Borxhi i jashtëm, vetëm rritet nga viti në vit

Borxhi i jashtëm, vetëm rritet nga viti në  vit
Borxhi i jashtëm që Shqipëria ka trashëguar nga e kaluara, por edhe ai që merr në vazhdimësi kundrejt vendeve të tjera, sa vjen dhe rritet nga viti në vit. Duke e bërë kësisoj  shlyerjen e tij, një proces gjithmonë e më të vështirë për qeveritë që shkojnë dhe vijnë. E në të njëjtën kohë, duke i shtuar çdo shqiptari “në kurriz” më shumë monedha në formën e një borxhi që secili e ka si “faturë” prej atij që shteti i tyre merr ndaj të tjerëve. Kjo dukuri konfirmohet nga vetë Banka e Shqipërisë, sipas të cilës, ky tregues në gjysmën e parë të këtij viti ka shënuar një rritje prej 23 milionë eurosh. Edhe pse në fakt, duhet thënë se gjatë tremujorit të dytë të këtij viti, borxhi i jashtëm si i tillë shënoi një rënie të dukshme të tij me rreth -129 milionë eurosh. Rënie kjo e konstatuar sipas ekspertëve kryesisht për shkak të rritjes së borxhit të brendshëm publik (para’ që qeveria i gjeti brenda vendit, përmes huamarrjes nga publiku përmes ankandeve të letrave me vlerë), por në të njëjtën kohë, edhe me përkimin e situatës parazgjedhore në vend, e cila u shoqërua me një ndërprerje të përkohshme të kontratave huamarrëse ndaj vendeve të tjera. Por që gjithsesi, as këta faktorë nuk kanë mundësuar një rënie nga viti në vit të borxhit të jashtëm të Shqipërisë dhe duke bërë që në fund të muajit qershor 2017, ai të vlerësohet në nivelin e 7.85 miliardë eurove. Teksa është pikërisht qeveria, asaj që i ngarkohet barra kryesore e marrjes së tij dhe më pak, bankave apo kompanive që janë të lidhura me një investim direkt.

“Sektori i qeverisë mban peshën kryesore në stokun e borxhit të jashtëm bruto”, citon vetë Banka e Shqipërisë. Duke saktësuar më tej se vetëm në harkun kohor të një viti, borxhi i jashtëm i këtij sektori është zgjeruar me nivelin prej 2% dhe në fund të muajit qershor 2017 arriti në nivelin e plot 3.391 milionë eurove. “Huatë e qeverisë nga ato të tërhequra pas viteve ’90 dhe ato të riskeduluara, të cilat vazhdojnë të jenë të negociueshme midis palëve”, sqaron më tej BSH-ja. Për të vijuar më tej me faktin se borxhi i jashtëm që bankat kanë kërkuar këtë vit u shënua rreth 1.3 miliardë euro, me një zgjerim në nivelin prej 5% ose 59 milionë euro në krahasim me një vit më parë. Teksa në rënie duket se ka ardhur borxhi i jashtëm i tërhequr nga sektorët e tjerë shënon 1.2 miliardë euro, në rënie gjatë vitit me rreth 20 milionë euro. “Borxhi  midis kompanive të lidhura në një marrëdhënie investimi direkt arriti nivelin prej 1.7 miliardë eurosh, duke u zvogëluar në harkun kohor të një viti me 59 milionë euro”, saktësojnë ekspertët e BSH-së.

 

Rreth gjysmën e borxhit nga jashtë, rezulton se e ka marrë qeveria

Qeveria shqiptare rezulton se është krijuesja e sasisë më të më lartë të borxhit të jashtëm. Këtë e fakton vetë Banka e Shqipërisë përmes të dhënave të saj, sipas të cilave qeveria zotëron rreth 43% të totalit të këtij treguesi. “Pjesa tjetër e borxhit të jashtëm është e shpërndarë midis bankave, në nivelin prej 17%; sektorëve të tjerë me 17%; autoritetit monetar me 1% dhe huatë midis kompanive të lidhura në një marrëdhënie investimi direkt, që zënë nivelin prej 22% të borxhit të jashtëm”, saktësojnë më tej ekspertët bankarë. Të cilët argumentojnë mes të tjerash edhe faktin se akumulimi i këtij treguesi vijon të mbetet i përqendruar në formën e “investimeve”, të cilat përbëjnë saktësisht rreth 70% të stokut të tij. “Ndërkohë që ‘investime direkte’, shprehur në formën e huave midis kompanive  dhe ‘investimet e portofolit’ përfaqësojnë së bashku rreth 30% të totalit të borxhit të jashtëm”, shtojnë gjithashtu ata.

 

Shlyerjet e borxhit, gjithmonë në rënie

Ndërsa borxhi i jashtëm i Shqipërisë sa vjen dhe rritet, duket se nuk ndodh e njëjta gjë me shlyerjet e tij ndaj vendeve që ia kanë besuar atë. Sipas të dhënave zyrtare, ato sa vijnë dhe po pakësohen. “Pagesat e principalit, por edhe të interesit për të gjithë sektorët e ekonomisë, gjatë tremujorit të dytë të vitit 2017, shënuan vlerën prej 114.9 milionë eurosh dhe kanë ardhur në rënie krahasimisht me periudhën paraardhëse”, sqaron Banka e Shqipërisë lidhur me një dukuri të tillë. Duke sqaruar më tej sesi nga këto, rreth 77.1 milionë euro u paguan nga qeveria, 23.9 milionë euro nga sektorët e tjerë, 13.1 milionë euro nga sistemi bankar dhe 0.8 milionë euro nga Autoriteti Monetar. “Nga vlera gjithsej e shlyerjes së borxhit gjatë gjysmës së parë të këtij viti, rreth 88% e saj ka shkuar për shlyerje të principalit dhe rreth 12% ka shkuar për shlyerjen e interesave. Ku qeveria mban peshën kryesore në shlyerjet e principalit për tremujorin e dytë të vitit 2017, me rreth 67 milionë euro ose 66% të vlerës së përgjithshme të tij, si dhe peshën kryesore në shlyerjen e pagesave të interesit, me rreth 11 milionë euro ose 74% të vlerës së përgjithshme të interesave të paguara nga ekonomia”, thuhet më tej në raportin e posaçëm të bankës qendrore rreth ecurisë së treguesit të borxhit të jashtëm si i tillë ndër vite.

 

AFATI

Borxhi i jashtëm që Shqipëria gëzon aktualisht ndaj vendeve të tjera, rezulton që të jetë në pjesën më të madhe të tij, rreth 77%, me afat të gjatë kohor. E thënë ndryshe, pa një emergjencë shlyerje të tij ndaj kreditorëve. Por që gjithsesi, paraqet vështirësi për shlyerjen e tij, pikërisht për shkak të rëndesës ndaj tij ndër vite të interesave që i shtohen principalit të marrë në formën fillestare të borxhit si të tillë. Dhe këto lloj borxhesh mësohet se i ka marrë pikërisht qeveria. “Në rreth 77% të vëllimit, borxhi afatgjatë, është kryesisht në formën e huave të zotëruara nga qeveria e Përgjithshme. Kurse borxhi afatshkurtër zotërohet kryesisht nga bankat”, sqaron Banka e Shqipërisë lidhur me një dukuri të tillë.

 

 

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: