Euro “e kap veten”, nis rimëkëmbjen ndaj lekut

Euro “e kap veten”, nis rimëkëmbjen ndaj lekut
Euro po “e kap veten”. Kështu duket të paktën nga vlerat më të fundit, që monedha europiane po shënon në tregun shqiptar valutor. Konkretisht, sipas tyre, ajo këmbehet me vlera të cilat po i përafrohen  nivelit të 134 lekëve, ditët e fundit. Një shifër e konsiderueshme kjo, po të mendojmë se vetëm pak muaj më parë, monedha europiane shënoi një “pikiatë” të vërtetë në tregun e brendshëm valutor, duke u këmbyer me deri 131 lekë. Një vlerë minimale kjo, e cila nuk ishte shënuar prej vitesh në vendin tonë, të paktën nga viti 2009 kur ajo u përball me një zhvlerësim drastik kundrejt lekut, pikërisht, për shkak të efekteve të menjëhershme të krizës ekonomike globale. Duke bërë kështu që, nga procesi i këmbimit me monedhën vendase, poseduesit e saj, - kryesisht turistët dhe emigrantët, - të humbnin këtë vit, më shumë pará se herët e tjera kur kanë ardhur me pushime në Shqipëri. Me sa duket, nisja e sezonit të ri i cili përkon edhe me largimin e tyre prej vendin tonë, ka bërë që monedha europiane të rinisë ngjitjen e saj në kuotat e këmbimit kundrejt monedhës vendase, lekut. Duke bërë kësisoj që, regjimi i atyre të cilët operojnë përmes saj, të rifitojë dalëngadalë, gjendjen e tij normale. Në pritje që gjatë sezonit të ri i cili sapo ka trokitur në vend, të kemi një euro më të qëndrueshme kundrejt lekut, larg rënies drastike që u shënua muajt e parë të këtij viti. Kjo pasi, sipas ekspertëve, përballë një oferte më të pakët në euro, - teksa turistët dhe emigrantët janë larguar nga Shqipëria, - detyrimisht që vlera e saj rritet, ndërsa bëhet më e kërkuar në tregun vendas dhe më pak e gjindshme. Në këtë këndvështrim, mbyllja e sezonit turistik veror, duket se ka shërbyer për mirë në lidhje me monedhën europiane, euro.

134

Është vlera e ditëve të fundit, drejt së cilës monedha europiane, euro, po i përafrohet këmbimit të saj me monedhën shqiptare, lekun, në tregun e brendshëm valutor

 

Fuqizimi i euros, kush po përfiton nga situata e re e krijuar në tregun valutor?

Një euro, tashmë, e fuqizuar në tregun e brendshëm të këmbimit valutor, duket se ka ndryshuar “skemën” e deritanishme të përfituesve prej luhatjeve të saj. Kështu, nëse deri pak muaj më parë kur euro ishte “përtokë”, të gjithë ata që paguanin kredinë në këtë monedhë, ishin më të favorizuar, tashmë atyre u duhet të nxjerrin më shumë pará nga xhepi. Sikundër ata që i kanë depozitat bankare në euro, do të përfitojnë më shumë nga këmbimi me lekun, nëse i tërheqin ato. Nga ana tjetër, ekspertët e ekonomisë shpjegojnë edhe se një euro e fortë ndaj monedhës vendase, lekut, sjell pasoja pozitive edhe për ekonominë shqiptare në tërësinë e saj, pasi favorizon eksportet, pra, mallrat që ajo nxjerr jashtë territorit të saj dhe i shet në tregjet e huaja, kryesisht me euro. Të mos harrojmë se, Shqipëria eksporton rreth 70% të totalit të prodhimeve “Made in Albania” në Europë, pikërisht aty ku operohet me monedhën euro dhe kjo bën që efektet të jenë të konsiderueshme. Në këtë këndvështrim, eksportuesit duhet të gëzohen që euro po forcohet. Sikundër, nga ana tjetër, për importuesit, ekziston efekti i kundërt, që ata t’i blejnë më shtrenjtë mallrat që marrin nga vendet e tjera, pasi një euro më e fortë, për ata do të thotë më shumë pará të nxjerra nga xhepat e tyre, ndaj tregtarëve të huaj të cilëve u tërheqin mallin brenda territorit të Shqipërisë. Në këtë situatë, nuk mund të mos harrojmë të përfshijmë edhe të gjitha veprimet apo shërbimet që në vendin tonë, kryhen realisht me euro dhe që tashmë i bie të kushtojnë më shumë se më parë, të tilla si pagesat kundrejt agjencive turistike, ato në spitale private etj.

 

Tregjet e huaja, monedha europiane, vazhdimisht në krye ndaj dollarit

Ndërsa në tregun shqiptar valutor, ajo shënoi një rënie drastike të dukshme gjatë këtij viti, dhe vetëm tani po rikuotohet pozitivisht, në tregjet e huaja, monedha europiane, euro, ka rezultuar se është këmbyer vazhdimisht në vlera të konsiderueshme ndaj monedhës së saj rivale, dollarit amerikan. Kështu, sipas ekspertëve, ajo ka vazhduar të fuqizohet kundër dollarit amerikan, por edhe ndaj paundit britanik, duke treguar një dominim të dukshëm ndaj tyre. Konkretisht, nga tregjet e huaja raportohet se euro është rritur me nivelin e këmbimit, deri në 13.3% këtë vit, duke arritur kështu nivelin më të lartë në mbi 2 vite e gjysmë, në rreth 1.21 kundrejt dollarit. Duke e bërë kështu, një monedhë konkurruese brenda tyre, për të rritur si pasojë, edhe besimin tek Bashkimi Europian si i tillë, me gjithë problemet që ky i fundit po kalon tashmë, pas nisjes së procedurave të Brexit, pra, të largimit të Britanisë së Madhe prej bllokut të anëtarësisë së tij të deritanishme, prej 28 anëtarësh.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: