Fadilët duhet të heshtin

Fadilët duhet të heshtin
nga Juela Meçani

Ditën që mësova për plumbat ish-bashkëshortorë, mbi fytyrën e bukur të nënës së dy fëmijëve, pata, si shumë femra të tjera, dy ndjesi të forta. E para, dhimbje rraskapitëse që një jetë u pre në kulmin e saj të forcës, dhe, ndjesia e dytë, një maraz i hidhur ndaj indiferencës sociale, ndaj vendimeve ligjore kriminale e ndaj hipokrizisë  popullore në gjykim.

Ndaj, në ato ditë fundvere, fola pak ose më saktë fola shumë me veten, sepse më stepën ato mijëra komente të revoltuarish, që i kuptoj vërtetë, por realisht, në përditshmëri, nuk shoh kaq entuziazëm genuin në mbrojtje të së drejtës së femrave për të qenë të lira, shpirtërisht e fizikisht.

Sepse për lirinë bëhet fjalë, në të gjitha ato që ndodhin, liria është baza. Sepse në këtë vend ku pa u mbyllur viti 2017, ka gati 3 mijë kërkesa për urdhra mbrojtjeje, ende, rëndom, dëgjon justifikime edhe nga njerëz shumë të shkolluar, - që një shpullë nuk quhet rrahje e se, nëse AI të ka mbuluar me pará e të ka krijuar kushte optimale jetese, është i falur nëse të shtyp lirinë si bariu nepërkën, të trajton si bajgë në sy të fëmijëve ose, dhe më keq, pretendon se je prona e tij. Prona, - ah, kjo e shkretë dëshirë për të poseduar, nga meshkuj që për disa dekada, në diktaturë, nuk posedonin asgjë, as trurin e tyre.

Dhe ja kur ditët kalojnë, gjykatësja burrneshë u harrua, kanë vërshuar edhe më shumë kërkesat për ndihmë e ndërhyrjet e policisë. Befas, fatkeqësisht, po shikojmë që këta “burrat” dhunues e padronë, paskan qenë shumë e shumë e shumë. Por, ndërkohë, mes nesh ra heshtja, AI nuk heshti, ai foli dhe u bë lajm. “Më lironi, unë e doja Fildesin!” - paskësh deklaruar AI, mostra i radhës. Ah, jo, kjo s’u duruaka kaq lehtë! Sepse këta, fadil-ët nuk janë të çmendur, jo. Janë skutha, janë manipulatorë, janë dhjaksa. Skenarët e tyre janë të paparashikueshëm. Fadilët dashuruakan deri në marrëzi (romantikë mesjetare), fadilët kërkojnë liri se nuk kanë faj, e kanë nga dashuria e tepërt. E ja ku e kemi titull, lajm, rrënqethje. Me qindra e mijëra fadilë të fjetur, rizgjohen e shikojnë veten ndryshe, dalin lagjeve në kërkim të një pistolete, e bëhen gati të mbulojnë inferioritetin e paaftësinë e tyre për të qenë burra, me motivin e dashurisë ekstreme. Janë skutha fadilët, sepse e nuhasin se gjejnë terren, në këtë vend me mungesa në liri e gjetkë. Se kanë shumë shokë fadilët, nëpër mejhanet apo zyrat e këtij vendi, që kurrë nuk mësuan të çmojnë gratë e veta. “Fadili thyen heshtjen!” - lexova diku. Fadilët, më së paku, duhet të heshtin. Por jo, atyre u jepet frymë madje, të flasin edhe më shumë. “Nuk dua të më cenoni nderin e gruas!” - ka frymosur krimineli gjakftohtë, Fadil. Ja pra, sa skuth është! Ai e quan ende grua atë yll që nuk është më, sepse ai e konsideronte pronë. E flet për nder kur është i pander, flet për dashuri kur është vetëm një kriminel që la fëmijët pa nënë, vetëm nga egoizmi tipik i një mashkulli të sëmurë nga pazotësia e tij. Fadilët duhet të heshtin e ne duhet t’i ndihmojmë ta bëjnë këtë, duke u kthyer shpinën e jo duke bërë lajm me ta. Fadilët në heshtje duhen lënë të vuajnë mallkimin e të qenit njerëz që, gabimisht, erdhën mbi këtë tokë.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: