Eni Jani Fuga: Duhet të rikthehet institucioni i kritikës së artit

Eni Jani Fuga: Duhet të rikthehet institucioni i kritikës së artit
Ka mbaruar studimet në degën e regjisë, por fati deshi që ajo të ishte Era, tek “Njerëz dhe fate”, e kështu nuk mund të ishte më e panjohur. Edhe sot, pas dhjetëra roleve në teatër e film, Eni Jani Fuga mbahet ende mend si Era e bukur. Eni ka guxuar me role të vështira, duke vënë në skenë pjesë jo shumë të lehta për t’u përtypur, nga një publik jo dhe aq i informuar mbi teatrin e absurdit. Bashkëshorte e aktorit të njohur, Genc Fuga, nënë e dy vajzave, Eni, prej disa vitesh, jep kontributin e saj pranë RTSH-së, por me sytë dhe shpirtin gjithmonë nga teatri. Në këtë bisedë ekskluzive me të, për Albanian Free Press, u ndalëm tek vizioni i saj për teatrin cilësor, pritshmërinë, syrin kritik dhe vlerësimin për skenën.

 intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Kanë kaluar kaq vite, ndërsa ti vazhdon e mbahesh mend tek seriali “Njerëz dhe fate”. Çfarë do të thotë kjo për ty?

Ishte, vërtet, serial tepër i suksesshëm. Në atë kohë, nuk ka pasur kanale të tjerë, ishte seriali i parë shqiptar. Trajtonte tema të pranishme, pothuajse, në çdo familje shqiptare. Domethënë ishin shumë gjëra të mbledhura bashkë. Pa harruar këtu, dhe aktorët e mrekullueshëm. Më vjen keq që në politikat e televizionit, d.m.th Tvsh-së, nuk është prodhimi i serialeve. Mendoj se, ky institucion i ka të gjitha mundësitë të mundësojë realizimin e serialeve. Pas këtij seriali, jam marrë shumë me teatër, por, sigurisht, televizioni ka më shumë popullaritet. Po të kishte qenë film artistik, ta siguroj që nuk do të kisha këtë popullaritet me personazhin e Erës. Pas tij, ishte filmi “Natë me Hënë”, i të ndjerit Artan Minarolli, ku u bë një audicion mes shumë vajzash. Pas këtij filmi, nuk është se më është dhënë shumë mundësia. Shpesh, as nuk e kam ditur që ka pasur apo janë zhvilluar audicione. Ka pasur raste, kur sapo kisha mbaruar shkollën, ku si kriter për të realizuar apo fituar rolin, duhet të zhvishesha; dhe ti e ndjen veten të fyer, se nuk merren parasysh aftësitë e tua si aktore, por të të shesin nëpërmjet lakuriqësisë. Nuk jam kundër zhveshjes apo lakuriqësisë, por kur kjo gjë është e motivuar me dhe për personazhin. Më e bukura ishte se, më tregonte “do bëjmë si bota, do ecim si bota”. Me falni, por bota nuk sakrifikon aktoren për shkak të lakuriqësisë. Për më tepër, në botë figurojnë edhe dublante, nëse aktorja nuk dëshiron ta luaj atë pjesë. Për të mos përmendur pagesat si bota, ha ha ha ha...

Kur vutë në skenë dramën ekzistencialiste, “Me dyer të mbyllura”, u quajt një pjesë mjaft elitare. Si e pritët këtë gjykim?       

Si do ta edukojmë publikun atëherë, nëse nuk vëmë në skenë edhe pjesë elitare? Të vëmë vetëm pjesë populiste në skenë? Të përdorim fjalor banal? Të mbushim sallën e të themi se shfaqja pati sukses? E vërteta është se, në dramën “Me dyer të mbyllura”, salla nuk u mbush, ndonjëherë, plot e përplot. Kam pasur një mesatare 300-350 spektatorë në sallë dhe isha shumë e kënaqur me këtë, sepse kënaqësia ime e madhe ishte se njerëzit vinin dhe kishte nga ata që e blinin biletën për herë të dytë, duke më thënë: “Shfaqja më pëlqeu aq shumë, ndaj dua ta shikoj edhe një herë.” Kjo, sinqerisht, më ka ndodhur vërtetë. Sigurisht, spektatori shqiptar ndoshta nuk është përballur mjaftueshëm me atë që ne i themi ekzistencializëm, por, nga ana tjetër, unë u përpoqa ta përcillja me një gjuhë sa më të kuptueshme. Në fund të fundit, thelbi i shfaqjes ishte: Mos prisni ndonjë ferr me hekura të nxehta, ferri jemi ne. Nuk shikoj asgjë elitare në mesazhin apo thelbin e dramës.

Pas vënies së asaj pjese, të ka stepur vazhdimi me regjinë?

Jo, aspak. Por duhet ta pranoj, sot është pak e vështirë të merresh me regjinë. Edhe ai si projekt, ka qenë i imi, jo pjesë e teatrit. Subjektet private, pa mbështetjen e të cilëve është e pamundur realizimi i një projekti si ky, e kanë shumë të vështirë të konceptojnë çfarë kërkon ti. Kur të bëhet, menjëherë, pyetja: “Çfarë përfitoj unë nga ky teatër”, - fillon dhe stepesh, ndihesh keq, Shkel mbi veten për t’i mbushur mendjen atij biznesmenit, pse duhet të investojnë mbi teatrin.

Jashtë Shqipërisë, nuk ndodh që një regjisor të shkojë në kërkim të fondeve, apo jo?

Nuk ndodh, por jemi në Shqipëri. Nuk funksionon, aspak, me menaxhim si jashtë. Gjithashtu, nuk kemi shumë dashamirës ndaj teatrit, fatkeqësisht! Unë e kam nisur falë mbështetjes së Artan Santos së ndjerë, sepse ai e donte teatrin dhe artin në përgjithësi. Por është shumë e vështirë. Sa keq është, kur punohet aq shumë për teatrin dhe të duhet të përballesh me njerëz që kanë koncept plotësisht tjetër mbi të, i cili, në fakt, është një pasuri kombëtare! Ja p.sh., ti shkon në një biznes shumë të madh, mendon se prapa këtij biznesi, sigurisht, ka njerëz me nivel, e të bëhet pyetja: “A është për të qeshur?” E ti mbetesh me buzëqeshjen tënde në buzë. Pra, unë ndjej se, në thelb, biznesi nuk ka të qartë konceptin e saktë, se do japë një kontribut në kulturën e kombit.

Je e mendimit se kjo ndodh më shumë këto vitet e fundit?

E keni fjalën për 25 vitet e fundit? Po, mendoj se kemi prishur shumë nga strukturat e artit që kanë qenë; është prishur ai zinxhiri i talenteve që është me rëndësi kapitale. Dikur ofroheshin struktura ku shpalosej talenti dhe, më pas, jeta dhe koha bënte përzgjedhjen. Unë, në shkollën 8-vjeçare, kam qenë në “rrethin e teatrit” dhe, doje s’doje, piketoheshe. Kanë qenë rrethet jashtëshkollore, shtëpitë e pionierit. Është cunguar botëkuptimi i njeriut mbi artet. Kjo më shqetëson shumë. Teatri të bën qytetar më të mirë, të bën të kesh një analizë me veten. Të bën të reflektosh, të rendisësh mendimet, t’i filtrosh ato. Pra, kjo gjë nuk kuptohet më. Duhet një dorë tjetër më madhore, i kalon kufijtë e të qenit individ. Duhet dora e shoqërisë dhe e shtetit. Nëse spikaten disa talente, pse nuk investohet mbi to. Çdo institucion artistik, mund të investojë në rritjen profesionale të këtyre individëve. 2,3 apo dhe 4 vjet, ikin shpejt dhe është një investim që do kthehet. P.sh., ne kemi ide dhe tema shumë interesante në filmat tanë, po ndihet mungesa e skenaristit e diagolistit... Janë të gjitha në dorën e një individi dhe ky individ është e pamundur t’i bëjë të gjitha. Së fundmi, kam dëgjuar disa tituj filmash që kanë marrë çmime nëpër festivale dhe janë vlerësuar. Nuk i kam parë dhe uroj vërtet që të jenë cilësore, sepse ka patur plot raste që filmat kanë ardhur me çmime dhe pasi i kam parë, kam patur zhgënjimet e mia. Dua me shpirt që kinematografia shqiptare të jetë e pranishme nëpër festivale e ta çojë sa më lart emrin e Shqipërisë. Por, gjërat e bukura nuk bëhen vetëm.

Sot, ka disa teatro dhe dalin më shumë pjesë se më parë; po cilësia, ku është?

Në momentin që ne s’kemi kritikë arti, mos u lodh kot. Ne bëjmë vetëm lajka. Kritikët, dikur, i thoshin gjërat siç ishin. Duhet të rikthehet institucioni i kritikës së artit, ku të bardhës t’i thuhet e bardhë dhe të zezës, e zezë. Është një mekanizëm vetëkorrigjues, i Artit dhe Teatrit në veçanti.

Pra, nuk je stepur, do t’i rikthehesh regjisë së teatrit?

Po, dua shumë dhe, madje, po mendohem për këtë, pavarësisht se, shpesh, ezaurohem duke menduar se duhet të gjej paratë e nevojshme, sepse unë kam edhe një problem, jam shumë korrekte me njerëzit. Më duket gjëja më fyese ta ulësh kolegun, mikun, duke i thënë: Le ta nisim njëherë, e çfarë të dalë, ta ndajmë. Janë aktorë, por janë edhe prindër, kanë familje. Nisur nga eksperienca ime, e them këtë. Bileta e teatrit është qesharake, është 3 mijë lekë të vjetra. Unë nuk kam pranuar të mbaj këtë çmim në shfaqjen time. E kam mbajtur 500 lekë. Sigurisht, më kundërshtuan me argumentin se do më largohej spektatori. U thashë, JO. Një biletë kinemaje është 700 lekë; ndërkohë, në teatër aktorëve u merret fryma, u buçet zemra. Një ministër kulture, një drejtues teatri, nga këtu duhet të niset, nga vlera e teatrit. Këto duhen rregulluar, të rregullohet i gjithë sistemi, e jo të shprehin gjithmonë vetëm se çfarë kanë arritur.

Diskutimet janë përqendruar tek kushtet, tek sallat. Por mos duhet një strategji më e gjerë?

Problemi është se ne jemi të këqijtë e vetes. Mungon solidariteti mes nesh, aktorëve dhe regjisorëve. Një pjesë i bëjnë “fresk” drejtorit, pjesa tjetër shpallet armik. Janë mirë disa për momentin dhe nuk mendojnë për nesër.

Tek pjesa “10 vjet martesë” i kishe disa skena delikate, por ishe aty me bashkëshortin...

Nuk ka lidhje isha apo nuk isha me bashkëshortin. Inis Gjoni, regjisorja, prandaj e bëri këtë zgjedhje. Mendoi se, për ne, do të ishte një raport më i natyrshëm në komunikim me njëri-tjetrin. Nuk po i referohem këtu, skenave delikate, por marrëdhënies burrë e grua. Po nuk mund të mohojë se punova shumë më komode.

Tani që ju, vetë, e keni kaluar 10-vjetorin e martesës, më thuaj, pse pati aq shumë sukses ajo pjesë?

Ajo pjesë çjerr fasadën që ekziston mes nesh, në raportin burrë-grua. U thanë gjërat hapur, ndërsa të gjithë përpiqemi të kamuflohemi. Unë e kam kapur veten p.sh., kur në një emision na bënë pyetjen: A grindeni me partnerin? Mua, s’e di pse, më mori vorbulla dhe u përgjigja si gjithë të tjerët në atë panel: “Jo, nuk grindemi”. Kur dola nga emisioni, më kapi inati me veten, pse u përgjigja në atë mënyre. Është normale, jemi të ndryshëm, grindemi, kështu mbajmë gjallë martesën. Por ja që stepesh, vetëcensurohesh. Nuk ka përsosmëri, e bukura aty është. Një gjë që nuk e ka partneri e kompenson tjetri. Ndaj pjesa pati sukses, panë falsitetin e tyre, çdo çift. Jemi shumë larg t’i themi hapur gjërat, ta pranojmë tjetrin ashtu siç është.

E këshillon ti Gencin apo Genci ty?

Në përgjithësi, jemi natyra të ndryshme. Genci më ka dhënë mësim, por për fat të mirë, është i bindur që me ka bashkëshorte tashmë dhe nuk më trajton si studente. Genci ka individualitetin e vet, jashtë mase inteligjent. Dallohet për këtë. Jo se është partneri im, por vërtet e zbërthen personazhin me shumë inteligjencë. Jo të gjithë aktorët e bëjnë këtë. Kur kemi ndonjë pikëpyetje, thjesht e diskutojmë e dalim në konkluzione, pa rënë në këshilla.

Po mirë, me dy vajza ti. Si ja bën që je kaq në formë?

Punë gjenetike mendoj, por edhe fakti se çdo gjë e bëj në këmbë. Unë kam patentë, por preferoj të eci në këmbë. Genci përdor motorët më shumë. Për momentin është kështu. Por mbase vjen një moment që vajzat rriten dhe do të kenë nevojë të shkojnë nëpër kurse dhe do të më bëhet e nevojshme të lëviz edhe me makinë.

Është Genci bashkëpunëtor në shtëpi?

Shumë! Vajzat i kemi rritur vetë, pa ndihmë. Mbështesim fort, të dy njëri-tjetrin. Mundohemi t’i shqetësojmë sa më pak të afërmit tanë, lidhur me vajzat.

Ku shkon ti, për të gjetur paqe?

Nëse do të jesh në paqe me veten, shko në Përmet. Aty jeta të merr një dimension tjetër, ndryshe nga rutina e lodhshme që kemi këtu. Këtë vit, kishte shumë njerëz, por ishte përsëri mjaft bukur, ajri, klima, ushqimi, ritmet. Sa mirë që në Përmet nuk kanë vënë shumë dorë! Është ashtu siç ka qenë, jetë e shëndetshme!

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: