Basha: Mbledhja me debate, jo konfrontime. S’do lejoj fraksione. Analiza, rreth atyre që nuk na tradhtuan

Basha: Mbledhja me debate, jo konfrontime. S’do lejoj fraksione. Analiza, rreth atyre që nuk na tradhtuan
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha njoftoi nisjen e një procesi analize në bazë pas rezultatit në zgjedhjet e 25 qershorit, ndërsa hodhi poshtë zërat se në mbledhje ka pasur konfrontime.

Sipas tij, në mbledhje ka pasur debat dhe dialog por komunikimi ka qenë konform normave dhe etikës.

Interesimit të medias nëse ka fraksione në PD, Basha ju përgjigj se sa të ishte ai kryetar i kësaj partie nuk do të lejonte fraksionet por se demokratët janë të hapur për debat dhe kritika në interes të përmirësimit të punës.

“Sa kohë të jemi unë kryetar nuk do të ketë fraksion në PD, por do të ketë hapësirë për këdo demokrat që të kontribuojë për qëllimin e përbashkët që është një qëllim kombëtar, jo thjesht qëllim i PD për të çliruar vendin nga zgjedha e krimit, nga bandat që qeverisin sot si aleate të denja të Ramës”, deklaroi Basha.

Ai tha se bashkimi i demokratëve do të bëhet me ata që nuk tradhtuan demokratët në 25 qershor.

“Bashkimi i demokratëve është bërë gjithmonë rreth atyre që demokratët nuk i kanë tradhtuar asnjëherë dhe që nuk i tradhtuan as në 25 qershor. Rreth vlerave si shqiptarë, si evropianë, si patriotë dhe rreth  qëllimit të përbashkët që ti shërbejmë qytetarëve shqiptarë”, vijoi Basha.

Sipas tij në mbledhje u mor një vendim unanim që është nisja e analizë dhe konsultimeve për të dalë nga ky proces me një PD më të fortë./l.k./

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: