Koloneli Veshi: Si përgatita projektin sekret të furnizimit për Tiranën

Koloneli Veshi: Si përgatita projektin sekret të furnizimit për Tiranën
Arqile Mite Veshi ka lindur më 1939, në Çorraj të Vlorës. Fëmijërinë e kaloi me vështirësitë e periudhës së luftës, por që e bënë më të vendosur për t’u përballur me vështirësitë e jetës.

Pamundësia ekonomike e familjes nuk i dhanë mundësinë që të vazhdonte shkollën e lartë, prandaj për periudhën Shtator 1957 – Shtator 1958 punoi në vendlindje. Në Shtator 1958, i erdhi fletë-thirrja për ushtar dhe u paraqit në Degën Ushtarake në Vlorë. Pyetja-surprizë: A dëshiron të bëhesh oficer? Kështu ndryshoi jeta e djaloshit, që u nis për në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve.

 

Intervistoi për Albanian Free Press: Albert Z. ZHOLI

 

  1. Veshi, çfarë do të veçonit nga shkolla ushtarake?

 

Jetën në shkollë e sidomos dy vitet e fundit që i bëra në ambientin e Uzinës së Artilerisë, ku ishim vetëm 18 vetë, i kujtoj me shumë nostalgji, për faktin se u bëmë si një familje me të gjithë shokët. Për t’u kujtuar ishte i paharruari Shefqet Ruçi, i cili na mblidhte rreth vetës e buçiste kënga labe që ai ia merrte aq mirë. Me disa kemi mbajtur e mbajmë shoqëri për gati 50 vjet e sidomos me Feizi Nebiaj, Hodo Hodaj dhe Anastas Dhimitrin.

Programi mësimor ishte kompleks. Kishte nivel të lartë profesional të pedagogëve, bazë të mirëfilltë materiale në çdo kabinet për secilën lëndë.

 

Cili ka qenë momenti më i vështirë juaji në ushtri në hartimin e planeve luftarake?

Bazuar në formimin teorik si student, pedagog dhe Shef Katedre në Akademinë Ushtarake “Mehmet Shehu”, si dhe në përvojën e punës 10-15-vjeçare në njësitë e repartet e ushtrisë nga Tropoja në veri dhe Gjirokastra në jug, Ministri i Mbrojtjes, në Maj 1974, më emëroi Zëvendësdrejtor dhe Shef i Shtabit të Drejtorisë së Përgjithshme të Prapavijës në Ministrinë e Mbrojtjes. Kjo drejtori në atë kohë kishte në përbërje: Shtabin e Drejtorisë, Sekretarinë Sekrete, Drejtorinë e Prapavijës, të Shëndetësisë, të Financës, të Kontroll-revizionit, të Planit dhe të Furnizimit. Në përshtatje me këtë strukturë ishin edhe sektorët analogë në të gjitha njësitë e repartet e ushtrisë. Në vartësi të drejtpërdrejtë, drejtoria kishte edhe bazat e furnizimit të ushtrisë me qendër në Tiranë, Durrës, Elbasan, Berat, Tepelenë, Rrëshen si dhe ndërmarrjet e prodhimit e shërbimit si: Ndërmarrja e Veshmbathjes së Ushtrisë, Ndërmarrja e Ndërtimeve Ushtarake, Ndërmarrja e Riparim-shërbimeve Komunale, Ndërmarrja e Ushqimit Social, shtëpitë e ushtarakëve si dhe shtëpitë e pushimeve të ushtarakëve, etj.

Mbuloja problemet operative dhe të stërvitjes si dhe Sekretarinë Sekrete. Gjithashtu, bëja koordinimin e bashkërendimit e punëve midis drejtorive në vartësi dhe me drejtoritë e komandat e aparatit të Ministrisë.

Të gjitha njësitë e repartet kishin urdhra dhe detyra luftarake, ndërsa bazat e furnizimit të ushtrisë nuk kishin detyra luftarake dhe dokument që t’ua konkretizonte atë sipas njësive që do furnizonin ashtu edhe rezervat që do të krijonin e skaliononin sipas drejtimeve operativo-strategjike, prandaj mora iniciativën dhe përgatita një projekt për bazën e furnizimit në Tiranë me rreth 60 faqe të shtypur me shkallë sekreti: “Tepër sekret”. Ishte punë me përgjegjësi të jashtëzakonshme pasi do kalonte në duart e Mehmet Shehut. N.q.s. ai nuk do ta pëlqente....

 

Dhe çfarë rezultati pati kjo punë?

Gjatë përgatitjes isha në një ankth të madh. Pasi e mbarova, këtë material, nëpërmjet Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Veli Llakaj, ia kaluam për mendim Kryeministrit dhe Ministrit të Mbrojtjes Mehmet Shehu. Pasi e kishte studiuar me shumë kujdes, ditën e nesërme na thirri Mehmeti, na përgëzoi për punën e bërë dhe na vuri detyrë që të përgatitnim sa më shpejt urdhrat reale për çdo bazë furnizimi. Në këtë mënyrë, Bazat e Furnizimit të Ushtrisë  u pajisën me një dokument të rëndësishëm, mbi bazën e të cilit programuam punën për krijimin dhe skalionimin e të gjitha rezervave materiale si “shtylla” të qëndrueshmërisë të mbrojtjes së vendit.

 

Si vijoi karriera juaj ushtarake?

 

Në Tetor 1982, me vendim të Sekretariatit të KQ-së të Partisë, emërohem Drejtori i Drejtorisë së Prapavijës së Ushtrisë detyrë që kreva për më shumë se një dekadë. Përveç detyrës shtetërore, isha ngarkuar e kryeja detyra të tjera me karakter shtetëror e shoqëror si: Anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Anëtar i Kolegjiumit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Anëtar i Komitetit të Partisë të Ministrisë së Mbrojtjes.

Për kohën që punova në aparatin e Ministrisë së Mbrojtjes, dua të nënvizoj se atje vinin kryesisht ato kuadro që kishin punuar për shumë vjet në njësi e repartet e ushtrisë, kishin patur rezultate në punë, sjellje të mira shoqërore, nivel të lartë profesional, pjekuri e gjykim në zgjidhje e problemeve sipas radhës e rëndësisë së nevojave të njësive e reparteve. Kjo e lehtësonte edhe bashkëpunimin për zgjidhjen sa më racional dhe efektiv të problemeve që dilnin për çdo armë e shërbim, duke zbatuar rigorozisht kërkesat e akteve ligjore e nënligjore. Gjithashtu, vlen për ty përmendur, se në aparatin e Ministrisë së Mbrojtjes, kishte disiplinë rigoroze në ruajtjen e sekretit, nisur nga motoja që secili të dijë atë që i takon sipas vendit të punës e funksionit që kryen.

 

Po kur u ristrukturua ushtria, çfarë ndodhi?

 

Në fund të vitit 1983 doli urdhri i Komandantit të Përgjithshëm që në ushtri do të ketë riorganizim nga struktura me korpuse në strukturë me divizione. Në mbrëmjen e asaj dite në zyrën e Ministrit të Mbrojtjes, u thirr grupi i punës për të kryer studimin e riorganizimit të ushtrisë me sistem divizioni.

Detyra ishte shumë e rëndësishme dhe voluminoze, por që kishte një kusht shumë specifik, se do të punohej vetëm dhe në bashkëpunim vetëm me anëtarët e grupit të punës dhe nuk kishe të drejtë të konsultoheshe as me personelin e drejtorisë dhe as me komandantin. Kjo kushtëzoi që edhe puna të bëhej kryesisht natën dhe në zyra të mbyllura, gjë e cila për mua që isha i vetmi drejtor që punoja për pjesën e dokumenteve të sektorëve ekonomiko-financiar, armatim-municionin dhe teknikën luftarake etj, mu desh që për 2 – 3 muaj të konceptoja e hidhja në letër në blloqe “Tepër sekrete” rreth 500 – 600 faqe, duke mos komunikuar me njeri në mënyrë të drejtpërdrejtë për detyrën e vënë. E gjithë kjo punën e mirëfilltë studimore-shkencore, pasi jo vetëm u shkrua, u diskutua dhe u miratua nga hallkat përkatëse të shtetit, por edhe u zbatua, pasi e tërë Ushtria Shqiptare kaloi në strukturën me divizione dhe komanda sipas detyrave luftarake morën drejtimin e njësive dhe reparteve vartëse. Ishte një punë cfilitëse me shumë përgjegjësi. Ishte koha kur në ushtri frynin erërat e “puçeve ushtarake” dhe ço gabim kishte kosto.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: