HIJET E QEVERISË HIJE TË LULZIM BASHËS- OPINION NGA ROLAND QAFOKU

HIJET E QEVERISË HIJE TË LULZIM BASHËS- OPINION NGA ROLAND QAFOKU
Vera e re në fuçinë e vjetër

Portret për 14 të zgjedhurit që do të drejtojnë opozitën në Kuvend

 Nga ROLAND QAFOKU

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Pas humbjes poshtëruese në zgjedhjet e 25 qershorit, e vetmja kokë e ngritur e Partisë Demokratike, është stafi i ri me 14 emra që, kryetari, Lulzim Basha i zgjodhi në strukturat drejtuese në kuvend. Pas një kthimi pas 6 vjetësh në sallën e Parlamentit, me një Berishë, hija e të cilit është shumë e gjatë në parlament dhe me kundërshtarë në PD, që e përgjojnë për çdo lëvizje që bën, Lulzim Basha publikoi emrat që fituan edhe votimin formal në PD. Në një farë mënyre, kjo listë tregoi se cilët janë pjesëtarët e stafit të tij të ngushtë dhe cilët janë besnikët. Më shumë se kaq, kjo skuadër do të tregojë mënyrën si do bëjë opozitë Partia Demokratike, katër vitet që do të vijnë. Këta 14 emra, na bëjnë të kuptojmë se si do ta sulmojnë qeverinë në Kuvend, si do të debatojnë dhe përplasen me kryeministrin Rama. A do të arrijnë të ngrenë kuotat e ulëta të PD-së, për ta çuar, këtë forcë, në fitoren e zgjedhjeve të vitit 2021?

Pikërisht, për këto arsye, i vetmi emocion në selinë e PD-së, - përgjatë gushtit të nxehtë dhe fillimshtatorit të freskët, - ishte se cilët do të ishin emrat, që Basha do të caktonte si pjesë e strukturave të kuvendit të cilët, në fakt, janë një lloj qeverie hije e kësaj partie. Në kushtet që është PD-ja aktualisht, hija e tyre është aq e vogël, njëlloj sikur ta kishin diellin pingul. Të 14-ve, u duhet shumë punë, ndershmëri, pasion, karakter, vendosmëri, -që një pjesë i kanë, - por një pjesë nuk kanë lidhje me këto cilësi. Po cilët janë dhe çfarë përfaqësojnë 14 deputetët, që Basha u besoi drejtimin e jetës parlamentare? Portreti i tyre politik, tregon shumë.

 

  1. EDI PALOKA - nënkryetar i kuvendit

I vendosur i pari në renditjen e listës, detyra e tij nuk është më e rëndësishmja. Posti si nënkryetar kuvendi për Edi Palokën, është shumë më e ulët se sa nënkryetar i Grupit Parlamentar që mbante më parë, për të mos thënë që është shkarkim nga detyra. Në këto momente, Paloka ka detyrimin ndaj vetes, të bëjë bilancin e katër viteve si kryetar dhe nëpërmjet kësaj, t’i përgjigjet pyetjes: Përse Basha nuk e rizgjodhi në krye të grupit? Duhet thënë se Edi Paloka, në katër vjet, prodhoi më shumë politikë se mundësia e tij. Prodhoi debat shumë më tepër se sa potenciali i tij. Por duhet thënë, se jo shumë gjëra ishin në dorën e tij. Një grup parlamentar i dalë nga lista e kryetarit Berisha, por që duhej ta drejtonte kryetari Basha, ishte ngërçi më i madh për Edi Palokën në katër vjet. Mungesa e kryetarit Basha në kuvend, të qenit superaktiv i Berishës, i dhanë mjaft ulje-ngritje mënyrës si funksionoi grupi. Ndërkohë, kundërshtarët e Bashës në grup, si Majlinda Bregu, Astrit Patozi dhe Jozefina Topalli, kishin axhendë tjetër nga ajo e grupit. Gjithsesi, për një gjë Paloka duhet të vlerësohet. Ai dha maksimumin e tij, me sinqeritet, ndershmëri dhe konsekuencë. Më tepër nuk mund të bënte. Por çfarë pritet prej tij, si nënkryetar i kuvendit? Ose më saktë akoma, çfarë pritet prej Palokës, kur t’i bjerë rasti të drejtojë një seancë parlamentare, ndërkohë që Gramos Ruçi të jetë i zënë me punë? Imagjinoni kur Ruçi t’i thotë: Edi, më zëvendëso pak, se jam i zënë! Interesant ky çast!

 

  1. EDMOND SPAHO, kryetar i Grupit Parlamnetar të PD.

 

Profesori, Edmond Spaho, ishte deputeti i PD-së për të cilin, kryeministri, Edi Rama, tregoi respektin maksimal në debatet parlamentare në katër vitet që shkuan. Konsekuent në punën e tij si politikan dhe në profesionin e ekonomistit, si kryetar i grupit parlamentar, Spaho mori detyrën më të lartë që PD-ja ka pas kryetarit të Partisë. Spaho ka një sërë cilësish të cilat e veçojnë nga të tjerët në PD, madje, në tërë politikën shqiptare: Ndershmëria dhe besnikëria e tij nuk janë vënë ndonjëherë në diskutim në diskutim! Problemi i tij si kryetar i një grupi parlamentar në opozitë, është urtësia, përmes së cilës ne kuptojmë se PD-ja do të bëjë opozitë me argumente, me fakte, dëshmi dhe jo opozitë muskujsh të fortësh, sharjesh, fyerjesh dhe denigrimesh. Po edhe pse ka një natyrë të tillë, a do t’ia dalë kësaj Spaho, kur në krah do të ketë uraganin Berisha? Si do ta menaxhojë grupin Spaho, kur Berisha të marrë fjalën dhe të lëshojë lumenjtë e akuzave, epiteteve gjithfarësoj ndaj Ramës dhe të tijve? Natyra e butë e Edmond Spahos, vërtet është e pëlqyer, jo vetëm për shumicën dhe masën e njerëzve, por rrezikon të stonojë me atë që kërkojnë kritikuesit e PD-së. Tjetër problem është menaxhimi i besnikërisë së deputetëve të PD-së. Qysh në seancën e parë, dy prej tyre votuan Ruçin si kryetar kuvendi, që tregoi se sa probleme ka ky grup dhe se sa vështirë është ta menaxhosh atë. Nëse ata dy renegatë nuk gjenden se cilët janë dhe nuk përjashtohen, kjo dukuri mund të jetë degraduese në katër vitet në vijim. Megjithatë, Edmond Spaho ka një avantazh të madh si kryetar grupi i PD-së, për faktin se homologu i tij në PS, është Taulant Balla. Në një disnivel politik dhe profesional të theksuar, Spaho e ka fituar betejën me kryetarin e grupit të PS-së, pa nisur nga puna. Megjithatë, atij i duhet shumë të fitojë betejat me gjithë grupin e PS-së, i cili është afro dyfish në numër, për të mos thënë edhe në cilësi.

 

  1. GRIDA DUMA - zëdhënëse e Grupit Parlamentar të PD-së

Grua plot sharme dhe përfaqësuese e një brezi të ri në PD, një pjesë e akuzave të kundërshtarëve ndaj Grida Dumës, janë pikërisht për paraqitjen. Por kjo nuk ka fare vlerë krahasuar me akuzat për një politikane që ka më tepër ambicie, se vlera. E emëruar si zëdhënëse e grupit parlamentar të PD-së, çdokush ka të drejtë të bëjë një pyetje: Përse u gradua Grida Duma, me këtë detyrë? Mos vallë, për faktin, se çdo betejë dhe garë politike e ka humbur? Nisur nga kjo, Grida Dumës i duhet të provojë, në këto katër vjet, se nuk është deputete dhe sekretare grupi, thjesht, si preferencë e kryetarit. I duhet të tregojë vlera profesionale dhe politike, të bëjë opozitë të ndershme, pa kompromis, plot durim e maturi. Që të arrijë këto, i duhet të ndryshojë mënyrën acaruese të komunikimit, të jetë e përulur ndaj zgjedhësve dhe anëtarëve të PD-së, të komunikojë me korrektësi dhe pa preferencë me median dhe të rrezatojë dinjitet. Vërtet, Grida Duma e tregon hapur që ka arritur një siguri ekonomike personale, por kjo nuk e justifikon të jetë prepotente dhe konkurruese jo në ide, por në mënyrën si vishet dhe si jeton. Ai që e njeh historinë e jetës së Margaret Thatcher, - një model suksesi i femrës në politikë, - do të veçonte se si vajza, gruaja dhe nëna super e pasur e Londrës, tregoi vendosmëri dhe karakter të fortë, por kurrë nuk tregoi prepotencë dhe vanitozitet për veshjet dhe jetën që bënte. Prandaj, Grida Dumës, më parë se të punojë për të sfiduar armiken e saj politike brenda PD-së, Majlinda Bregun, i duhet të sfidojë kundërshtaret politike në PS, si Klodiana Spahiun, Mimi Kodhelin, Evis Kushin, Klotilda Ferhatin, Blerina Gjylametin - të cilat dinë dhe kanë më shumë se ajo, por janë të thjeshta, deri në madhështi!

 

  1. ERVIN SALIANJI - sekretar i Grupit Parlamentar të PD-së

Është nga të rrallët politikanë në Shqipëri, i cili ka dhënë fare pak dhe ka marrë kaq shumë. A njeh dikush ndonjë rezultat të Ervin Salianjit në politikë, që nuk e heq nga memoria? Në këto vite në politikë, ai mbahet mend për gara të humbura - brenda dhe jashtë PD-së - e deri te gafa me gabime të përsëritura gjuhësore në artikulim. Këshilla e parë për të është: Zoti Salianji, shumësi i emrit polic, bën shumë policë dhe jo shumë polica. Por duket se i rrethuar nga njerëz që kanë vetësiguri të tepruar, Ervin Salianjit i kanë injektuar këtë virus dhe ai është përballë një prove të fortë, jo vetëm si anëtar i Parlamentit, por edhe me detyrën e re të sekretarit të grupit që, çuditërisht ia kanë caktuar atij. Nëse ai ndryshon, ndihmon vetëm vetveten dhe i shërben grupit të PD-së. Por, nëse vijon të kultivojë këto cilësi, Salianji do të jetë dështimi më i suksesshëm dhe ekskluziv i prurjes që ka bërë Lulzin Basha. Dështimin e parë e dha që në seancën e parë, kur gjithë opinioni mësoi vërejtjet që Berisha i bëri gjatë mbledhjes së grupit parlamentar.

 

  1. ENKELED ALIBEAJ - nënkryetar i Grupit Parlamentar

Karakteri i treguar i tij në politikën shqiptare, është model unik. Nuk u përfshi në listat e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e vitit 2013, por nuk bëri qaramanin. Nuk u largua nga PD-ja, nuk e sulmoi partinë e tij dhe nuk i shau as kryetarin e vjetër, Berisha, e as kryetarin e ri, Basha. Enkeled Alibeaj është shembulli për të gjithë politikanët, si dikush mund të ngrihet edhe pse i humbur. Ai është model si një politikan mund të kthehet me sukses, edhe i papërfshirë në lista. Me rikthimin e Enkeled Alibeajt në parlament, Partia Demokratike, por edhe vetë parlamenti do të ketë një vlerë të shtuar. Me Alibeajn në krah si zëvendësin e parë, kryetari, Edmond Spaho, ka një siguri më shumë në punën e tij. Jam i prirur të parashikoj se, në këto katër vjet, kryeministri Edi Rama dhe kryeatri i kuvendit, Gramos Ruçi, do ta shikojnë Enkeled Alibeajn si problemin numër një, në mënyrën se si PD-ja do të bëjë opozitë me fakte dhe argumente.

 

  1. GENT STRAZIMIRI - nënkryetar i Grupit Parlamentar

Ndërsa Enkeled Alibeaj është siguria e Edmond Spahos, nuk vlen e njëjta gjë për nënkryetarin e dytë të zgjedhur, Gent Strazimirin. Aspak korrekt dhe i vrazhdë në sjellje, Gent Strazimiri e ka lënë veten shumë pas kohe. Portreti i tij, me një pistoletë në brez, në protestën te liqeni Artificial i Tiranës, vazhdon të mbetet e vetmja arritje e tij personale, duke na sjellë në kujtesë modelin e Beqir Valterit në vitet 20-të. Vërtetë natyra  refraktare, polemizuese dhe antikomuniste, janë të nevojshme për një opozitë kur ka një hall, por nëse çdo incident që ndodh me PD-në, ka vetëm një emër, Gent Strazimiri, atëherë fajin nuk e kanë vetëm të tjerët. Ai vetë duhet të shikojë ndonjë defekt edhe nga vetja. Por, në këtë drejtim Strazimri, nuk është i pa shpresë. Ai ka shansin e madh të marrë leksione nga miku i tij i ngushtë, Enkeled Alibeaj, se të bësh opozitë të fortë nuk do të thotë, doemos, të jesh vetëm viktimë, por të luftosh me argumente, prova dhe më shumë se kaq, duhet të jesh pozitiv.

 

  1. OERD BYLYKBASHU - nënkryetar i Grupit Parlamentar për reformat dhe komisionet ad hoc

Oerd Bylykbashi është truri juridik i Partisë Demokratike. Në të dy mandatet parlamentare, ai është shquar për profesionalizmin e treguar në planin juridik dhe politik. Përfaqësues i denjë i opozitës, në të gjitha komisionet parlamentare, Oerd Bylykbashi ka krijuar tashmë profilin më të veçantë, se një profesionist mund të jetë njëkohësisht edhe politikan; po ashtu, një politikan mund të jetë njëkohësisht edhe profesionist. Padyshim, një jurist i cili, nëse një ditë Partia Demokratike fiton zgjedhjet, pritet të jetë ministri i saj i Drejtësisë.

 

  1. EDUARD HALIMI - nënkryetar i Komisionit Parlamentar të Ligjeve

Pothuajse e njëjta gjë vlen edhe me Eduard Halimin. Një nga politikanët teknicienë që i kanë vlejtur dhe i vlejnë Partisë Demokratike, në pushtet dhe në opozitë. Ai është nga ata personazhe të politikës që edhe nëse nuk janë në politikë, mund të bëjë një punë tjetër. Eduard Halimi, madje, kishte më shumë mundësi ta ushtronte profesionin e tij jashtë politikës, por zgjodhi politikën, duke i dhënë asaj më shumë se sa i ka dhënë ajo.

 

  1. GENC POLLO - kryetar i Komisionit Parlamentar të Integrimit

Nga zëdhënësi i parë i Partisë Demokratike, pas 27 vjetësh kryetar i Komisionit Parlamentar të Integrimit, habitesh edhe vetë që, tashmë, Genc Pollon mund ta quash veteran. Por përvoja e tij në afro 3 dekada në politikë, e bën atë mes të zgjedhurve më me eksperiencë. Përse Pollo mbetet i besuari i Lulzim Bashës, pak vetë e dinë mirë. Por e sigurt është se, në krye të komisionit të Integrimit, ai do të derdhë gjithë potencialin e vet, për të bërë një opozitë që do ta vendosë në vështirësi shumicën.

 

  1. ALBANA VOKSHI - kryetare e Komisionit Parlamentar të Medias

Albana Vokshi është nga ata politikanë që ka shkëlqyer më shumë në opozitë se sa në pushtet. Debatet e saj më Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë dhe parlament, janë nga të rrallat suksese femërore të jetës parlamentare për PD-në, gjatë legjislaturës që kaloi. Por, tashmë, në detyrën e kryetares së komisionit të medias, i duhet akoma më shumë punë. Me përvojën e fituar, pritshmëritë i ka të mëdha.

 

  1. JORIDA TABAKU - nënkryetar e Komisionit të Ekonomisë

Brishtësia dhe droja kanë ikur me kohë tek vajza tiranase, kur futi këmbët në politikë. Pa frikë mund të themi se, Jorida Tabakun do të donte ta kishte në grupin e tij parlamentar edhe Edi Rama. Di shumë dhe flet pak. Punon shumë dhe pa vanitozitet. Si një bletë punëtore, Jorida Tabaku është e kundërta e prepotencës që kanë një pjesë e grave deputete krah saj. Tabaku shikohet si një ministre e ardhshme e PD-së në financë dhe ekonomi.

 

  1. FLORION MIMA - nënkryetar i Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese

Partia Demokratike ka edhe Florion Mimën veteran në grup. Nënkryetar i Komisionit Parlamentar i Veprimtarisë Prodhuese, edhe ai është kandidaturë për ministër i Financave, nëse PD-ja vjen në pushtet. Të rrallë janë ata që gjejnë defekte te Florion Mima dhe një model i mirë për të rinjtë, se si duhet të jetë një politikan.

 

  1. FLAMUR NOKA - nënkryetar i Komisionit të Sigurisë

Flamur Noka nuk kishte kuota aq të larta si ministër i Brendshëm, sa si nënkryetar i Komisionit Parlamentar të Sigurisë. I paragjykuar si beniamin i Sali Berishës, jo vetëm komisionin, por edhe shumicën e PS-së, Noka i vuri në siklet në sesionin e kaluar. Rama u mendua gjatë se kë do të vendosë kryetar të këtij komisioni, duke menduar që përballë do të kishte Flamur Nokën. Ishte i pari deputet i cili, teksa fliste live në kuvend, lajmëroi se në Durrës u rrëzua një avion me drogë, duke treguar se informacioni është pushtet, edhe nëse je në opozitë.

 

  1. TRITAN SHEHU - nënkryetar i Komisionit të Jashtëm

E kam shkruar edhe herë tjetër, karakteri politik i Tritan Shehut është model në politikën shqiptare. Edhe kur ka qenë deputet, ministër i jashtëm dhe kryetar i PD-së, por edhe kur nuk ka patur asnjë detyrë shtetërore dhe politike, ai ka patur të njëjtën sjellje. Tritan Shehu, kurrë nuk e ka braktisur PD-në, kurrë nuk ka flakur parimet dhe kurrë nuk ka braktisur askënd, sepse nuk ishte në listë. Aq evidente ishte kjo, sa edhe pa qenë deputet gjatë legjislaturës së kaluar, shumica e gazetarëve i drejtoheshin atij si të ishte deputet. Shehu është modeli më i mirë për ata që nuk zgjidhen deputetë.

 

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: