“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Zbulohet dokumenti sekret, Mimi Kodheli: Na mungojnë ushtarët zbulues

“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Zbulohet dokumenti sekret, Mimi Kodheli: Na mungojnë ushtarët zbulues
Zbulohet dokumenti sekret, Mimi Kodheli: Na mungojnë ushtarët zbulues

Antena Jashtë Familjes ka zbuluar raportin e fundit, të përpiluar nga një raportues i rëndësishëm ushtarak. Ky dokument ruhej në masa të rrepta sigurie, në një kasafortë me kod. Agjenti ynë brenda Ministrisë së Mbrojtjes, ka mundur ta shtjerë në dorë këtë copë letër, nëpërmjet metodave tona sekrete, të të bërit për vete. Ja ç'thuhet në të:

"Intervistoi" për “Albanian Free Press”: Helidon Tahiraj

E Premte, dt. 8 Gusht 2017

Ministrja akoma edhe ca orë në detyrë, shoqja Mimi Kodheli, e shoqëruar nga disa ushtarakë të lartë, mori pjesë në prezantimin e disa ushtarëve dhe të bandës frymore të Ansamblit të mbetur të Ushtrisë, në Kodrat e Liqenit. Bëjmë me dije se, anëtarët e bandës ishin veshur çuditërisht me rroba të reja, por sigurisht me instrumente që mezi ju fryheshin pipat, e me zor ju dëgjohej zëri.

Si daulle u përdor daullja e dhuruar nga forcat turke, përdorur prej tyre në Betejën e Çanak-Kalasë, një shekull më parë. Daulles i kishin rrjepur lëkurën, si për të treguar se shumë vetëve, në atë betejë, "ju rrop lëkura", për së gjalli.

(Kujtojmë drejtorinë e marrëdhënieve me jashtë, që na e "ka bërë kokën daulle" e nuk na ka dëgjuar në kërkesën tonë, për shprehjen e falënderimit për palën turke, në dërgimin e daulleve për palën tonë. Këtë ta bëjnë, një sahat e më parë!)

Aktiviteti u krye pasdite, pasi paradite, për shkak të temperaturave gjatë ditës, mund t'i binte damllaja ministrit. (Në prapantezë: Anëtarët e bandës frymore nuk do të paguhen për orët shtesë të punës, pasi jemi keq me fondet, që i harxhuam për lopata në shuarjen e zjarreve gjatë verës, në zona të ndryshme të vendit.

Gjatë aktivitetit, aty në Kodrat e Liqenit, foli vetë shoqja Mimi, e cila theksin e vuri te rëndësia e rekrutimit të ushtarëve, sidomos në atë që ne e quajmë "Forcat e Zbulimit"

Ajo, me të drejtë, tha se, në këtë drejtim, kemi mangësi, pasi nuk ka prurje të reja cilësore në këtë degë të ushtrisë, si edhe nuk kemi mundësi të një trajnimi cilësor.

Sqarojmë se, jo më kot, aktiviteti u krye në Kodrat e Liqenit Artificial, pasi Ne si Ushtri, jemi në kërkim të individëve që kanë talent në fushën e zbulimit.

Në terren u krye edhe një stërvitje sekrete, me rekrutët e rinj, sipas planit të mirëmenduar.

(Pesë ushtarë nga më syshqiponjat që kemi përzgjedhur, u lanë të vëzhgonin në zonën ku para viteve '90, bëhej vëzhgimi i çifteve të dashuruara, aty lart te Liqeni.

Këta ushtarë, u maskuan dhe pritën për orë të tëra pas disa ferrave, se mos aty vinin "armiqtë", në rastin konkret djali me vajzën. Për disa orë me radhë ata qëndruan në të gjitha pozicionet; në fillim në këmbë, pastaj në gjunjë, pastaj me njërin gju në tokë, e në fund barkas, por asnjë çift nuk u afrua në rrezen e vëzhgimit të tyre vigjilent.

Me dhimbje e themi që stërvitja dështoi, por jo për shkak ushtarak.

Futja në treg e hoteleve, ka nxjerrë nga loja vendin që përmendëm më lart.

I mbetet detyrë Sektorit të Stërvitjeve, që të planifikojë dhe planizojë vende të tjera për stërvitjen e radhës të forcave tona zbuluese, pasi rendimenti i tyre, nga viti në vit, me keqardhje e themi, por po bie. E shumta që zbulojnë, është ndonjë llaf që ndonjë koleg ka thënë për kolegun tjetër dhe kaq.

Top Sekret; Dokumenti të mos shpërndahet!

Turp për drejtorin e Muzeut Marubi!

Pas lajmit që në Muzeun Marubi në Shkodër, është bërë një festë me karakter privat, nga Drejtori i këtij Institucioni, në redaksinë e rubrikës sonë ka ardhur edhe një letër, lidhur me çështjen në llaf. Letërshkruesi nuk e ka vendosur emrin e tij, duke preferuar të mbetet anonim. Ja edhe letra e shkurtër, që po e botojmë ashtu si na erdhi.

E nigjova edhe unë lajmin që në Muzeun Marubi është bërë festë, e disa vetë kanë hip edhe mbi tavolinat e këtij institucioni. Ky është një akt mjaft i rëndë. Si mundet të hipet në ato tavolina? Ku ku, për mu! Edhe ku, në institucion shtetëror!

Hipnin ata vajzat e organizatës MJAFT, kur bënin festa, por ata dinin ku dhe si hipnin.

Merrnin fonde, e festat i bënin në objekte private. Jo si ky merhumi, Drejtori i Muzeut Marubi, që fondet që merr, i bën digjitalizim. Por merr mor, merhum, merr lekë, e bëje festën në ndonjë lokal! Pak ambiente të bukura ka Shkodra, mor derdimen, mor qorr!

E ke mendjen te fotot e Marubit, ti! Po kujt i hyn në punë Marubi në këtë vend?

E ç'ishte Marubi, fundja! Një jabanxhi me gjak italian, që rrinte me aparat në dorë gjithë kohën. Bënte pallë, duke bërë foto. “Mbajti kujtesën e kombit shqiptar” - thonë disa.

Keq për kujtesë, jemi ne. Ne e kemi hallin te xhepi, ti e disa na tregojnë kujtesën.

A pika ty, që nuk di as për vedi!

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: