KORRUPSIONI, ASGJË NUK PO NDODH- OPINION NGA PLATOR NESTURI

KORRUPSIONI, ASGJË NUK PO NDODH- OPINION NGA PLATOR NESTURI
Nga PLATOR NESTURI

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

 

Puna e Komisionit të Ligjeve, sa i takon procesit të Vetting-ut, duket se është fokusuar thjesht sa do të jetë stafi i ekipeve përkatëse që do të merren me prokurorët e gjykatësit. Duket paradoksale, por është e vërtetë. Më tepër se garancitë sa funksional do të jetë gjithë ky angazhim i projektuar nga ndërkombëtarët, - për të cilin mezi u bënë bashkë votat e deputetëve tanë, - tashmë po shihet pjesa e tkurrjes së buxhetit. Dhe Komisionit të Apelit i shkurtohen 75 punonjës nga stafi prej 185 specialistësh, që kishte kërkuar.

Vetting-u është veç një pjesë e angazhimit të luftës ndaj korrupsionit, pasi përqendrohet në sistemin e drejtësisë. Por çfarë shembulli jepet me këtë shkurtim? Angazhim për të luftuar korrupsionin në çdo sektor, apo tërheqje për të mos prekur strukturën kaba, që ka ndërtuar korrupsioni në vend? Vetë funksionimi i parlamentit ku, në çdo seancë, nuk reshtin akuzat për korrupsion ndaj secilës palë, por harrohet javën në vijim e asgjë nuk arrin të filtrohet në organet e drejtësisë, - është tregues se këtu nuk ka vullnet që gjërat të ndryshojnë. E jo më që korrupsioni të goditet fort. Maratona e akuzave për korrupsion, po vijon prej më se dy javësh që sa ka filluar ky mandat i ri parlamentar, dhe ende nuk po duket fundi. Si për ta mbajtur gjallë interesimin e opinionit publik, përgjatë çdo dalje ditore, akuzuesit e palës tjetër, përveç bulurimave të radhës për aferat e errëta të kundërshtarëve politikë, nuk harrojnë të shtojnë se, të nesërmen, do të sjellin një tjetër dokument sensacional që do të jetë edhe më spektakolar se të mëparshmit. Për çdo fund dite, pra, si në një ritual që përsëritet në mënyre monotone, tregohet kujdes të hidhet një dru për të mbajtur ndezur, gjatë natës, zjarrin aspak bubulak të sherrnajës, për të treguar se kush është më i korruptuar nga pushtetarët tanë, - qofshin këta blu apo rozë, të mëngjër a të djathtë, në qeveri a bashki. Ndërkaq, panorama zgjerohet më tej, me kronika lajmesh për padi të ndërsjella, deponime biznesmenësh në prokurori, përplasje deklaratash, porse gjithsesi, asgjë nuk ndryshon.

Në një situatë të tillë absurdi, - ku gjithkush nga njerëzit e veshur me pushtet del i përlyer dhe njëkohësisht akuzon akuzonjësit e tij, se nuk janë më të mirë se ai vetë, e se bëmat e tyre nuk bien më poshtë nga të tijat, - kjo, në një shtet normal, do të sillte rënien e klasës drejtuese politike. Për këtë mjafton të kujtojmë tërmetin që pësoi shoqëria italiane në fillim të viteve 90-të, çka solli dhe përmbysjen e elitave, pas akuzave për korrupsion të saj, duke promovuar një konfiguracion krejt të ri politik, që vështirë se mund të imagjinohej se do të ndodhte përpara nisjes së "Mani pulite". Përkundrejt këtij shembulli, që i dha Italisë në atë kohë imazhin e një vendi që diti të thyejë zinxhirët e panumërt të një shoqërie të infektuar rëndë nga korrupsioni, në Shqipëri punët duken krejt ndryshe. Tek ne, politikanët thjesht po shahen e po i nxjerrin të palarat njëri-tjetrit për teka që pak kanë të bëjnë me dëshirën për transparencë e për të pastruar shoqërinë nga ky batak. Nuk ekzistojnë as forca të reja politike të interesuara t’i shtyjnë më tej akuzat dhe hetimet për korrupsion, me qëllimin që të spostojnë kastën e vjetër e të fitojnë terren në elektorat. Jemi shumë larg këtyre zhvillimeve, që mund t’i jepnin hov dhe reagimit qytetar, pasi ende nuk kemi vajtur as tek lloji i nismave si "Tee Party", i republikanëve amerikan,ë si një formë për të zëvendësuar të vjetrit e konsumuar e të atrofizuar politikisht.

Ne, pra, nuk presim asgjë. Jemi të dënuar të dëgjojmë akuzat e secilës palë, ndaj kundërshtarëve politikë, me bindjen e qartë se edhe pas kësaj, nuk do të ndodhë asgjë e re e më me vlerë. Të njëjtat fytyra që kanë zënë podiumet, që janë herë në sulm e herë në mbrojtje, sërish do të jenë aty edhe pas kësaj e askush nuk do t’i zëvendësojë. Pasi nuk duket se mund t'i zëvendësojë kush. Njëkohësisht, në horizont nuk duket se mund t’i dënojë kush. Pavarësisht padive të hapura dhe dosjeve nën hetim, sistemi i drejtësisë është tepër i ndrojtur e i brishtë përballë fuqisë që ka grumbulluar rreth vetes klasa politike. Si mund të mendohet se një ministër a funksionar tjetër i lartë, të mund të gjykohet paanësisht e në mënyrë profesionale, kur sistemi është thuajse në kolaps për çështje më të thjeshta, si për shembull ato të pronave e jo më për figura që do të kenë edhe mbështetje nga forcat politike përkatëse? Përderisa sistemi i gjykimit është në këtë gjendje të mjeruar, afërmendsh nuk mund të besohet se dhe në situatë akuzash të ndërsjella për korrupsion të figurave veshur me pushtet, shapi do të ndahet nga sheqeri në dyert e gjykatave.

Sistemi i drejtësisë është ende i dobët dhe përballë kësaj klase të fuqishme politike, balanca është në disfavorin e saj, ndërsa mund të ketë dilema se i vetëm mund të ndërmarrë një luftë të suksesshme, kundër korrupsionit dhe fenomeneve të tjera negative në shoqërinë shqiptare. Në këto kushte, pastrimi i politikës nga ata që kanë abuzuar dukshëm me pushtetin, mund të bëhet vetëm nga politika dhe në formën e një konsensusi të plotë të të dyja palëve, për t’i hapur rrugë drejtësisë të pastrojë ferrat më bezdisëse e rastet më flagrante, në sytë e opinionit publik. Në të kundërt, nëse kjo klasë politike do të mbetet refraktare, ashtu si dhe për çështje të tjera të politikëbërjes, atëherë podiumet do të vijojnë të mbushen me akuza e sharje, por ku asgjë nuk ndryshon e nuk ndëshkohet. Deri në monotoni. Ata flasin e grinden, ne dëgjojmë dhe koha kalon!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: