“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Veliaj-bukëbërësve: Ja u mbështjellshi sa më mirë konsumatorëve, bukën në qese letre!

“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Veliaj-bukëbërësve: Ja u mbështjellshi sa më mirë konsumatorëve, bukën në qese letre!
Satirë

"Antena Jashtë Familjes, vjen sot në këtë të premte me një Përmbledhje Politike të Shartuar, të ngjarjeve të ndodhura këto 120 orët e fundit. Në këtë PPSH, kemi përzgjedhur dy ngjarje që kanë të bëjnë me pozitën.

Doja të fusja edhe ndonjë ngjarje nga opozita, se më "çan veshët" kryeredaktori, më thotë mbaje informimin e publikut të balancuar, por ata të PD-së janë në gjumë. Ku të gjej përherë lajme për ta unë mavriu!

  1. Shoku Erion Veliaj, këshillon bukëbërësit: Ja u mbështjellshi sa më mirë konsumatorëve, bukën në qese letre!

Bashkimi i Shitësve të Bukës dhe Panines në Tiranë, ka përshëndetur vendimin e Kryetarit të Bashkisë, shokut Veliaj për heqjen e qeseve, të përdorura në mbështjelljen e bukës. Ata janë shprehur te gatshëm, që në vend të qeseve plastike, të përdorin qese prej letre, meqenëse kjo është material tërësisht i riciklueshëm. Ne kemi mundur të sigurojmë bashkëbisedimin e bërë ndërmjet Kryebashkiakut dhe përfaqësuesve të furrave pa dru, të bukës dhe panines.

Ajo është bërë në një furrë sekrete, pa praninë e medias. Nuk po e japim tani arsyen se përse ka ndodhur kjo gjëmë, pra që media mos të ishte aty.

Ja bashkëllafosja që ne kemi mundur të pikasim me anë të metodave tona të përthithjes sekrete të të dhënave:

- Shoku Erion Veliaj: Ja ku jemi, së bashku, në këtë takim, për një çështje që ka të bëjë me bukën e gojës të atyre qindra mijëra njerëzve që më duan, por edhe atyre të paktëve që s'më duan.

- Flasin bukëbërësit: Faleminderit nga tharmi i bukës sonë, shoku Erion! Ne si bërës bukësh, ju respektojmë dhe ju falënderojmë me të drejtë, që...

-Shoku Erion: Nuk keni përse më respektoni dhe të më falënderoni. Më mjafton vetëm vota juaj. Më ka thënë edhe mami që, të pranoj falënderime vetëm kur më filmon media.  Siç e shikoni, kamera sot nuk ka. Mendova të dilja njëherë pa to. E di që do më shajë mami për këtë gjë, por duhet bërë njëherë rebel njeriu, e mos ta dëgjojë mamin, megjithëse ajo i ka bërë kokën dhe dasmën.

-Bukëbërësit: Ne deshëm t'ju falënderonim që nuk ushtroni kontroll për cilësinë e bukës, për peshën e saj, për përbërjen, për pigmentet që hedhim! Ja për këto gjera. Ju lumtë që theksin e vini vetëm te qesja! Edhe neve jemi dakord që t'i heqim e mos t'i përdorim më. Boll po e helmojmë konsumatorin me ngjyruesit që hedhim përherë te buka. E pranojmë: Duhet të ndryshojmë edhe ne, ashtu siç po ndryshon çdo rrugë dhe rrugicë, në kuadrin e ndryshimit të përgjithshëm të Tiranës. Nuk na i lejon më edukata, që t'i helmojmë blerësit edhe me qeset plastike. Boll më! Po mbushet kazani i brumit.

Nuk mban më ujë, mielli serb dhe ukrainas. Ne ju falënderojmë që Inspektorati që merret me sigurinë ushqimore në Bashki, ka lënë mënjanë më kryesoren: kontrollin e cilësisë së bukës dhe po merret me qeset. Shumë faleminderit shoku Kryetar i Bashkise!

-Shoku Erion: Edhe unë ju falënderoj për mirëkuptimin. E rëndësishme është dukja, pamja e jashtme. Më ka thënë edhe mami p.sh. që, frutat dhe perimet tona në kohën e socializmit, shiteshin shumë lirë në Evropë, megjithëse ishin shumë më cilësore për nga vlerat ushqimore. E dini përse ndodhte një gjë e tillë? Sepse nuk kishin ambalazhim dinjitoz. Kështu, ne kuadrot e Bashkisë, në këtë kuadër, kemi vendosur që ju bukën ta paketoni në letër, mundësisht të bukur. Ne së shpejti do t’ju vëmë në dispozicion edhe letra me bukuramçe mbi to. Kam vëllain unë, "i qan" dizenjimet. Është mjeshtër i madh.

Kështu njerëzve do ju merret mendja nga ambalazhimi dhe do harrojnë cilësinë, e peshën. Më ka thënë mami, që buka rron shumë nëse e fut në frigorifer. Unë nuk e dija këtë gjë.

Më tha që, kur bukën e mbështjell fort, ajo nuk prishet, pasi nuk ka ajër qesja.

Para sa ta mbyll llafosjen, ju uroj: Ja u mbështjellshi sa më fort dhe mirë konsumatorëve, bukën me qese letre!

(Në këtë kohë një shitës ndërhyri duke bërë pyetjen: A mund të përdorim torba, pra çanta me material fanellatë, në paketimin e bukës? Përgjigja e shoku Erion ishte e menjëhershme:

- Do pyes mamin për këtë gjë, por mendoj se jo. Imagjinoni një blerës, p.sh. që vjen e merr bukën dhe e fut në torbë dhe atë e hedh në krah dhe me të del nëpër rrugë. Do thonë ata që s'më duan të mirën: Erioni "i vari torbën" blerësit.

Këtë unë nuk mund ta duroj, e kuptoni. Te cilësia e bukës e bëj një sy qorr, por kurrsesi te imazhi. Ai është faktori më i rëndësishëm i ecjes përpara të një politikani.

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: