KOMBI MBRON VETEN- OPINION NGA FRROK ÇUPI

KOMBI MBRON VETEN- OPINION NGA FRROK ÇUPI
 

Nga FRROK ÇUPI

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Po të ishte ndjerë vërtet i rrezikuar kombi kësaj here, padyshim që do t’kishte reaguar më fort. Por është një kotësi, për të mos thënë marrëzi.

Cila është kjo herë?

Hera e luftës së drejtpërdrejtë dhe në grup, kundër figurave themelore të kombit shqiptar, ishte më e fuqishme se rrallë herë, këto ditë. U sulmua Heroi Kombëtar, Gjergj Kastrioti- Skënderbeu; u sulmua edhe poeti kombëtar, Naim Frashëri, që paska shkruar për Skënderbeun; u sulmua Shën Tereza, pse është e krishterë; u sulmua thelbi kombëtar, duke e quajtur kombin një përbërje sllavësh, grekësh, turqish; u sulmua gjuha, duke thënë se nuk ka gjuhë shqipe, por një përzierje turko- latine. E çfarë nuk u sulmua këto ditë!...

Por kombi nuk e “lujti veshin”, - thonë në Veri. Jo nga pandjeshmëria, por nga fuqia që ka kombi ynë, para kësisoj teshash. Madje, mund të them se ka miliona shqiptarë që as kanë marrë vesh gjë çfarë thonë. Jo pse nuk dëgjojnë lajme, por punët e kota, as i hyjnë në veshë kombit...

Kjo është një nga mënyrat si kombi mbron veten.

E para, duke ndërtuar murin e madh të vlerave të veta, që as do t’ia dijë për shpifje dhe sulme kundër themeleve. Ky është populli më i lashtë në këto troje; po të ishte prekur prej të kotëve gjatë kaq shumë shekujsh, atëherë, vajmedet! Sa herë deri sot, do t’ishte rrëzuar. Ja, si tani, që nuk kanë pikë vlere sulmet kundër themeleve të kombit!

E dyta, mbrojtjen e vetes kombi shqiptar e ka ndërtuar përmes modernizimit. E dini pse tërbohen këta që e sulmojnë? Se, sipas tyre, kombi ka rrëshqitur pse ka shkuar kah Perëndimi?! Këta tërbohen, sepse e shikojnë kombin të pathyeshëm, pikërisht për shkak të rrugës për modernizimin, drejt Perëndimit. Kombi shqiptar tashmë është komb modern, me rrënjët në identitetin e vet: Gjergj Kastriot- Skënderbe, Flamur, Shën Tereza, Naim Frashëri, Pjetër Bogdani, Ismail Qemali dhe Gjergj Fishta...

Cila është mburoja moderne?

Në radhë të parë, është kultura e lartë për të dalluar kotësinë dhe vlerën, marrëzinë dhe normalitetin.

Në radhë të dytë, është shteti. Kombi shqiptar ka shtetin shqiptar. Në epokën moderne të shtetit, kombi shqiptar është edhe shtet-komb.

Pika e fillimit: Mençuria para marrëzisë:

Sikur këto ditë, dikush ose shumicë njerëzore të dilnin para të marrëve që sulmojnë vlerën e kombit me marrëzi si ato që thonë, atëherë çfarë do të bëhej?! Do të bëhej një zhurmë e kotë, ku marrëzia, përgjithësisht, fiton. Marrëzia fiton se pse të fut në rrethin e vet, dhe atëherë t’i nuk shpëton. Ja,  kështu sulmuan kësaj here, marrëzisht! Marrëzia, në jetë të jetës, është mahnitëse dhe mbresëlënëse. Po iu afrove, do të zhytesh në të njëjtën pozitë me marrëzinë. Të marrët e afrojnë Gjergj Kastriotin-Skënderbeun dhe e gjykojnë si ta kenë shokun e tyre. Edhe Krishtin dhe profetin Muhamed, i gjykojnë sikur të ishin bashkë me ta. Njëri thoshte, këto ditë, se profeti Muhamed dërgoi filanin, ai fluturoi dhe ndaloi në Tomorr. Gati tha se ky personi që sulmon kombin, e paska pritur për darkë. Për Skënderbeun thonë se ishte mercenar dhe se vidhte flori (njësoj si të rruga e punishtes së pastave sot, ku grabiten dyqane floriri). Mirëpo, këto i sajojnë të marrët, i afrojnë epokat sipas trurit të sëmurë dhe kaq. Marrëzia mahnit.  Nëse kombi shkon në këtë pozitë, si do të merret vesh...

Prandaj thuhet se kombi ka mjetet që mbrohet ndaj marrëzisë.

Kombi modern është kombi shtet. Shqiptarët që në kohën e atij mercenarit Skënderbe që sulmojnë këta  të marrëzisë, ndërtoi themelet e shtetit të vet. Këta tani po thonë se arbër nuk është shqiptar, por përsëri marrëzi. Në një shtet-komb, marrëzia që prek themelet dhe identitetin e kombit, quhet vepër penale dhe dënohet me ligj. Kombi ka ndërtuar ligjet për të mbrojtur nderin dhe vlerën e tij. Në faqet e mediave po lexoj se kërkohet ndërhyrja e ligjit kundër atyre që fyejnë dhe përdhosin identitetin kombëtar, vlerën, historinë, shtyllat e kombit, heronjtë dhe rilindësit e kombit. Ky është momenti kur shteti modern ka në dorë dhe në përgjegjësi mjetet dhe ligjet për mbrojtjen e vlerave të kombit.

Që në periudhën e filozofëve klasikë grekë dhe romakë, gjendet origjina e idesë së ligjeve që mbrojnë kombin. Gjykatësi i famshëm Gaius, ka lënë në histori thënien: “Çdo popull që qeveriset nga ligjet dhe zakonet, ka në përdorim  ligjin e veçantë dhe ligjin e përbashkët me njerëzimin”. Themelet e shtetit u ngritën mbi “ius gentium” dhe “ius natyral”. (E drejta e njerëzve dhe e drejta e natyrës).

Këto nuk preken kurrë, që në epokën e  Romës së Lashtë. Kombi ynë, mjetet për të mbrojtur veten, i ka te shteti: Në të drejtën e individit dhe në të drejtën e natyrshme...

Ja ku jemi, nëse kombi ka nevojë të përdorë shtetin, për rastin e ditës.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: