më mirë se të ecësh në gjurmët e të parëve! Tani më falni se, më duhet që të largohem! Kam një aktivitet tepër të rëndësishëm për të bërë.

Antena: Veprimtari partiake, apo vetjake? A mund ta dimë edhe ne?

Shoku Taulant: Do shkoj pak deri në Paris. Luan Bajerni me Shën Zhërmenin e Parisit të mërkurën. Do shkoj me një deputet demokratikas, ta shikojmë në stadium së bashku. Edhe ai është tifoz "i thekur" gjerman, por "nein" më shumë se unë.

Antena: Mos ju shan Rama që do shkoni me të? Apo nuk ka problem...?

Shoku Taulant: Sporti i bashkon njerëzit. Ka bashkuar fundja një sheik arabo-myslyman që ka blerë dhe po bën me famë emrin e një shenjti katolik, "Shën Zhërme", e jo mos të na bashkojë ne shqiptarëve. Pastaj ne ndeshjen do shikojmë bashkë, fundja. Në stadium jemi miq! Forca Bajern! Forca Bavari! Booo, çfarë ndeshjeje pritët që të jetë!

Antena: Ashtu mendoj edhe unë. Do ketë rivalitet. Jo si ajo ku Librazhdi "hëngri" 12 gola për Kupë, nga Laçi. Shumë e nxehtë do jetë kjo në Paris. Plot konkurrencë. Flakë fare!

Shoku Taulant: A ti je rrotë! Diskuton për Librazhdin. Ku shikohen këta tanët! T'u thaftë goja! Mos ndill flakën, se bie në pyje, e më lë fukara. I përvëlon gjithë drutë, pastaj...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: