Fleckenstein: Negociatat për anëtarësim në BE, jo kushte shtesë Shqipërisë

Fleckenstein: Negociatat për anëtarësim në BE, jo kushte shtesë Shqipërisë
Për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë, Bashkimi Evropian nuk do të ketë kushte shtesë.

Një fakt i tillë u bë me dije nga vetë raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian Knut Fleckenstein, i cili e ka vizituar atë dhe ka zhvilluar në të takime me autoritetet më të larta shtetërore.

“Vendimi për hapjen e negociatave është e Këshillit të Europës dhe jo e Parlamentit Europian. Megjithatë ne do të punojmë në mënyrë që negociatat me Shqipërinë të çelen në gjysmën e parë të vitit që vjen. Përsëris se nuk është PE ai që e vendos këtë, por Këshilli dhe Shqipëria duhet të vazhdojë të punojë shumë dhe pas çeljes së negociatave do të mund të diskutojmë për çështje të tjera. Unë dëshiroj të konfirmoj se në PE do të vazhdojmë të inkurajojmë Komisionin Europian apo Këshillin në mënyrë që negociatat me Shqipërinë të çelen gjysmën e parë të vitit tjetër që vjen. Gjithmonë, nëse Shqipëria vazhdon me reformat vendimi do të merret në muajin mars dhe në qershor do të nisë”, ka thënë Fleckenstein.

Sipas tij, nuk ka hapësira për kushte shtesë përveç 5 prioriteteve dhe se nuk do të ishte e ndershme të krijoheshin kushte të tjera për hapjen e negociatave.

Kurse në lidhje me problemin e kultivimit të kanabisit, ai ka  pranuar se ky mbetet një problem serioz për Shqipërinë.

“Sa për kanabisin do pres raportin e partnerëve italianë, që kanë kryer fluturime mbi territor. Është diçka serioze dhe duhen marrë masa në të ardhmen”, ka shtuar eurodeputeti.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: