“Dy netë në Lisbonë”, Messi sapo zbret magjeps vendlindjen e Ronaldos para Champions

“Dy netë në Lisbonë”, Messi sapo zbret magjeps vendlindjen e Ronaldos para Champions
Ka zbarkuar Barcelona në Lisbonë. Një imazh i Leo Messi, i cili sapo zbriste sot në aeroportin e Lisbonës, publikuar nga lojtari argjentinas, në rrjetet sociale, ka tërhequr vëmendjen e gjerë të tifozëve anembanë botës. Prania e Messi me shokë për dy ditë e dy netë në kryeqytetin portugez ka tërhequr vëmendjen edhe të tifozë portugezë, edhe pse në Lisbonë zhvilloi karrierën rivali i tij, Cristiano Ronaldo.

Mbi 2 mijë shpërndarje pa kaluar asnjë orë nga tifozët që e ndjekin në rrjetet sociale, me mijëra komente e pëlqime, tregojnë se çfarë impakti ka krijuar asi katalanas me njerëzit anembanë botës, falë magjisë që ai dhuron në fushat e blera.

Barcelona do të përballet nesër në mbrëmje me Sporting Lisbonë, në takimin e dytë të fazës së grupeve, UEFA Champions League. Të dyja ekipet kanë fituar ndeshjet e para, Barça 3-0 ndaj Juves, ndërsa Sporting Lisbonë 3-2 ndaj Olimpiakos, në Athinë.

Sot në mbrëmje Champions dhuron ndeshje dhe emocione të tjera.

Dy futbollistë të kombëtares shqiptare, Ansi Agolli dhe Elseid Hysaj, kërkojnë pikët e para të Champions. Valon Ahmedi kërkon fitoren e parë me Maribor, ashtu sikurse Taulant Xhaka. Ky i fundit kërkon të bindë, një herë e mirë, edhe trajnerin Christian Panucci, ta rikthejë në kombëtare para dy ndeshjeve të mbetura kualifikuese të botërorit, Rusi 2018. Sot dhe nesër, luhen ndeshjen e dyta të fazës së grupeve në garën më të rëndësishme të futbollit për klube.

Cristiano Ronaldo dhe yjet e Real Madrid, fluturuan dje drejt Dortmund, para ndeshjes së Champions League. Skuadra e Zinedine Zidane kërkon fitoren e dytë ndaj ekipit gjerman, ndërsa Cristiano Ronaldo është i qetë, pavarësisht kritikave të fundit. Ylli i Real Madrid, pas përfundimit të skualifkimit në La Liga, nuk u rikthye me gol. Dani Ceballos i dha fitoren në fundjavë, me dy gola ndaj Alavesh, duke debutuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Ronaldo shënoi dy gola në ndeshjen e parë ndaj APOEL Nicosia dhe Zidane shpreson që ai të bëjë të njëjtën gjë sot në mbrëmje, ndaj Borusia Dortmund. “Kur ai nuk shënon, gjithnjë shtrohet pyetja pse, ndërsa Ronaldo mbetet i qetë,” – tha Zidane. “Ai dëshiron të shënojë e të krijojë raste. Kështu bën edhe diferencën”. Pavarësisht se Reali nuk ka pasur ecurinë e duhur në La Liga, Zidane beson se kjo nuk ka asnjë ndikim në Champions. “Duhet durim. Nuk është periudhë e shkëlqyer për ne, por duhet ta pranojmë. Alavesh i duheshin pikë, ndaj ne e dinim se fitorja do të ishte e vështirë”. Ish-trajneri i Kombëtares shqiptare, Gianni de Biasi, u prezantua dje zyrtarisht në stolin e Alavesh.

Olimpiakos i Pireut shkarkoi trajnerin Besnik Hasi, disa orë pas humbjes 2-3 me AEK Athinë. Pritej të ndodhte një gjë e tillë, nëse skuadra e drejtuar nga Hasi, nuk do ta fitonte derbin e Athinës, pasi ish-lojtari i kombëtares sonë ishte kritikuar për performancën e dobët në ndeshjet e fundit. Ish-portieri Antonis Nikopolidis shihet si një kandidat i mundshëm, por ai është i lidhur me ekipin kombëtar të të rinjve të Greqisë, deri më 30 shtator, dhe nuk është e sigurt nëse do të prishë kontratën për të pasuar Hasin në stolin e Olimpiakos. Ish-trajneri, Takis Lemonis, është përmendur si opsion. Gjithsesi, dy ditë para ndeshjes me Juventus, ekipi grek që e humbi ndeshjen e parë, nuk po bën llogari për rezultat, por për të gjetur emrin e duhur që do ta drejtojë ekipin në Torino.

 

Bajern, elozhe PSG: Neymar& co, thjesht të frikshëm

PSG përbëhet nga lojtarë të klasit botëror. Neymar u ble nga Barcelona për 222 milionë euro, ndërsa adoleshenti i jashtëzakonshëm, Kylian Mbappé, u ble nga Monaco për një shifër të përafërt. Përveç tyre, ky ekip ka “makinën e golave”, Edinson Cavani, kapitenin Thiago Silva, e brazilianët e tjerë, Dani Alves e Lucas, dyshen argjentinase, Angel di Maria e Javier Pastore, dyshen italiane Thiago Motta e Marco Verrati, si dhe lojtarët e kombëtares Gjermane, Kevin Trapp e Julian Draxler, që së bashku zbresin në fushë sipas formatit të frikshëm 4-3-3. Klubi i Bajern informon, në këtë mënyrë, tifozët për kundërshtarin para ndeshjes së mërkurë. Strategji për të dehur kundërshtarin me lajka, apo përgatitje për ndonjë disfatë, kjo mbetet për t’u parë gjatë mbrëmjes së mërkurë. Të dy ekipet janë ndeshur, për herë të fundit, në Champions, faza e grupeve, në sezonin 2000/’01. Bajern i fitoi të dyja ndeshjet, 1-0 në Paris dhe 2-0 në fushën e vet. /a.m/

 

Champions League –

Grupi E – (sot 20:45)

20:45 Sevilla - Maribor

20:45 Spartak M. - Liverpool

Grupi F

20:45 Manchester C - Shakhtar D.

20:45 Napoli - Feyenoord

Grupi G

Besiktas - Leipzig

Monaco - Porto

Grupi H

APOEL N. - Tottenham

Borusia D. - Real Madrid

 

Grupi A – (nesër 20:45)

Basel - Benfica

CSKA M. - Manchester U.

Grupi B

Anderlecht - Celtic

PSG - Bayern Munich

Grupi C

18:00 Qarabag - Roma

Atletico M. - Chelsea

Grupi D

Juventus - Olympiacos

Sporting – Barcelona

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: