KËTU MBYLLET KAPITULLI '90- OPINION NGA FRROK ÇUPI

KËTU MBYLLET KAPITULLI '90- OPINION NGA FRROK ÇUPI
Nga FRROK ÇUPI

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Tri kanatat që kishin mbetur hapur, ku hynte e dilte fryma e viteve '90.

E para

Diferenca kulturore politike, mes fuqisë politike që lindi në vitin 1990, - e cila u emërtua Partia Demokratike, - me fuqinë ekzistuese komuniste e cila, në vitin 1990, u rrëzua dhe u mendua se nuk do të ngrihej kurrë më. Kultura politike e forcës së re, ishte liria e shprehjes, liria e ekonomisë, liria e besimit, e lëvizjes dhe e drejta e individit. Kjo kulturë jo vetëm nuk ekzistonte në forcën politike të mëparshme, por edhe dënohej me burgim a me vdekje.

Partia Demokratike, pak nga pak, i lëshoi armët e veta, gjithnjë për shkak të mbajtjes së pushtetit nga individë të veçantë dhe me format e kulturës që nuk i përkisnin. Ndër të fundit ishte shkelja e të drejtës së “skllevërve” demokratë, nga kryetari i fundit Basha, - i cili i përdori barbarisht votuesit e demokracisë, duke i mbyllur në një çadër skllevërish, duke shitur gjithë vlerën morale të PD-së te kundërshtari politik, i cili vinte nga forca e përmbysur në vitin 1990. Akti i fundit: PD-ja nuk shkeli vetëm ata 200 vetë që ngujoheshin në çadër përditë, por i la të gjithë pa opozitë.

Pas kësaj nuk u panë më diferenca mes PD-së dhe partisë së vjetër që themeloi e zhvilloi diktaturën në Shqipëri. Erdhi një moment që, “partia e diktaturës” u promovua si parti e lirive, dhe e kaloi një hap partinë e demokracisë. Në këtë moment, një ministër i dhunës në diktaturën komuniste, arriti të zgjidhej kryetar i Kuvendit, ose presidenti numër 2 i Republikës. Momenti i zgjedhjes së ministrit të diktaturës në krye të shtetit, përmbys gjithçka ka ndodhur qysh nga vitet '90. Këtu mbaron ajo epokë. Popujt e përparuar të Europës, - duke nisur nga gjermanët, - menjëherë pas Luftës së Dytë, vendosën diga të mëdha me qëllim që hitlerianët të mos ngjiteshin në republikë. Arsyeja thelbësore ishte të mos kthehej pas koha, ose të mos mbyllej porta e një epoke tjetër që u hap atëherë.

Kjo jona u mbyll këtu.

Kanata e dytë

Partia Demokratike, gjatë jetës së saj, ka bërë gjithçka kundër vetes, dhe, më në fund, ia arriti që PD-ja ta shkatërrojë PD-në. Më në fund, kur u lanë jashtë strukturave edhe ata pak demokratë që kishin mbetur nga kocka e PD-së, njerëzit thanë se këta rebelohen për interesat e veta. Edhe grupi i afërt i paguar nga lideri i PD-së, kështu tha. Por këtu kam parë fillimin e shkrirjes së PD-së në PS, ose edhe në PPSH. Komunizmi ka si vlerë mosnjohjen e vlerës dhe kontributit të individit, demokracia është krejt ndryshe. Edhe kur u sulmuan Pashko, Hajdari, etj.,- kjo gjë ka ndodhur, por me sa duket PD-ja ishte ende e fortë për të rënë, si tani...

Më tej, në fund të fundit, askush nuk mund të mendojë gjatë, se çfarë i bëri partia vetes, qoftë edhe PD; por çfarë i bëri vendit, atdheut, kombit. Partia Demokratike, me kryetarin e fundit Basha, i vuri llozin portës së pluralizmit politik. Tani ajo që ishte në vitet ’90, nuk është më. Kryetari Basha bëri marrëveshje të fshehtë për të qeverisur me ish-komunistët, ose për të mos qenë ndryshe. Ka akoma një marrëveshje për të bërë gjithçka së bashku... Aq sa, më në fund, PD-ja votoi si kryetar Kuvendi, ish-ministrin e periudhës së diktaturës. Për ta bërë edhe më kriminale veprën, PD-ja urdhëroi tre deputetë që t'i dhuronin votën kundërshtarit, dhe kështu u bë. Basha vetë, votoi në Kuvend pro Ruçit dhe pas votës, doli në shesh mes të viktimave të diktaturës, për teatër kundër...

Qytetarët e Shqipërisë nuk kanë më opozitë - kjo është epoka e mbyllur

Kanata e tretë

Partia Demokratike, pas 28 vjetësh, mbylli rrugën. Tani nuk dihet ku shkon. Në vitin 1990, ishte PD-ja ajo që kapi orientimin e saj dhe njëkohësisht orientimin e kombit: Drejt Perëndimit konservator.

Si u mbyll porta e drejtimit?

Në tri dekada, vetë Perëndimi u vendos në dy shina idesh.

E para u perceptua vija e sistemit, qeverive manipuluese, të vjetra, demagogjike, që ndryshe u quajtën edhe elitat liberale (thuajse të majta). Vetë, Papa Francesku e ka quajtur rryma e libertarinëve ose socializmi anarkist.

Shina e dytë është shfaqur qartë pas Brexit në Britani, ku qytetarët e Mbretërisë së Bashkuar nuk mund të bashkëjetonin me qeveritë e fjalëve e pa vepra, burokratike e boshe të BE-së.  Pas kësaj u ngrit fuqishëm vala e populistëve konservatorë siç i quajtën, me zgjedhjen e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Perëndimi ndodhet mes dy rrymave qeverisëse

Fasha e parë e partive libertiane, është e zënë nga të majtët edhe në vendin tonë. Të djathtët e Perëndimit po shikonin me shpresë se PD-ja që shpallet e djathtë do të kthehej në mbështetje të konservatorizmit, në këtë cep të Europës. PD-ja e mashtroi edhe konservatorizmin perëndimor. Ajo u bë pjesë e sistemit, ngriti në pushtet njerëzit e Soros-it dhe hodhi poshtë doktrinën e Trump.

Kjo është derë e mbyllur, jo thjesht për një parti. Në vitin '90, porta e re perëndimore u hap për kombin.

U mbyll kapitulli i atij viti.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: