Bota Islame, Michael Jackson “përplas” traditat në filmin Egjiptian

Bota Islame, Michael Jackson “përplas” traditat në filmin Egjiptian
Një predikues musliman ultra-konservator egjiptian dëgjon në radio lajmin e vdekjes së Michael Jackson, këngëtarin e popit që ai e kishte idhull në adoleshencë, dhe shqetësohet aq shumë sa rrëzohet me makinën e tij.

Lajmi i vdekjes së Mbretit të Popit është fillimi i një krize të ndërgjegjes për Sheikh Khalid Hani, personazhi kryesor i filmit Sheikh Jackson, filmi i parë në Egjipt që fokusohet në lëvizjen fetare të njohur si Salafis, pasuesit e një prej interpretimeve  më strikte të Islamit.

Sheikh Hani, një Salafi, nga dashuria e tij për Michael Jackson niset në një udhëtim të vështirë për të zbuluar identitetin e tij, duke pasqyruar se si shoqëria konservatore e Egjiptit është duke “u përplasur” midis traditave islame dhe arabe dhe kulturës perëndimore në një epokë kur televizioni, telekomunikacioni dhe mediat sociale po bashkojnë njerëzit dhe kulturat nga të gjitha anët e botës.

Selefizmi është një nga sektet më të mbyllura dhe pa kompromis të Islamit. Kjo doktrinë është ndërtuar kryesisht rreth asaj që ndjekësit besojnë se është emulimi i veprimeve të Profetit Muhamed. Ato njihen lehtësisht nga mjekrat që shkon deri te gjoksi i tyre dhe rrobat që arrijnë nën gjunjë. Ata shmangin muzikën, filmin dhe vallëzimin si dhe ndikimet e jashtme, që duken si dekadente. Gratë mbulojnë edhe fytyrat e tyre.

Ndjekësit e saj e shohin jetën pak më shumë se një fazë kalimtare dhe përbuzin kënaqësitë e kësaj bote. Pavdekësia në qiell është qëllimi kryesor i tyre.

Por vdekja e Xheksonit ngjall te Hani obsesionin për këngëtarin që adhuronte në adoleshencë, kur ai imitoi pamjen e yllit të muzikës dhe lëvizjet e tij. Nga kjo fitoi pseudonimin “Jackson”, por edhe mosnjohjen e babait të tij.

Filmi do të dalë edhe në kinematë egjiptiane këtë muaj, ndërsa Egjipti e ka paraqitur si kandidat për një nominim të filmit të huaj më të mirë Oskar, kur nuk dihet sesi do të pritet kur të jepet për herë të parë në territorin delikat.

Mijëra islamistë janë burgosur nën qeverinë e presidentit Abdel-Fattah el-Sissi, i cili u zgjodh pas largimit nga pushteti i Vëllazërisë Myslimane në vitin 2013.

Selefizmi ka qenë lëvizja më e shpejtë në rritje në Egjipt gjatë dekadës së kaluar dhe mbulon një spektër të gjerë të popullsisë vendase. /a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: