“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Zbulohet testi për punonjësit e Bashkisë: Kush nuk ju përgjigjet, largohet nga puna

“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Zbulohet testi për punonjësit e Bashkisë: Kush nuk ju përgjigjet, largohet nga puna
Satirë

Zbulohet testi për punonjësit e Bashkisë: Kush nuk ju përgjigjet, largohet nga puna

Rubrika "Antena Jashtë Familjes" në prag të festimeve që pritet të bëhen në vigjilje të tremujorit të saj, sjell për lexuesit dhe sidomos për punonjësit e Bashkisë së Tiranës, pyetjet e zbuluara, që përmban testi që do i bëhet atyre që punojnë në atë prag, që zhurmon përditë nga puna.

Sqarojmë se për të marrë këto pyetje, neve nuk paguam asgjë nën dorë. "Ka ikur koha e pagesave nën dorë", - na tha ajo gruaja që na e dha, pasi ia kërkuam vetëm njëherë.

Duke ju uruar studim të mbarë, i urojmë punonjësve në atë institucion: Suksese në testim! Qoftë ky test, një ogur i mirë për kronika më të mira televizive, në lyerjen dhe rilyerjen e kopshteve dhe çerdheve të kryeqytetit.

1. Shoku Erion Veliaj tha që në dy vjet jetë që ai ka në krye të punëve të mira në Bashki, turizmi i kryeqytetit u rrit mbi 2.5 herë. (Sigurisht që do rritej, se punon ai djalë).

Neve si komision duam të dimë: Sa do rritet turizmi kur të mbarojë hoteli 40-katësh, pas godinës së 15-katëshit të tanishëm?

Po kur të mbarojë së ndërtuari 42-katëshi, te Parku i Fëmijëve me emrin e poshtër

"7 Xhuxhat", sa do rritet turizmi në kryeqytet?

Si mendoni: Cila nga Kullat që Kryebashkiaku ka dhënë, apo pritet të japë leje ndërtimi, do të ketë ndikimin më të madh në rritjen e turizmit në Tiranë?

Sa do rritet turizmi në kryeqytet, kur te fushat e Qytetit Studenti, apo poshtë Digës së Liqenit të fillojë ndërtimi i apartamenteve dhe hoteleve?

Jepni mendimin tuaj!

2. Përse shitësit ambulantë të ardhur nga fshati, shesin në rrugë duke dalë dhe bllokuar kalimin e këmbësorëve?

a) Sepse e kanë inat rregullin

b) Se i shtyn opozita, apo

c) Të dyja bashkë

3. Nëse kryebashkiaku ynë, do të thoshte se turizmi nuk u rrit me 2.5 herë në krahasim me dy vite më parë, por me 5 herë, ku do qëndronte ndryshimi?

4. Duke mbetur te ky problem: Media mori vesh se turizmi në Kkryeqytet, gjatë dy viteve që drejton kryebashkiaku Veliaj, u rrit me 2.5 herë, krahasuar me më parë. Mirëpo kryebashkiaku harroi që të thoshte shifrën se sa ishte numri i turistëve dy vite më parë. Dhe asnjë media nuk ia bëri atij pyetjen, për të marrë vesh shifrën e turistëve të ardhur në Tiranë, në kohën e gjumashit Basha.

A mund të themi që edhe kundrejt Kryebashkiakut, ashtu si ndaj Kryeministrit, përderisa nuk bëjnë pyetje që shqetësojnë publikun dhe zbardhin të vërtetën, kemi të bëjmë me media tendencioze që, janë në dëm të kryebashkiakut, pra në "Media të Kazanit"?

5. Sa fëmijë ka marrë në krahët e tij, kryebashkiaku Veliaj gjatë këtyre dy viteve?

A kanë qenë ata më së shumti, djem, apo vajza? Nëse nuk e dini, përgjigjen e saktë, mund të hapni telefonat dhe të shikoni fotot e kryebashkiakut me fëmijët, e të llogarisni fëmijët qe kanë patur fatin të përqafoheshin prej tij.

6. Cili prej syve i ka lotuar më shumë Kryebashkiakut, kur ka qarë për fëmijët që i ka lënë regjimi i Sali Berishës, fukarenj? Nëse mendoni se i ka qarë Syri i Majtë, shpjegoni se përse ky sy! Apo mendoni se i ka qarë Syri i Mjaftë?

 

7. Gjatë këtyre dy viteve, janë rindërtuar 31 kopshte për fëmijë?

Disa kopshte, kryebashkiaku ynë i ka vizituar nga 3 herë.

Shtatë kopshte i ka vizituar 4 herë, secilën.

Nëntë prej tyre, nga 5 herë, secilën.

Gjeni sa herë në total ka qenë vizitor në kopshte, kryebashkiaku?

8. Më kuadrin turistiko-urbanistik; A duhet që shoku Erion të rishikojë lejet e ndërtimit për kullat që ka dhënë? (Në kuptimin që ato të jenë më të larta, e kështu të pranojnë më shumë turistë?)

9. I ndjeri përkthyes Adrian Klosi, ka thënë: "Skënderbeu nuk luftoi për vendin, por bëri më së shumti një luftë për hakmarrje, pasi Sulltani i vrau babain. Gjithashtu ai kreu një luftë me nuanca fetare. Ai u martua me një vajzë nga një derë shumë e njohur serbe, me Vojsavën nga dera e Brankoviçëve."

A duhet të shënohen këto thënie, në hyrje të shkollës që Kryebashkiaku i vuri emrin e përkthyesit të ndjerë?

A duhet që Kryebashkiaku të vendosë emrat e Vexhi Buharaja-s dhe Vedat Kokona-s, në shkolla, meqë ata janë përkthyesit tanë më të mëdhenj?

10. A e meriton mami i Kryebashkiakut një vlerësim, për dasmën që i bëri shokut Erion? Cili mendoni se duhet të jetë vlerësimi më i përshtatshëm?

a) Çelësi i qytetit

b) Mirënjohja e Qytetit

c) Qytetar Nderi

d) Të trija bashkë

Jepni gjykimin tuaj, duke u fokusuar te shkronja d, e vogël e shtypit.

(Pyetje shtesë, me zhvillim, për punonjësit shembullorë, që duan të ngrihen në detyrë.)

11. E meqë ra llafi te shtypi; A mendoni se ai po i pasqyron ashtu siç duhet, kronikat që ju dërgojmë? Nëse jo, ku duhet të përmirësohen? Ç'do të bënit ju më tepër, nëse do ishit operator i xhirimit të një përqafimi të Kryebashkiakut, me një drejtoreshë çerdheje, le të themi! A do i kërkonit asaj të buzëqeshte, megjithëse ka 45 fëmijë në një grup, apo do e filmonit pa buzëqeshur?

12. Vjeshtën e kaluar, ja u ngopëm fajin gjetheve të pemëve, se na bllokuan kanalizimet.

A mendoni se edhe këtë vit duhet të themi të njëjtën gjë, apo duhet të gjejmë një shkak tjetër? Jepni mendimin tuaj, se ç'mund të gjejmë!

13; Në librin e gazetarit të njohur Albert Zholi, (me kujtime nga aktori Reshat Arbana, që botohet në gazetën AFP), është një detaj ku tregohet se si Reshatit të gjorë, i vodhën pardesynë dhe shallin që kishte lënë në korridorin e RTSh-së.

A mos vallë Kryebashkiaku Veliaj e di këtë gjë, (që nëpër institucionet shtetërore "të vjedhin të grrijnë"), e ndaj mban veshur vetëm pulovër, apo këmishë.

A keni pikasur ndonjë hajdut në institucionin tonë të dashur?

Nëse po, kush është më i rrezikshmi dhe ku i ka dërguar paratë e vjedhura?

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: