CILI POPULL MUND TË PËRDORET MË?!...-OPINION NGA FRROK ÇUPI

CILI POPULL MUND TË PËRDORET MË?!...-OPINION NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Ndoshta ka ardhur koha për një përgjigje...

Që të njohim veten, secili ta njohë veten, - jam apo nuk jam unë nga ai popull, - për të cilin njëri udhëheqës i gërmushet udhëheqësit tjetër. Sot, kryetari i opozitës në sallën e kuvendit, iu gërmush kryeministrit: O, bëj kështu e ashtu, o ngrita popullin në revoltë dhe mjerë ti ku do futesh...!

Por nuk ishte i vetmi ky. Çështja është shumë e thjeshtë: A më llogarisin edhe mua në atë popull, që do ta përdorin si gjyle në muret e kalasë së Krujës, për të mundur ushtrinë otomane atje poshtë?

Secili mund të bëjë të njëjtën pyetje për veten e tij: “A jam unë një gjyle topi?”....

Në qoftë se as unë, as ti, as tjetri e as miliona të tjerë, nuk e ndiejnë veten gjyle që të përdoren nga topçiu në kuvend a në qeveri, atëherë cilët janë këta që bëjnë popullin e përdorshëm? Ndoshta është momenti të gjenden disa enklava me popull specifik që, sa herë i duhet politikanit, të shkojë në enklavë dhe ta marrë. Ose si pakicat interesante. Për shembull, si amishët, ose si ata të xhunglës në Malajzi... Ose nëse ka enklava me shqiptarë të bardhë dhe me shqiptarë të zinj? Ose nëse ka enklava me shqiptarë në origjinë dhe të tjerë?...

Këta nuk ekzistojnë, aq më pak në vendin tonë, pa këso diferencash dhe pa territor që ende nuk është zbuluar. Atëherë ku e gjejnë popullin që do të përdorin këta, kundër njëri-tjetrit?

Ka ardhur koha për një përgjigje... Përderisa as unë, as ti, as secili që njohim dhe dimë rreth nesh, nuk e pranon veten të jetë pjesë e popullit që përdoret, vallë, ku e gjejnë popullin këta?

Edhe nëse populli ndahet në kategori të caktuara, sipas besimeve politike, sipas moshave, sipas shkollimit, sipas tendencave, etj., të gjithë këta janë përdorur dhe janë ngopur nga përdorimi deri më sot. Cili popull mund të përdoret më?

... Këta të fundit, në emër të të cilëve foli dhe kërcënoi kryetari i PD-së sot në kuvend dhe tha se do të ngremë popullin në revoltë, nuk mund të përdoren më. Herën më të fundit kur u përdoren po nga kryetari i PD-së, ishte periudha 90 ditore - që nga 18 shkurti deri në 19 maj 2016. Gjatë kësaj kohe, ky lloj populli i përdorshëm hyri në çadër në bulevardin e Tiranës, natë e ditë, popull i rraskapitur, që dëgjonte fjalime, popull që dëgjonte mburravecë, që shikonte çfarë po ha tjetri... dhe, më në fund, mbaroi përdorimi. Kryetari e përdori për biznesin e vet, dhe tungjatjeta... A futet prapë në çadër ky popull?

Populli tjetër ishte përdorur në vitin 2011. Kundërshtari që atëherë kishte radhën e gjyleve të topave për të marrë pushtetin, përdori mijëra pjesëtar të popullit të tij. Katër prej tyre, ranë dëshmorë në bulevard, në një ekstazë heroike se po i shërbenin përdoruesit. Ai që përdori kategorinë e vitit 2011, mori pushtetin. Ai popull nuk mund të përdoret më...

As populli që u thërrit në vitin 1990, për të përmbysur regjimin e diktaturës komuniste, nuk mund të përdoret më. Madje ai as ekziston më. Antikomunizmi u përdor si një filozofi e ngjashme me gjylet e topave të kohës së Mesjetës. Në qeveritë antikomuniste, hynë spiunët e komunistët më të thekur të regjimit të diktaturës. Në grupin parlamentar aktual të PD-së, ndodhen instruktorë të Partisë së Punës, xhelatë të diktaturës, bij xhelatësh, agjentë të të majtës së Soros-it, që po gërryen gjithë djathtizmin rreth nesh... Viktimat e komunizmit u renditën rreth sallës së kuvendit, ditën kur u zgjodh Ruçi në krye të Kuvendit. “Antikomunistët” ishin betuar se nuk do ta lejonin “ministrin e diktaturës”. Por kryetari i Lëvizjes Antikomuniste, zoti Basha, votoi në kuvend dhe doli në teatrin mes viktimave. Në këtë rast, quhet përdoruesi dhe populli i përdorur. Por as këta nuk mund të përdoren më.

Madje, nuk mund të përdoret as kategoria më e përdorshme e popullit shqiptar, ata që shërbyen në diktaturën e Hoxhës, në një luftë civile të gjatë kundër njëri-tjetrit, brenda vetë popullit.

... Të gjitha kategoritë e popullit, tashmë, janë përdorur; nuk ka më. Atëherë, çfarë mbetet për udhëheqësit, ose përdoruesit?

Mbetet që:

Ose të kërkojnë të gjejnë amishët, malezhët autoktonë, Alawitet, druze sirian, yazidi, dom, etj., sekte..., ose të mos kërcënojnë më me përdorim njerëzish, sepse njerëzit që jetojnë në këtë vend, nuk mund të përdoren më. Po të vazhdojë kërcënimi se të hedh njerëzit kundër, atëherë kjo është genocid dhe krim kundër njerëzimit...

Të paktën, deri këtu, duhet një përgjigje.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: