KULLA E PREK CALIT DHE MEMORIALI I LINCOLN- OPINION NGA FRROK ÇUPI

KULLA E PREK CALIT DHE MEMORIALI I LINCOLN- OPINION NGA FRROK ÇUPI
Nga FRROK ÇUPI

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Pse ia shembën kullën Prek Calit, në Vermosh?

Shtëpia është shembur, sepse ishte memorial, d.m.th., kujtesë. Po të ishte, për shembull, vilë e ndërtuar me drogë, as që mund të mendohej se dikush do të vinte dorë. Ka edhe një kusht tjetër thelbësor, pse u hap rruga për shembjen e shtëpisë memorial të Prek Calit... Po të mos ishin prekur memorialët e America’s Fathers në Shtetet e Bashkuara, zor se dikush do të ishte kujtuar për të cenuar shtëpinë e Prek Calit.

Fenomeni i rrathëve në ujë; këtu ka pasur gjithmonë ose humbje në kohë, ose efekte të tjera negative...

Fenomeni i luftës kundër monumenteve, - duke nisur që nga Abraham Linkoln në Shtetet e Bashkuara, deri te Prek Cali në Vermosh të Kelmendit, - ka shpërthyer egër kohët e fundit. Linkoln po sulmohet nga majtistët në Amerikë, si hero i Luftës Civile në Shtetet e Bashkuara. Politikan dhe gjyqtar amerikan, Lincoln u zgjodh president i 16-të i Shteteve të Bashkuara, nga viti 1861 deri sa e vranë në prill të vitit 1865. Linkoln udhëhoqi Shtetet e Bashkuara gjatë Luftës Civile - lufta më e përgjakshme në kulmin e krizës morale, konstitucionale dhe politike të Amerikës. Para se të vinin  gishtin te memoriali i Abraham Lincoln, majtistët kishin prekur pulsin amerikan me sulmin mbi figura të tjera të periudhës së Luftës Civile në Shtetet e Bashkuara. Nisi me sulmin mbi përmendoren e gjeneralit të Luftës Civile, Robert E. Lee, në Charlettesville Virginia, dhe mori rrugë drejt memorialit në Malin e Gurtë, kundër basorelievit të  America’s Fathers, madje edhe te Christofor Colombit - udhëtari trim gjenovez, që zbuloi kontinentin.

Fillimisht, sulmuesit e monumenteve paraqitën arsyetimin se ata ishin me skllavërinë, por, më vonë, menduan se nuk duhet paraqitur as ndonjë argument; mjaft që të shemben monumentet. Nga Amerika këtu, nuk erdhi doktrina Trump, por, çuditërisht, fluturuan rrathët në ujë të sulmit mbi gjurmët e kombit. Shkatërrimi i monumenteve, gjatë gjithë historisë, ka ndodhur si hap i parë për të dëmtuar kujtesën. Vetë shkatërrimi i monumenteve, pas kësaj, kthehet në një rreth vicioz që dëmton memorien e të gjithëve.

Ja pse është goditur për vdekje, monumenti i fundit i Prek Calit. Romakët e lashtë e quanin fenomenin,  Damnatio memoriae, - domethënë dënim i kujtesës.

Prekja e kullës së Prek Calit në Kelmend, është prekje e kujtesës së kombit, pikërisht, në hallkën mes tre epokave: Luftës së Dytë Botërore, periudhës së diktaturës komuniste që bëri përpjekje për t’i dhënë pjesë të atdheut shtetit fqinj, Jugosllavi, dhe momentit aktual.

Cili është momenti aktual, kur grupit majtist (po përdor fjalorin e medias amerikane për shkatërrimin e monumentit të Robert Lee dhe Abraham Lincoln), i duhet që të rrënojë memorien rreth Prek Cali? Nuk është veç një akt komunist si në periudhën e diktaturës. Diktatura e mbylli kapitullin. Mehmet Shehu - një nga eksponentët më gjakatar të komunizmit, - e vuri Prek Calin para skuadrës së pushkatimit. Pse? Arsyeja e parë se Cali ishte një atdhetar që kishte mbrojtur trojet shqiptare nga tjetërsimi, në favor të fqinjëve serbë... Kjo ishte mjaftueshëm për ta dënuar me vdekje. Mehmet Shehu e thërriti Prekën përballë dhe  ndau epokat - nga epoka me kujtesë, në epokën black. “Ti, Prek Cali, kishe mundësi të të shkruhej emri me germa ari, por e humbe shansin”, - tha Shehu.

Domethënë, komunizmi e ka mbyllur kujtesën atëherë... Por pyetja: Pse duhet mbyllur, përsëri, sot?

Që nga Lincoln e Colombi dhe deri te Prek Cali, tani ka një arsye të re për të dënuar memorien.

Arsyet e Kelmendit janë arsyet e Ballkanit:

Në Ballkan po zgjohen fantazmat e të shkuarës. Mediat dhe studiuesit thonë se po kërkohet krijimi i një Jugosllavie të re. Kjo do rrugë të pastruar nga atdhetarë të tipit Prek Cali. Këtë mund të mos e kërkojë Beogradi, por servilët këtu mendojnë se i bëjnë mirë kryeqytetit tjetër. Po kështu, regjimit të ri shqiptar e ballkanik, i intereson të rrëzojë figurat e forta si Prek Cali. Serbia, për herë të parë, ka një kryeministre lesbike; kudo ka një atmosferë antiburrë.

Arsyet e Ballkanit janë arsye të përplasjes së fuqive të mëdha.

Vetëm herën e fundit, le të mbajmë mend, në mbledhjen e NATO-s para dy ditësh në Tiranë. Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara deklaroi se Rusia ka qëllime malinje në Ballkan; ndërsa Rusia deklaroi se Ballkani duhet të investojë në Rusi, me BE nuk ka asgjë të sigurt. Atdhetari i Kelmendit del në rrugë si një kujtesë që nuk duhet të rrojë më.

Arsyet e përplasjes së Islamizmit dhe Krishterimit, janë arsye që kapërcejnë edhe Adriatikun.

Prej kohësh ka nisur një fushatë e tmerrshme kundër figurave të kombit. Është sulmuar dhe po sulmohet memoriali i Gjergj Kastriotit, Skënderbeut; figura e Shën Terezës, e Naim Frashërit, e Gjergj Fishtës, dhe Ismail Kadaresë. Nuk po flas për kasnecët pa vlerë që shkruajnë lart e poshtë, por edhe historianë po shkruajnë sikur Gjergj Kastrioti nuk ishte kalorës i Krishtit, dhe se ko është shpikje e katolikëve. Tentohet që përmes sulmit mbi memorialët, të shkaktohet një rrënim i sovranitetit të kombit.

Arsyet e rrathëve të ujit janë akoma më gjenerale.

Monumentet historike që u sulmuan në Amerikë, ishin fillesa e një financimi nga multimiliarderë si George Soros, për të mbajtur më këmbë komunizmin e ri ose libertarianët - siç i quajti Papa Francesku, duke shtuar se këta janë ata që bëjnë socializmin anarkist. Memorialët e Amerikës, u sulmuan në radhën e rrënimit të kujtesës dhe instalimit të elitave të vjetra, të sistemit kundër integritetit dhe sovranitetit të kombeve që po reziston përballë vlerave të konservatorizmit, vlerave kombëtare dhe europianiste .

Puna e rrathëve erdhi deri në Kelmend, te kulla e Prek Calit. Kjo është.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: