Deputetët dhe politikanët "hallexhinj" që morën kredi si të pastrehë

Deputetët dhe politikanët "hallexhinj" që morën kredi si të pastrehë
Megjithëse sot kanë disa pasuri të paluajtshme dhe të ardhura mjaft të kënaqshme krahasuar me nivelin e jetesës në vend, këta zyrtarë të drejtësisë dhe politikës kanë përfituar kredi me interes zero nga Enti Kombëtar i Banesave, për blerje apartamentesh ose kredi me kushte lehtësuese.

Gerd Hoxha, i cili është anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë si dhekreu i Shoqatës së Gjyqtarëve ka marrë një kredi në vitin 2011, me kushte lehtësuese nga shteti, për të blerë një shtëpi. Kredia është në shumën 5 000 000 lekë, me afat shlyerje deri në vitin 2036. Në vitin 2016, gjyqtari Hoxha ka blerë një tjetër apartament me vlerë 55 452 euro, tashmë me kursimet e tij dhe të bashkëshortes.

Po gjatë këtij viti, Hoxha ka shitur një makinë 10 500 euro, ndërsa ka blerë dy makina me vlerë 5 mijë euro dhe 3 056 euro. Hoxha deklaron si të ardhura vjetore 1 155 378 lekë pagën e bashkëshortes si gjyqtare, 1 140 884 pagën e tij si gjyqtar, 76 040 lekë si ekspert dhe pedagog në Shkollën e Magjistraturës dhe 102 000 lekë të ardhura si anëtar i KLD.

Gjyqtarja e Gjykatës së Tiranës, Kace Agolli, ka përfituar si e pastrehë një kredi nga Enti i Banesave, për blerjen e një apartamenti, me sipërfaqe 93 m2 në Tiranë. Si të ardhura, Agolli deklaron pagën si gjyqtare 1 666 217 lekë, 38 392 lekë pension të bashkëshortit si ish-ushtarak dhe 300 USD në muaj nga dhënia me qira e një apartamenti.

Fatmir Hoxha, anëtari i Gjykatës Kushtetuese, ka marrë një kredi me afat shlyerje për 22 vjet, me vlerë 5 000 000 lekë dhe me interes 4 %, , por në deklaratën e pasurisë të gjyqtarit nuk figuron asnjë sqarim nëse kredia është marrë me kushte lehtësuese, ndonëse shuma dhe interesi përkon me kreditë me kushte lehtësuese.

Gjyqtari i Apelit Ervin Metalla, referuar deklaratës së pasurisë, ka përfituar një kredi me vlerë 5 000 000 lekë, me kushte lehtësuese, marrë në vitin 2011, me interes 4% dhe me afat shlyerje për 30 vjet.

Gjyqtari deklaron makinë 10 mijë USD, në vitin 2015 të ardhura nga tre burime të ndryshme, zgjidhjen e kontratës për blerjen e apartamenti me kredi me vlerë 7 500 000 lekë etj. Me kredi afatgjata dhe me interes vetëm 4 % rezultojnë shumë gjyqtarë dhe prokurorë, por në deklaratat e pasurisë nuk figuron asnjë sqarim përkatës mbi rrethanat dhe kushtet e përfitimit.

 Deputeti i PD, Flamur Noka, ish-ministër i Brendshëm, vijon të shlyejë një kredi si i pastrehë, ndërkohë që, në vitin 2015, ka blerë një makinë me vlerë 40 mijë euro.

Gjithashtu, ish-ministri i Financave, për tetë vite në qeverinë “Berisha”, Ridvan Bode, ka përfituar kredi si i pastrehë. Bode e ka shlyer përfundimisht kredinë që ka marrë nga Enti Kombëtar i Banesave që në vitin 2000. Ndërkaq, në emrin e tij dhe të bashkëshortes, Bode deklaron 18 000 euro të ardhura nga dhënia me qira e shtëpisë, disa llogari bankare, apartament me vlerë 6 687 100 lekë, garazh me vlerë 7 790 euro, apartament në Tiranë me vlerë 175 000 euro si dhe një shtëpi në Rakickë të Korçës.

Depiteti demokrat Oerd Bylykbashi, figuron pjesë e listës që ka përfituar kredi me statusin e të pastrehut, por që nuk e specifikon në deklaratat e pasurisë. Në vitin 2012, Bylykbashi deklaron blerje apartamenti me vlerë 6 400 000 lekë, financuar nëpërmjet një kredie bankare dhe kursimeve. Kredia rezulton me vlerë 5 000 000 lekë. Më vonë ai deklaron apartament banimi dhe garazh, apartament në Durrës, truall në Durrës, klinikë dentare, makinë 23 mijë euro etj.

Ish-deputeti demokrat, Gjergji Pata, ka përfituar një kredi për strehim sipas VKM-së nr. 600 e vitit 2007 “Për trajtimin me strehim të nëpunësve civilë të administratës së lartë shtetërore dhe të funksionarëve publikë”. /f.ç/

Foto: Google

(Burimi:Shqiptarja.com)

Shpërndajeni me miqtë tuaj: