“KRAHË” PA PARTNERË- OPINION NGA FRROK ÇUPI

“KRAHË” PA PARTNERË- OPINION NGA FRROK ÇUPI
Nga FRROK ÇUPI

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Pritëm deri orët e fundit të zgjedhjeve në Gjermani: Kush do të jetë me cilin? Askush me askënd, nga Shqipëria...

Prej shumë vitesh, pasi politika në vend fitoi lirinë që të renditet me krahun e vet, nuk kemi parë renditje. Është një pamje tragjike e politikës shqiptare...

Ja ku janë zgjedhjet e përgjithshme në Gjermani, që sapo mbaruan dhe thuajse u shpall fituesi. Asnjë nga krahët politikë të Shqipërisë, nuk u shpreh cili është partneri që mbështet në shtetin qendror të BE-së. Të gjithë të tjerët dëshmuan përkatësinë e tyre. Madje edhe e djathta e Kosovës, e përfaqësuar nga partia e themeluar nga Ibrahim Rugova, i bëri thirrje shqiptarëve që jetojnë dhe votojnë në Gjermani, të votojnë për homologen CDU.

Kosova është e vogël?!

Atëherë, le të marrim shembullin e Shteteve të Bashkuara. Prej kohësh, madje, edhe orët e fundit, administrata e Trump-it ka manifestuar realizëm ndaj CDU-së të zonjës Merkel, por njëkohësisht ka manifestuar simpati ndaj partisë konservatore antiemigrant, AfG (Aleanca për Gjermaninë). Natyrisht, kjo parti e vogël e krijuar në vitin 2013, do të ishte aleate e doktrinës së Donald Trump-it, për respektimin e kufijve dhe sovranitetit kombëtar. Por partia AfG është një parti e vogël, e cila nuk mund të zërë vendin e Merkel-it. Megjithatë, politikanë të grupimit Trump, janë në krah të kësaj partie. Rezultatet paraprake po dëshmojnë se, Aleanca për Gjermaninë po fiton mbi 13 për qind, gjë që është fitore e populsitëve të djathtë në Europë.

Të djathtët konservatorë në Europë, duke u bashkuar me AfG-në, mund të imponojnë politikat e tyre në lidhje me emigracionin masiv dhe sovranitetin. Politika e Trump nuk kishte aspak parasysh se AfG-ja do të fitonte kaq shumë, por megjithatë kishte shpallur partneritetin me këtë parti. Padyshim, duke ruajtur balancat me CDU-në e zonjës Merkel, e cila është e djathtë konservatore, por luhatet majtas.

Po politika shqiptare, pse nuk manifestoi partnership?

E djathta shqiptare, e përqendruar në PD, nuk arriti të ligjërojë partnershipin me të djathtën në Gjermani. Në qoftë se PD-ja do të ishte një aleate e konservatorëve të Trump-it, natyrshëm duhej të radhitej në krah të AfG-së. Por nëse nuk guxon ta bëjë këtë, sepse nuk do të prishë lidhjet me Merkel, atëherë le të dëshmonte se “jam me konservatorët e Merkel”.

Por PD-ja as këtë nuk e bëri.

As Partia Socialiste që rastësisht është radhitur me CDU-në, nuk arriti të thotë ndonjë gjë. Në fakt, duket si absurd që socialistët të renditen me kristianët konservatorë të Europës. Por sjellja e zonjës Merkel, e cila lëviz nga e djathta në të majtë, nga kristiane në ateiste, ka krijuar përshtypjen se është mike e ngushtë me ish-komunistët shqiptarë. Megjithatë, socialistët që qeverisin në Shqipëri, nuk arritën të deklarojnë as simpatinë, as aleancën me CDU-në dhe me Merkel.

Pse ky konfuzion aleancash që, në fakt, është konfuzion vlerash politike?...

Partia Demokratike, - e djathtë në opozitë, - nuk arriti të formësojë portretin e vet si konservatore e djathtë. Pengesa mbetet qëllimi për të marrë pushtetin, pavarësisht cilit krah i përket. Sikur PD-së që u krijua si antikomuniste e djathtë, t'i thuhet të bashkohet me sovjetikët e Rusisë, nëse garantohet pushteti, ajo është e gatshme. Qëllimi është pushteti, me çdo mjet. Edhe deputetët e rinj që u zgjodhën herën e fundit, janë marrë nga grupimet e majta, sorosiane ose edhe të pa fé politike. Kthesa e PD-së drejt sovjetizmit, është një gjë mjaft e lehtë.

Partia Demokratike nuk ka arritur të konfigurohet sipas përkatësisë së krahut. Edhe në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara, PD-ja mbajti anën e të majtës Hillary Clinton dhe Obama. Ditën që fitoi aleati Trump, djathtistët as që e besonin, sepse ishin në një aferë me John Podesta-n dhe Hillary-n. Pastaj u përpoqën të futën ne sqetullën e Trump-it, por as këtë nuk e bënë dot. PD-ja nuk kishte aq mendje sa të kujtohej se në Gjermani, duhej të bashkohej me dikë, p.sh. AfG-në ose CDU-në. Shqiptarët që jetojnë në Gjermani, nuk kishin asnjë sinjal.

As Partia Socialiste, ish-komuniste, nuk arriti të formësojë aleancën e saj me dikë në Gjermani. Edhe pse PS-ja ndodhet në pushtet, me një fuqi të padiskutueshme, nuk arriti të thoshte: Votoni për SPD-në, - për shembull. Por nuk mundi të bëjë thirrje as për Merkel-in, me të cilën po mburret dhe mbahet në pushtet. Arsyeja është e thjeshtë: Majtistët nuk i besojnë  zonjës Mekel, por ndërkohë duan t'i besojnë. Vetë zonja Merkel është një perëndeshë pa profil. Sidoqoftë, politika e një vendi të vogël, si ne, është e detyruar të gjejë dhe mbështesë aleatë dhe partnerë.

Jemi ende shumë mbrapa: Mendojmë, sillemi dhe kemi frikë si në diktaturën komuniste. Partitë kanë frikë se do t'i spiunojë Sigurimi i Shtetit.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: