Aurel Thellimi: Populli është kritiku më i mirë e më me shije

Aurel Thellimi: Populli është kritiku më i mirë e më me shije
Ai e kalon kohën mes Teatrit të Operës dhe baletit ku prej 18 vitesh është bariton, mes pasionit për muzikën e lehtë dhe hit-eve si dhe në aktivitetin në ambientet ku këndohet “live”. Sa ulesh me Aurel Thellimin dallon theksin e tij korçar por edhe temperamentin tipik të këtij qyteti. Aureli sapo është kthyer në aktivitetin e tij në teatër, por kur kolegët e tij pushuan, ai jo, ishte nëpër Shqipëri me Maratonën e Këngës organizuar nga TV Klan dhe festave familjare dhe ambienteve ku performon. Baba krenar i një djali dhe bashkëshort i koleges së tij bukuroshe, tradicional në shije, modern në pamje. Aurel Thellimi vjen në një rrëfim të gjerë në Albanian Free Press, mbi të shkuarën e të tashmen në muzikë si dhe mbi mendimet mbi jetën dhe familjen.

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Ju jeni korçar por keni shumë vite në Tiranë. Por vë re se e keni akoma theksin shumë të fortë të gjuhës....

Po, unë jam korçar që kam vetëm një muaj që bëra pasaportizimin në Tiranë, hahahaha, dhe kjo vetëm për shkak të një gjobe që mora.

Nuk do e kishe bërë pasaportizimin në Tiranë?

Jo, pse ta bëja. Nuk e doja, asnjëherë nuk e kam dashur. Nuk përshtatem dot me Tiranën e gjuha ndryshe nuk më shkon.

Që në vegjëli ke kënduar?

Kam filluar të këndoj që 5 vjeçar, ka qënë një opera “Liceistët” e vënë në skenë nga kompozitori korçar Josif Minga dhe atje më kanë marrë për një pasazh të vogël, interpretonin aty këngëtarë nga Tirana, Shqipe Zani, Gjergj Sulioti, Shpresa Spaho. Ka qënë një fat mendoj, që u zgjodha për këtë pasazh. Prej aty unë 6 vjeçar fillova të marr pjesë në festivalet e fëmijëve, kam marrë pjesë në dy festivale kombëtare në Shkodër, vitin e parë kam dalë në finale por nuk kam marrë çmim e në vitin e dytë kam marrë çmim të dytë me një duet me këngëtaren Shirli Polena. Më pas po në duet me Shirli Polenën, kemi përfaqësuar Shqipërinë në festivalin për fëmijë në Turqi ku kemi marrë vendin e dytë si shtet.

E quani vene me fat që keni pasur një fëmijëri të tillë?

E quaj privilegj të madh dhe kam pasur shumë prioritet sepse jam rritur në mes të artistëve të mëdhenj dhe artit të vërtetë, në një ambient artistik të shkëlqyer.

Kur e nis kaq i vogël, pas kaq vitesh kur e shikon veten, të ka ndihmuar kjo gjë apo i ke djegur etapat shumë shpejt?

Mendoj se më ka ndihmuar shumë sepse kam bërë klasifikimin e etapave. Gjithmonë i referohesha artistëve të mëdhenj që Korça ka pasur në atë kohë, psh mua më jepte lëndën e historisë Ermira Babaliu, të cilën unë e shikoja me admirim në atë kohë, nëpër festivale dhe në TV.Gjithmonë e kam vlerësuar zhanrin e muzikës që ajo ka interpretuar, si dhe mënyrën karakteristike. Edhe në muzikën e lehtë, ajo ka pasur nuanca që sot janë tendencë, trilat ajo i ka pasur në këngë. Po kështu Afërdita Zonja e më pas Eli Fara. Duke ndenjur në një rreth të tillë me këngëtarë e kompozitorë të mëdhenj që ka pasur Korça, kam pasur fatin që të bëja klasifikim e artit të mirëfilltë dhe atij të domosdoshëm.

Artit të domosdoshëm?

Kështu e quaj unë të kënduarit live, nëpër lokale ose në gëzime familjare. Sot psh shumë këngëtarë në Shqipëri e promovojnë edhe nëpërmjet dasmave sepse është mënyra e vetme për të jetuar dhe fituar, si artist, me këngët e tua.

Në dasma të pasurish ose personash të njohur, ka kënduar edhe Jeniffer Lopez apo të tjera këngëtare....ku qendron ndryshimi?

Eh po ato nuk e reklamojnë në rrjetet sociale, si ne. Në qoftëse ata këngëtarë e kanë të menaxhuar gjithshka nga një menaxher ose agjent, ne kemi një ndryshim kolosal, sepse vetëmenaxhohemi në çfarëdolloj mënyre. Si në anën e prezantimit të një materiali, si në anën e prezantimit të figurës. Të mendosh që një natë live ka shumë investime, si për femrën, si për mashkullin. Për këngëtaret femra ka një kosto më të madhe, sepse ato kanë grimin dhe veshjen, por edhe për këngëtarët meshkuj nuk mund të anashkalohet veshja. Nuk mund të shkosh të këndosh me të njëjtën këmishë ose pantallona. Pra është një lloj investimi që ka kosto por edhe duhet të ketë dëshirë, brenda saj. Pra unë mendoj që përsëri të duhet një indikator.

Dasma shqiptare është një farë institucioni kulturor, në Shëipëri, ka përmasa më të rëndësishme se kudo gjetkë...

Absolutisht, e thashë edhe pak më lartë. Në botë bëhet një kontratë paraprake me të zotin e dasmës se çfarë kërkon ai ose çifti që të këndohet, zgjidhet edhe lloji i muzikës së preferuar. Flitet e kontraktohet për pagesën, oraret, tipologjinë e muzikës. Kurse në Shqipëri je shumë i prekshëm e shumë gjëra janë relative. Prandaj edhe artistët, në Shqipëri, duhet të jenë shumë më të thjeshtë, ata bëjnë një jetë reale, nuk janë të distancuar nga realiteti, kjo gjë është shumë ndryshe nga bota. Mua më vjen shumë keq për kushtet në të cilat punojnë jo vetëm artistët e muzikës live por edhe për artistët e Teatrit të Operës dhe Baletit.

Siç e thashë edhe më lart, unë e kam për privilegj të jetoj mes artistëve të vërtetë, aty ku në çdo lloj përmase ka profesionalizëm, si në anën estetike ashtu dhe në komunikim. Por ata janë dhe ndihen të lënë pas dore. Në shekullin që jetojmë, kur muzika klasike vlerësohet gjithmonë e më shumë, në Shqipëri është gati inegzistente në anën mediatike, shumë pak prezente në radio e televizione. Të mendosh që brezi im është rritur me muzikën klasike, fëmijët janë vënë në gjumë me atë lloj muzike, e thënë me fjalë të thjeshta, ka qenë një mënyrë e qetë për të rritur fëmijë të qetë. Nuk e di a po rriten njësoj tani.

Por si e shpjegoni ju këtë përkrahje kaq masive të muzikës komerciale?

Komercialiteti është term shumë i gjerë dhe në Shqipëri keqkuptohet komercialja. Kjo është një pikë ku unë vetë, personalisht, nuk do të thoja komerciale por popullore ballkanike. Muzika jonë popullore ballkanike është pëlqyer nga këngëtarët, pikësëpari. Nuk mund të thuhet që është pëlqyer nga populli, se artisti edukon masën e jo anasjelltas. Mbi të gjitha, është pëlqyer nga këngëtari një material dhe i është përçuar popullit. Si mund të thuhet që imponohen shijet kur një këngëtar investon shumë për një këngë, pra nuk e bën atë me zor ose për ti bërë qejfin kompozitorit. Sot, unë mendoj, që punohet me strategji, në këtë pikë. Muzika live sugjerohet nga studio ku ti do të shkosh të punosh këngën. Në fakt duhet të ndodhë ndryshe, muzika duhet t’i përshtatet vokalit të këngëtarit. Por shpesh këngëtarët shkojnë në studio me pikëpamjen e qartë që unë e dua një këngë siç e ka bërë filan këngëtar dhe kompozitori e ka shumë të thjeshtë, se një beat është ai, i vendos një vijë melodike, përsëri siç e do këngëtari dhe ja ku u krye. Në fund na del që këngëtari e kënduaka këtë këngë se kështu e pëlqyeka masa. Jo, unë nuk jam fare dakord me këtë.

Po masa e gjerë, sipas mendimit tuaj, është selektive, me shije?

Munda ta them me plotë gojë, se, për sa i përket muzikës live, populli ynë ka shumë shije. Unë nuk kam qenë shumë në terren të muzikës live, jo se nuk kam dashur, se dëshira është shumë e madhe se fitimet tona aty janë. Por unë jam bariton në Teatrin e Operës dhe Baletit dhe kam pasur një aktivitet paralel që jam i detyruar ta respektoj. Kam disa vitet e fundit që nuk i kam thënë Jo punës me muzikën live. E theksoj këtë të fundit, sepse jetojmë në Shqipëri dhe mashkulli, kryefamiljari ka barrën më të madhe të mirëqenies së familjes dhe unë jam kryefamiljar, pavarësisht se koha ka ndryshuar. Dëshira ime është që familjes time të mos i mungojë asgjë. Ndaj jam munduar që me shumë sforcim, të punoj edhe në muzikën live, e në fundjavë të jem në shfaqjet e operës ku të kem edhe dy role paralelisht. Kështu kam vënë re që kam pasur një popull kritik shumë të mirë. Më kanë shprehur hapur se më shkon ose jo një tipologji muzike.

E pranon lehtë kritikën?

Më pëlqen kritika e çdo njeriu i bën mirë kritika por varet nga cila gojë vjen ajo. Ka një zakon të keq në Shqipëri që flitet me nënkuptime e kjo është diçka që mua kurrë nuk më ka pëlqyer. Gjërat e drejtpërdrejta i preferoj. Nuk do të kishte shkolla nëse njeriu do të ishte plotësisht i ditur e pa të meta.

Në cilën moshë erdhët në Teatrin e Operës dhe Baletit?

Kur isha 18 vjeçar është bërë një konkurs për të cilin kisha rezerva, mendoja se unë dija të këndoja, mbase egoizëm ose budallallëk, por vija nga një qytet ku i viheshe shumë rëndësi zbërthimit të fjalës. Unë, në ato kohë, isha shumë injorant mbi gjuhën italiane dhe shkolla e kantos bazohej shumë tek kjo gjuhë me të cilën ishin pjesët e kantos. Unë e pranoja realitetin e mosdijes time mbi këtë gjuhë, sepse unë doja të njihja tekstin mbi të cilin këndoja, që të ndieja emocionin e dramës që përmbante aria. Gjithmonë pyesja të mi shpjegonin tekstet. Ndaj mora guximin dhe konkurrova mes 63 vetave, fituam tre, mes të cilëve unë dhe e dashura ime në atë kohë, më pas bashkëshortja ime. Ishte fat sepse paralelisht mora edhe bursë sepse kisha një anë ekonomike që më plotësonte. Në 1997 kur unë mora pjesë në “Këngët e Stinës”, një këngë kushtonte 400 mijë lekë të vjetra e në atë kohë rrogat e prindërve të mi ishin shumë të ulëta e nuk e përballonin dot këtë. Ndaj isha i lumtur që do ta përballoja vetë këtë pasion, siç është muzika e lehtë.

Kishte në muzikën e lehtë një zhanër që preferoje?

Jo, nuk kam qenë shumë racional, më pëlqente muzika pop, ajo latine. Kam pasur këngëtare të preferuar të madhen Ëhitney Houston. Ajo ka qenë për mua një shkollë dhe një teknikë reference. Jo thjeshtë se kishte një ngjyrë vokali të bukur por sepse kishte një teknikë vokale që për ne që studionim për profesionin, përbënte një bazë me rëndësi. Po ashtu edhe Freddie Mercury ishte referencë për mua, jo vetëm për tonet e larta që rrallë këngëtar e ka sot por edhe sepse atëherë, edhe në botë, bëhej muzikë e vërtetë.

Pra në shije muzikore, “old fashion” por në stil veshjeje, shumë modern....

Epo tani unë vij nga një qytet si Korça hahahaha. Nuk dua t’i bëj elozhe Korçës, nuk hyj në mesin a atyre që janë shumë lokalistë dhe mbrojnë një gjë me fanatizëm, por e bardha është e bardhë dhe e zeza është e zezë. Ne vinim nga familje të thjeshta në mënyrën e të jetuarit, pavarësisht se ishin intelektualë, por në ato vite ishim të gjithë njëlloj. Një gjë kjo shumë e bukur. Nuk kishte në Korçë racizëm, nuk kishte kuriozitet të tepërt. Kishte oratori por jo llafe. Korça ta impononte veshjen, jemi rritur me ato bluzat me shtiza, sot i ofron tregu, asokohe i bënin me lesh të ngjyrosur e përshtateshin veshjet, në një dimër shumë të ftohtë. Sot mundësitë janë të shumta, unë nuk bëj klasifikim mes së shtrenjtës e të lirës, kur një gjë më pëlqen, e blej se më shkon e jo prej markës.

Po me bashkëshorten si je njohur?

Ka qenë një marrëdhënie që lindi nga mospëlqimi pra është nga ato rastet kur urrejtja kthehet në dashuri. Ajo ka studiuar me mua për kanto dhe sot është në korrin e Teatrit të Operës dhe Baletit, pra jemi dhe kolegë. Ne kemi qenë shokë në Korçë, ajo kishte antipati se unë bija në sy për veshjen në qytet. Mikesha jonë, Vikena Kamenica, na thoshte gjithmonë: “Ju të dy do bini në dashuri sepse urreheni, si prindërit e mi, që sot janë bashkë.” Ashtu ndodhi. Ramë në dashuri dhe kemi bashkëjetuar rreth 6 vite. Më pas bëmë një dasmë të thjeshtë në Korçë, ku e donin dhe miqtë tanë e më pas erdhi në jetë djali ynë. Ai më ka bërë të zbuloj që dashuria më e madhe është ajo për fëmijën.

Jeni një çift mes dy artistësh, kush e mban ekuilibrin mes jush?

Femra, në fakt, është më elastike e shumë më e zgjuar se mashkulli dhe elozhet i takojnë asaj. Në rastin tonë kemi pasur bashkëpunim dhe kemi këshilluar mirë njëri-tjetrin. Ajo gjithmonë më kritikon, unë në momentin e parë nuk ja pranoj, se është ajo krenaria mashkullore, por më pas reflektoj se ajo ka të drejtë. Ajo është mikesha ime më e mirë, më bën të jem vetvetja sepse problemi më i madh i kohëve që jetojmë është se e ke të vështirë të jesh vetvetja.

Keni pasur një verë të ngarkuar?

Është vera e disatë që jam shumë i ngarkuar, sepse falë edhe ardhjes së emigrantëve, ka shumë kërkesë për ne artistët edhe në gëzimet familjare. Je pjesë e kujtimit më të bukur të një familjeje dhe është emocion i veçantë. Dasmat tona janë si ato ballot dikur, kur mezi pritej të shpalosej bukuria, veshja, kërcimi.

Por djali ka marrë nga pasioni juaj?

Ka vesh absolut por jo, nuk ka të njëjtin pasion si ne. Por më vjen mirë sepse është një kritik i madh i imi dhe këngëve të mia.

I jep rëndësi teksteve të këngëve?

U jap shumë rëndësi madje, ato janë mesazhi. Në tre këngët e fundit të suksesshme, unë jam vetë tekstshruesi. “Çuna, goca, filloi vera, po na presin punë të tjera.”

Është një nga këngët e preferua të miat kjo...

Ne kemi qënë katër këngëtarë në këtë videoklip, me katër mendje e ritme të ndryshme por që këndonim bashkë. Hahahah, por me tekstin unë u bëja thirrje të linin sentimentalizmat e të punonin se filloi vera pra sezoni më i rëndësishëm në punën tonë. Pra me mesazhin se puna vërtetë të lodh fizikisht dhe emocionalisht por kur zgjohesh me satisfaksionin e punës dhe arritjet ekonomike nga puna jote, ndihesh i rigjeneruar, i realizuar. Madje është e shëndetshme edhe në marrëdhënien me partneren, të sjell mall largësia, shkëputesh nga përditshmëria, e kur kthehesh në shtëpi, ke të reja për të treguar.

Keni një projekt në duar tani?

Kam dëshirë shumë të marr pjesë në festivalin “Kënga magjike”, po punojmë mbi një këngë me një tekst shkruar nga Anxhela Peristeri dhe uroj të ngjitet në skenë.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: